E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndizet” sezoni, bashkë me fluksin e turistëve rriten dhe investimet në imobiliare

Deri tani kanë hyrë në vend mbi 40 mijë turistë

Ervin Koçi

Sezoni turistik në vend duket se ka hyrë tashmë në fazën e tij më interesante. Bashkë me pushuesit vendas që po lëvizin nga qytetet rezidenciale drejt zonave turistike, ka nisur edhe fluksi i emigrantëve që e kanë kthyer tashmë në traditë kalimin e pushimeve në vend. Bashkangjitur këtij fluksi, dyndje ka pasur edhe ardhja e turistëve nga Kosova, Maqedonia, por edhe nga Mali i Zi. Gjatë javës së fundit fluksi i hyrjeve si nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, i pasuar nga ai nga Kosova dhe nga vendet e tjera të Europës Perëndimore, ka ardhur në rritje. Statistikat nga doganat e Durrësit, Rinasit, Kakavijës, Kapshticës dhe pikat kufitare me Kosovën e Maqedoninë, flasin për një fluks në rritje të të ardhurve që i drejtohen kryesisht zonave bregdetare të vendit tonë. Numri i të ardhurve deri tani i ka kaluar 40 mijë turistë, dhe pritet që në ditët në vijim ai të shtohet ndjeshëm. Bashkë me turistët me origjinë shqiptare dhe emigrantët, këtë vit kanë nisur të hyjnë në vendin tonë edhe grupe turistësh nga Britania e Madhe, Holanda, Gjermania, Rusia, Franca, SHBA-të, si dhe nga vende që njihen për një turizëm jo të vogël si Italia, Kroacia dhe Mali i Zi. Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit dhe agjencitë turistike kryesore në Tiranë, turistët përveç frekuentimit në vendeve më piktoreske të vendit tonë, kanë qenë të interesuar edhe për të kryer blerje pasurish të patundshme dhe gjëra të tjera në vendin tonë.

Blerjet e të huajve

Blerjet nga të huajt në vende bregdetare apo edhe në qendra të zhvilluara të kryeqytetit, janë rritur sidomos gjatë këtij viti. Disa prej agjencive imobiliare më të njohura të kryeqytetit, që kanë edhe filialet e tyre nëpër qytet kryesore të vendit, njoftojnë për një sukses këtë vit në lidhje me blerjet nga ana e turistëve të huaj. Përveç blerësve nga Kosova dhe shqiptarëve të Maqedonisë apo dhe emigrantët, të cilët priren në blerjen e banesave kryesisht në zonat turistike apo në Tiranë, këtë vit kanë qenë edhe shumë shtetas të huaj që kanë investuar në tregun imobiliar në vend. Gjithnjë edhe më shumë në faqet e internetit të agjencive imobiliare shqiptare, shihen oferta për ndërtime në pjesë të ndryshme të vendit dhe për blerjet nga të huajt. Fenomeni i blerjeve të banesave, ambienteve tregtare, apo kërkesa për toka në zona turistike etj., ka nisur që të hapet shumë në vend, në një kohë që ky është një fenomen i përjetuar nga fqinjët tanë. Futja në këto tregje e investitorëve të huaj, bëri që çmimet të pësonin një rritje të shpejtë këtë vit.

Tregu imobiliar

Investimi i parave në banesa dhe ambiente tregtare mbetet nga më fitimprurësit ndër vitet e fundit. Një investim i tillë ka paraqitur kthime të larta veçanërisht përsa i përket kryeqytetit, por edhe zonave të tjera që kanë një infrastrukturë të ngritur. Gjatë 5 viteve të fundit, sipas të dhënave zyrtare çmimi i një banese minimalisht është dyfishuar. Por nga të dhënat në terren, rritja është edhe më e madhe. Mesatarisht, çmimet e banesave rriten 25 për qind në vit. Gjatë vitit 2007 dhe pjesës së parë të vitit 2008 është vënë re një fenomen që tashmë po konsolidohet në tregun e banesave, kryesisht në kryeqytet. Çmimet e banesave në periferi nuk kanë më rritjen e dikurshme, por kanë ruajtur njëfarë stabiliteti. Ndërsa në pjesët më të kërkuara të Tiranës, trendi i shpejtë i rritjes së çmimeve vazhdon. Kështu, të gjithë ata që kanë blerë një shtëpi 54 vjet më parë, tashmë kanë një pasuri që ka dyfishuar vlerën e saj në treg.

Shifrat zyrtare

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve të banesave, matur nga indeksi i çmimeve të banesave të llogaritur nga ky institucion, ka dhënë shenjat e para të ngadalësimit gjatë muajve të parë të vitit 2008, pas një periudhe trevjeçare me ritme shumë të larta rritjeje. Rritja vjetore e indeksit ka shënuar rënie të theksuar në tremujorin e parë të vitit 2008 (rreth 0.5%) pas një norme vjetore prej rreth 17%, në tremujorin e katërt të vitit 2007. Ndryshimi i këtij indeksi nga tremujori i katërt i vitit të kaluar ishte 14.4%. Kjo normë përbën dhe rënien tremujore më të theksuar që nga fillimi i vitit 1998. Zbutja e ritmit të rritjes të çmimeve të shitjes mund të ketë ardhur si pasojë e rritjes së numrit të lejeve të ndërtimit, e cila nënkupton një rritje të afërt të ofertës së banesave. Zhvillimet në kostot e ndërtimit kanë ndikuar pak në zhvillimet e çmimeve të banesave, pasi indeksi i kushtimit të ndërtimit paraqitet me një rritje konstante rrotull vlerës 2%, që prej tremujorit të katërt të vitit 2004.

Turizmi, pushuesit kosovarë dynden në Morinë

Rritet fluksi i pushuesve kosovarë që preferojnë që këto ditë të nxehta vere t'i kalojnë përgjatë bregdetit shqiptar. Burime nga Dogana e Morinës në Kukës, dje kanë bërë me dije se gjatë fundjavës kanë hyrë në pikat e kalimit kufitar të këtij qarku rreth 7 mijë vetë, të cilëve u janë krijuar lehtësira në doganat pritëse. "Nuk kemi pasur asnjë problem apo vonesa në doganën e Morinës. Jemi të kënaqur nga shërbimet e kontrollit", - shprehen pushuesit kosovar. Destinacioni kryesor i turistëve që kanë nisur të vijnë nga Kosova mbeten kryesisht plazhet e Durrësit dhe Golemit, por këtë vit shumë prej tyre i janë drejtuar edhe Vlorës dhe Rivierës Joniane duke ndaluar edhe në Sarandë. Edhe pse rruga nga Morina deri në Kalimash është në ndërtim e sipër (segment i autostradës Durrës-Kukës) dhe paraqet mjaft vështirësi në udhëtim, pushuesit nga Kosova nuk hezitojnë të udhëtojnë për në bregdetin shqiptar. "Gjithë opinioni në Kosovë vlerëson shumë ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, ndaj nuk duam t'ia dimë për pluhurin në disa segmente të shkurtra që kalojmë. Është më mirë për ne që të pushojmë në Shqipëri dhe të kontribuojmë për realizimin e këtij projekti kaq të madh që bashkon shqiptarët”, pohojnë disa pushues nga Prizreni.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›