E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH, humbjet teknike arrijnë 80 milionë euro

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE) ka paraqitur dje në Kuvend raportin e saj vjetor për vitin 2007, duke përmendur disa problematika që shoqërojnë sektorin e energjisë elektrike. Të pranishëm në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese ishin kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, dhe drejtuesi i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Thelbi i debatit në komision, padyshim lidhej me gjendjen financiare të KESH-it, e cila në vitin që shkoi e pa veten në një situatë tepër të vështirë, si rrjedhojë e rritjes së madhe të importit të energjisë elektrike, ndikuar edhe nga rritja e tarifave në tregun ndërkombëtar. Sipas Nepravishtës, duke iu referuar raportit vjetor, KESH-i, përveç bilancit negativ si rrjedhojë e importit të paparashikueshëm, ka probleme me humbjet në rrjet, të shkaktuara nga lidhjet e dyfishta. Sipas tij, janë rreth 2 miliardë kilovat orë energji në vit, prej të cilave 1 miliard kilovat orë janë humbje jo teknike, që shkaktojnë një dëm ekonomik shumë të madh. "Vjedhja e energjisë elektrike është një krim shumë i rëndë ekonomik dhe nuk mund të përballohet vetëm nga KESH-i, pasi janë problem për gjithë shoqërinë, shtetin dhe qeverinë", vlerësoi kryetari i ERE-s, Nepravishta. Sipas tij, çdo vit, humbet nga vjedhjet e energjisë elektrike 1 miliard kilovat orë energji elektrike, janë të barabarta me 80 milionë euro. Edhe pse KESH ka bërë rreth 450 kallëzime penale, asnjë prej tyre nuk është zbatuar, duke treguar qartë neglizhencën e gjyqësorit.

Situata

Si rrjedhojë e thatësirës së madhe që shoqëroi vendin vitin e kaluar, KESH ka prodhuar më pak energji elektrike, e si pasojë, konsumatorët, ndryshe nga periudhat e mëparshme janë furnizuar 2.5 për qind më pak. Këtu përfshihen dhe bizneset, të cilat e kanë vuajtur më tepër, duke qenë se energjia elektrike përbën elementin bazë si kosto për prodhimin, apo shërbimin e një malli. Sipas Nepravishtës, nga mungesa energjisë elektrike për vitin 2007, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, impakti negativ për ekonominë e vendit rezultoi 1.1 euro për kilovat orë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›