E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH eksport maksimal të energjisë

11/03/2010 Korporata po shet rreth 14.4 milionë kwh energji në ditë

Pavarësisht reshjeve të shumta situata është e qetë në hidrocentrale

Reshjet e shumta të shiut gjatë këtyre muajve të fundit përveç problemeve të shumta që kanë sjellë po ndikojnë shumë pozitivisht në bilancin financiar të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Janë të paktën 16 milionë euro të parashikuara për t’u futur në arkat e KESH-it nga shitja e energjisë gjatë muajit mars. Sipas të dhënave më të fundit, mësohet se prodhimi ditor i energjisë elektrike llogaritet 28.86 milionë kwh, konsumi 22.45 milionë kwh, ndërsa eksporti 14.4 milionë kwh. Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, janë arkëtuar plot 21 milionë euro të ndara përkatësisht në 12 milionë në janar dhe gati 9 milionë euro për muajin shkurt. Për muajin mars energjia është llogaritur të shitet me çmimin e rreth 42 euro për megavat orë që është edhe bursa greke në këto kohë. Sipas të dhënave më të fundit të kuotave, prurjeve të ujit në hidrocentralet kryesore të vendit, si dhe prodhimit e shitjes së energjisë elektrike situata në liqene duket e qetë. Niveli i ujit në liqenin e HEC-it të Fierzës ishte dje 293.72 m, ndërsa prurjet llogariten 500 m3. Në HEC-in e Komanit niveli i ujit është 171.69 m, prurjet 130 m3/s. Në Vaun e Dejës niveli i ujit ka arritur në 75.28 m, prurjet shënojnë 30 m3/s. Duke vazhduar më tej me perspektivën mësohet se në muajt e thatësirës KESH ka parashikuar të prodhojë aq sa i duhet OSSH-së. Aktualisht dy kompanitë KESH dhe OSSH janë në një proces të bërjes së bilanceve mes detyrimeve të njëra-tjetrës. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nën pronësinë e CEZ Grup një pjesë të energjisë e merr nga korporata si detyrim që lind nga kontrata e fillimit. Po kështu KESH ka edhe marrëdhënie shkëmbimi me Kosovën çka i lejon eksportimin e energjisë në momentin e tepricave dhe kthimin e saj në momentet kur është e nevojshme.

Situata

Reshjet e shumta në veri të vendit rritën ndjeshëm nivelin e prurjeve në hidrocentrale, aq sa nuk mjaftonte maksimumi i kapacitetit prodhues, por u hapën portat për të shkarkuar ujin. Që nga muaji janar, KESH ka prodhuar maksimalisht energji elektrike, në sasi që varionin nga 24 deri në 28 milionë kilovat, kurse eksporti regjistron një kuotë mesatare prej 10 milionë kilovatësh. Përfitimet e KESH-it vijnë nga ndryshimi i ligjit për energjinë, i cili lejoi pas shumë vitesh shitjen e sasisë së prodhuar dhe jo depozitimin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›