E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat, komisionet parlamentare diskutojnë ndryshime te taksat kombëtare



Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të ardhurat që do të mblidhen nga taksa e qarkullimit të automjeteve nuk do të shkojnë vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në arkën e bashkive dhe komunave. Ky është njëri nga ndryshimet e parashikuara në ligjin “Për taksat kombëtare”, që është miratuar në parim nga deputetët në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Zëvendësministri i Financave, Florian Mima, i pranishëm në mbledhjen e këtij komisioni, shpjegoi se "taksa e makinave nuk është gjë tjetër veçse një bashkim mekanik i dy taksave ekzistuese, i regjistrimit të automjeteve dhe asaj të qarkullimit. Të dyja bashkohen dhe pasi vilen nga pushteti qendror nëpërmjet agjentit të tij, ndahet në raportin 40 për qind pushtetit lokal dhe 60 për qind pushtetit qendror". Ky operacion, tha Mima, çon në xhepat e pushtetit lokal rreth 2.1 miliardë lekë në vit. Drafti Për Taksat Kombëtare parashikon edhe reduktimin e tyre nga 21 në 6, me qëllim eliminimin e barrierave administrative. “Taksat që do të vazhdojnë të jenë kombëtare janë taksa portuale, ajo për regjistrimin e automjeteve, taksa e mjedisit, taksa e rentës minerale, ajo e akteve dhe pullës, si dhe taksa për regjistrimin e lojërave të fatit”, - tha Mima.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›