Kronologjia, dita më e gjatë e politikës
Politika ka qenë tepër aktive ditën e djeshme. Për herë të parë u prek Kushtetuta pas 10 viteve të ekzistencës së saj, ndaj dhe shumë deputetë nuk kursyen deklaratat pohuese apo kundërshtuese, apo edhe protesta të organizuara nga organizata joqeveritare. Ndryshimet kushtetuese që prekin shumë nene në Kushtetutë kanë sjellë edhe përçarjet brenda të njëjtave grupe parlamentare. Brenda ditës u përça Grupi Parlamentar Demokrat, Grupi i Demokristianëve si dhe shumë deputetë të opozitës shprehën kërkesat e tyre.
Ora 11.30
Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, deklaroi i pari votën kundër ndryshimeve kushtetuese. Koçi tha se Rama dhe Berisha po e kthenin Kushtetutën në letër higjienike
Ora 11.30
Tre deputetë të Partisë Demokristiane, si dhe deputeti Nillokë Lesi shprehën se do të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese
Ora 12.00
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh se Grupi Parlamentar i PS-së vendosi unanimisht për të votuar pro këtyre ndryshimeve.
Ora 12.30
Deputeti i LSI-së, Spartak Braho paralajmëroi Referendum nëse do të miratoheshin ndryshimet kushtetuese
Ora 16.00
LSI i bën apel deputetëve të Kuvendit që të mos votojnë për ndryshimin e Kushtetutës. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se nuk duhet të legjitimohet atentati ndaj Kushtetutës
Ora 16.30
Përçahet edhe Partia Republikane. Vetëm dy deputetë, Arian Madhi dhe Hajrullah Paturi, deklarojnë se do të mbështesin kryetarin e PR-së për të votuar kundër ndryshimeve kushtetuese. Pjesa tjetër shpreh qëndrim aprovues ndaj ndryshimeve
Ora 17.00
Presidenti i Republikës i bën apel politikës që të mos ndryshojnë Kushtetutën
Ora 17.30
Aleatët e Partisë Demokratike kanë shkuar në selinë e Kryeministrisë, për të biseduar me kreun e qeverisë Sali Berisha në lidhje me ndryshimet që do të diskutohen në Kuvend
Ora 19.00
Mblidhet Grupi Parlamentar i PD-së. Mbledhja ka debate të ashpra për sistemin zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese
Ora 19.30
Lëvizja “Mjaft!” proteston përpara Kuvendit të Shqipërisë. Parulla e Mjaftit ka qenë: “Mos votoni diktaturën konsensuale”
Ora 20.00
Fillojnë diskutimet në seancë për ndryshimet kushtetuese
22 Prill 2008