E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i, remontet e energjisë do të vazhdojnë deri në shtator



Operatori i Sistemit të Shpërndarjes deklaroi se gjysma e Shqipërisë do të vuajë nga kufizimet e shkaktuara nga remontet gjatë ditëve të ardhshme, në një kohë që remontet do të vijojnë deri në shtator. Zonat e prekura nga remontet do të vijojnë të vuajnë një deri në dy orë në ditë kufizime. Qeveria, në planin e emergjencës për sektorin e energjisë elektrike, ka paralajmëruar se kufizimet këtë vit do të jenë rreth 250 GWh, gjë që përbën rreth 4 për qind të nivelit të konsumit. Që nga viti 2001, qeveritë e ndryshme eksperimentuan “kufizimet për efekt financiar” në Shqipëri. Kjo metodë zakonisht i heq furnizimin me drita zonave që kanë normë të ulët faturimi dhe shlyerje faturash dhe e dërgon energjinë në zonat ku ka norma më të larta arkëtimesh. Në vitet 2003 dhe 2004, kjo metodë solli përmirësime të dukshme në situatën financiare të KESH-it. Sipas këtij të fundit, bizneset janë abuzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Drejtori i Policisë Elektrike, Sabri Lani, bën të ditur se për shkak të kostos së madhe që zë energjia në ciklin e prodhimit, një pjesë e subjekteve private bëjnë lidhje të paligjshme në rrjet, duke vjedhur energjinë, me qëllim që të mos paguajnë faturat. Ndërsa konsumatorët familjarë rezultojnë problematikë në zonat informale. Drejtuesit e Policisë Elektrike bëjnë të ditur se edhe pse situata është përmirësuar kundrejt një viti më parë, abuzimet me rrjetin elektrik vazhdojnë të jenë prezente. Sipas tyre, vetëm privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do ta zgjidhte përfundimisht këtë problem. Javët e fundit, Policia Elektrike e ka përqendruar vëmendjen e saj në zonat turistike, për të evidentuar konsumatorët që abuzojnë. Kjo për shkak të fluksit të madh të turistëve, por edhe aktivizimit të bizneseve.

BSH-ja publikon për shitje 19.5 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje për shitje me ankand 19.5 miliard lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 16 korrik, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12 dhe 6-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në 16.07.2009 dhe 15.01.2009. Nga totali prej 19.5 miliardë lekësh, 12.7 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 12-mujor dhe 6.7 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 6-mujor.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›