E Diel, 1 Nëntor 2026

"Do t‘ju zhdukim familjarisht", zbulohet telefonata kërcënuese

Brenda disa orësh, Prokuroria shqiptare ka zbardhur telefonatën kërcënuese në shtëpinë e Xhevat Hanës, përfaqësuesit të organit të akuzës në procesin ndaj të pandehurve për rrëmbimin e "Remzi Hoxhës". "Do t‘ju zhdukim familjarisht. E dimë se ku jetoni!", mësohet se është dëgjuar përtej receptorit në momentin kur bashkëshortja e Hanës i është përgjigjur telefonatës. Kaq ka mjaftuar që familja e prokurorit, që heton drejtorin e Tatimeve, Arben Sefgjini, për dosjen "Hoxha" dhe ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, për dosjen "Durrës-Kukës" t‘i drejtohet Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal. Në deklarime të lira, bashkëshortja e prokurorit ka sqaruar situatën dhe fjalët kërcënuese, ndërsa tashmë është organi i procedimit penal që brenda 10 ditëve do të vendosë nëse do të fillojë ose jo një hetim të plotë të çështjes. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës thanë se kanë në dorë vetëm denoncimin, ndërsa janë urdhëruar oficerët e policisë, që mbulojnë zonën ku është shtëpia e prokurorit, të kryejnë patrullime të shpeshta.

Mbrojtje për prokurorin

Pas marrjes së mesazhit kërcënues, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar procedurat për mbrojtjen e prokurorit Xhevat Hana, duke i vendosur një trup badigardësh, të cilët do të ruajnë në çdo kohë përfaqësuesin e organit të akuzës. Ndërkaq, zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë saktësuar se i kanë kërkuar Ministrisë së Brendshme që familja e prokurorit Hana të merret në mbrojtje, duke i vendosur një eskortë në banesën ku jeton. Me këtë procedurë, sipas akuzës, do të merret zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve. Prokurori i Krimeve të Rënda, Xhevat Hana, u shfaq i rrethuar nga truprojat edhe dy javë më parë gjatë caktimit të masës së sigurisë, teksa kërkoi arrest shtëpiak për të pandehurit e dosjes "Remzi Hoxha". Duke lexuar akuzat ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Budjon Meçe, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, ai kishte në krah shtatë badigardë, të cilët ishin prezentë përgjatë gjithë seancës. Raste të ngjashme kur prokurorët janë shfaqur me makinat e blinduara dhe badigardë janë ato të prokurorëve që kishin bandën e Aldo Bares, dosjes së trafikut të raketave dhe të grupit të Lulzim Berishës.
"Më kanë kërcënuar"

Prokurori Xhevat Hana, të cilit iu besua hetimi për dy zyrtarë të lartë të shtetit Shqiptar, Arben Sefgjini dhe Lulzim Basha ka pranuar kërcënimin që ka marrë në banesën e tij, por nuk ka dhënë detaje, duke ua besuar organeve kompetente zbardhjen e këtij akti të paprecedentë për drejtësinë shqiptare. Në një komunikim telefonik me gazetën "Shqip", Hana ka pohuar se lajmet për kërcënimin e familjes së tij janë të vërteta dhe nuk dëshiron t‘i komentojë, duke preferuar që çështja të zbardhet sa më shpejt, duke parë rrjedhën e dosjes "Remzi Hoxha".

Karriera e prokurorit

Prokurori Xhevat Hana është transferuar në fillim të vitit 2008 nga Prokuroria e Përgjithshme në Prokurorinë për Krime të Rënda, në kuadër të reformës të ndërmarrë nga kryeprokurorja Ina Rama. Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, e kishte caktuar për hetimin e dosjes Durrës-Kukës dhe në momentin që është transferuar sapo kishte marrë në pyetje ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Transferimi i Hanës ka bërë një "bujë" të madhe në median e shkruar, ku nuk kanë munguar titujt "transferohet prokurori i Durrës-Kukës". Por menjëherë erdhi reagimi i akuzës qendrore, e cila saktësonte se pas kalimit të Hanës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ai është komanduar në vijimin e hetimeve për çështjen në fjalë. Për ironi të fatit, një nga dosjet e para që ka marrë në dorëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka qenë zhdukja e Remzi Hoxhës, ku akuzohej një tjetër zyrtar i shtetit shqiptar, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini. Pas disa muajsh, në përfundim të afateve të hetimit, grupi hetimor vendosi të dërgojë në gjykatë dosjen për rrëmbimin e tre personave nga ish-shikasit në vitin 1995. Megjithëse në momentin që dosja u dërgua në gjykatë nuk kishte asnjë fakt, lëvizjet e mëvonshme të grupit hetimor kanë siguruar dëshmi të vlefshme nga ku është konstatuar se Remzi Hoxha është rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1005 dhe urdhërues ishte Arben Sefgjini, në atë kohë zv/drejtori i SHIK-ut në Tiranë.

Policia

Në mbrojtje familja e prokurorit

Policia e Shtetit tha dje pasdite se do ta pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për marrjen në mbrojtje të familjes së prokurorit Xhevat Hana. Punonjës të repartit të quajtur "Brisku" do të shoqërojnë çdo pjesëtar të familjes Hana. "Në Policinë e Shtetit ka mbërritur kërkesa e organit të akuzës për mbrojtjen e prokurorit Xhevat Hana dhe familjes së tij, pas kërcënimeve. Pas mbledhjes është vendosur pranimi i kërkesës dhe caktimi i personave që do të ushtrojnë mbrojtjen", thanë burimet nga Policia e Shtetit.

"Prokurori" i zyrtarëve

Prokurori Xhevat Hana është transferuar në fillim të vitit 2008 nga Prokuroria e Përgjithshme në Prokurorinë për Krime të Rënda, në kuadër të reformës së ndërmarrë nga kryeprokurorja Ina Rama. Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, e kishte caktuar për hetimin e dosjes Durrës-Kukës dhe në momentin që është transferuar ka marrë në dorë një tjetër dosje me të akuzuar zyrtarë të lartë të shtetit


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›