E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH gati për tenderin e OSSH: “S’do japim më 73% sipas kontratës”

 Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të marrë pjesë në tenderin që do të zhvillojë së shpejti OSSH për energjinë e importuar që mbulon humbjet. Paralelisht në këto ditë kur vendi ynë po prodhon me kapacitete maksimale është zhvilluar dhe një tjetër tender për eksportin e 50 MWh energji. Sipas drejtorit të KESH Muharrem Stojku ky është një "xhep" energjie i cili tepron gjatë orëve 08:00-15:00 kur konsumi nuk është aq i lartë dhe u pa e arsyeshme që të eksportohej. Sasia prej 50 MWh doli në tender dhe fituese u shpall një kompani zvicerane. Si çmim reference edhe në këtë rast është marrë bursa greke. Aktualisht KESH është duke u përgatitur për të marrë pjesë edhe në tenderin që do të zhvillojë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Ky i fundit merr nga Korporata 73% të energjisë që prodhohet në vend sikurse përcakton kontrata ndërsa pjesën tjetër të humbjeve është i detyruar që ta importojë nga kompani të tjera. Por ndryshe nga sa thuhet në kontratë këtë herë KESH do të marrë pjesë në këtë tender për të dhënë më shumë se 73% por kjo fillimisht duhet të gjejë zbatimin në një vendim të këshillit të ministrave. Ministri Prifti disa ditë më parë deklaroi se ky problem ligjor që pengon KESH të marrë pjesë në këtë tender do të diskutohet në mbledhjen e radhës të qeverisë. Të hënën KESH do të fillojë edhe procedurat përgatitore për tenderin siç është testimi i tregut rajonal. Duke ju kthyer prodhimit të energjisë në vend drejtori i KESH Muharrem Stojku pohon se do të ruhen kuotat e 27-28 milion kwh në ditë gjatë gjithë janarit ndërsa vetëm dje janë eksportuar 10.9 milion kwh energji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›