E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMDLNJ: Gjykim të paanshëm për çështjen "Remzi Hoxha"

Gjyqi i nisur për zbardhjen e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha në Shqipëri dhe vënia nën akuzë të disa personave nuk ka kaluar në heshtje në Kosovë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Kosovë ka monitoruar fillimin e gjykimit të të akuzuarve për rastin "Remzi Hoxha" më 17.05.08 në Tiranë dhe njëherësh vlerëson si pozitive fillimin e këtij gjykimi dhe fton autoritetet zyrtare të Shqipërisë ta përshpejtojnë dinamikën e këtij gjykimi dhe t‘i shmangen ndikimeve politike në punën e gjyqësorit. Nëpërmjet një komunikate, KMDLNJ fton gjithashtu dhe autoritetet e Kosovës që të tregojnë më shumë interesim për zgjidhjen e rastit të Remzi Hoxhës. Duke iu referuar të pandehurve për rastin "Remzi Hoxha", KMDLNJ vlerëson shumë pozitivisht deklaratën e njërit të të akuzuarve, Avni Koldashi, i cili pranon se Remzi Hoxha është arrestuar nga SHIK-u i Shqipërisë (dega e Tiranës) me urdhër të Arben Sefgjinit, të akuzuarit kryesor në këtë proces.

"Më në fund hiqen dilemat nëse është marrë apo jo nga SHIK-u qytetari i Kosovës, Remzi Hoxha, në tetor të vitit 1995, këtë e dëshmon një i akuzuar, i implikuar edhe vetë në rastin e Remzi Hoxhës", citon KMDLNJ.
Agjencitë kosovare të lajmeve raportojnë se KMDLNJ, që nga dita e rrëmbimit të Remzi Hoxhës (tetor 1995) ka sensibilizuar opinionin në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe atë ndërkombëtar (organizatat për të drejtat e njeriut si: "Human Rights Watch", "Amnesty International", Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, si dhe Komitetin Ndërkombëtar të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut) për fillimin e hetimeve për zbardhjen e këtij rasti. Ka kontaktuar Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Z. Sali Berisha, dhe autoritetet e tjera, ndërsa më vonë edhe Avokatin e Popullit të Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›