Banorët me frikë nga përmbytjet
SHKODER/ RITVAN DIBRAGjysma e banorëve të evakuuar nga zonat e përmbytura rikthehen në shtëpitë e tyre pas largimit të ujit. Por, ky kthim ka qenë i ankthshëm dhe me probleme për familjet. Depërtimi i ujit në një pjesë të mirë të banesave ka bërë që ato jo vetëm të kenë lagështirë, por edhe të jenë tejet të dëmtuara. Gjendja e shtëpive të amortizuara dhe frika se mos kjo situatë mund të përsëritet sërish i ka detyruar këta banorë që të shprehen të pasigurt në lidhje me vazhdimin e jetës si më parë. Madje një pjesë e mirë e familjeve që jetojnë në lagjen "Ajasëm", në periferi të Shkodrës, kanë pohuar se në rast se shteti u jep mundësinë që ata të ndihmohen me ndërtimin e banesave të tjera, në një vend tjetër, do të ishin të lumtur që ta linin pa mëdyshje vendin ku aktualisht kanë shtëpitë. Ata thonë se kanë ende frikë se historia e përmbytjeve mund të përsëritet, çka për ta do të ishte një tragjedi e vërtetë si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana psikologjike. Njëkohësisht një shqetësim më vete për këta banorë është edhe mënyra e përcaktimit të dëmeve të shkaktuara nga uji si dhe mënyra e dëmshpërblimit. Megjithëse një pjesë e mirë e tyre u janë drejtuar dyerve të shtabeve të emergjencave, nuk kanë marrë një përgjigje të saktë se kur mund të fillojnë nga puna komisionet e verifikimit të dëmeve. Në lidhje me këtë çështje drejtues vendorë të qarkut Shkodër bëjnë të ditur se janë në pritje të vendimeve që do të nxjerrë qeveria, në lidhje me ndarjen e anëtarëve të komisionit të përcaktimit të dëmeve si dhe të mënyrës së dëmshpërblimit.Ndonëse niveli u ujit ka pësuar ulje të konsiderueshme, ai vazhdon të jetë prezent në disa zona, si në Obot, një pjesë të lagjes Livadhe, në Malin e Jushit apo dhe rrugën që lidh Shkodrën me Velipojën. E qetë cilësohet situata në rrugët hyrëse të qytetit të Shkodrës pas largimit të ujërave. Pas ndihmës që kanë dhënë efektivat e emergjencave civile të Maqedonisë, duke zhbllokuar kolektorët me anë të pompave thithëse, uji ësh të larguar nga pothuajse të gjitha segmentet e rrezikshme. Për t'i dhënë "dorën e fundit" këtij normaliteti të rrugëve kanë qenë zjarrfikësit e qytetit të Shkodrës, të cilët me pompa kanë bërë larjen e rrugëve nga papastërtitë e mbetura mbi to, si dhe dezinfektimin me detergjentë me qëllim që të eliminojnë mundësinë e përhapjes së ndonjë epidemie ndaj banorëve që kalojnë në ato segmente rrugore. Për rreth 2 orë mjetet e këtij reparti të cilat shfrytëzohen në situatë nomale për shuarjen e zjarreve, në një situatë të tillë kanë ndihmuar jo vetëm në largimin e ujërave nga sipërfaqet e rrugëve, por edhe në larjen dhe higjienizimin e tyre.