E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakersat e penduar tregojnë skemën e vjedhjes së 2 milionë eurove



Luan Kondi, Habjon Hasani

TIRANË – Vjedhja e shekullit po rezervon të tjera surpriza për prokurorinë. “Matrix 4” ka në radhët e të pandehurve dy të penduar, të cilët gjatë seancave të pyetjeve kanë rrëfyer gjithçka rreth skemës me të cilën hakersat kanë vjedhur plot 2 milionë euro. Burime të sigurta thanë për gazetën “Albania” se këta persona do të përdoren si dëshmitarë kuç të Akuzës dhe do të përfitojnë nga statusi i tyre si të penduar, pra “dëshmitarë të Drejtësisë”.
Hetimi
Grupi hetimor, i ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e çështjes “Matrix 4, po vijon seancat me pyetjen e të dyshuarve si autorë të vjedhjes së bankave përmes klonimit të kartave të kreditit. Sipas të njëjtave burimeve, gjatë këtyre seancave disa nga të dyshuarit kanë dhënë informacione të vlefshme për hetimin lidhur me mënyrën se si realizohej vjedhja e bankave, por edhe për sqarimin e pozicionit të tyre. Këta persona do t’u shkëputen 17 të tjerëve, që cilët u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë gjatë operacionit të koduar “Matrix 4”. Të pandehurit e këtij operacioni akuzohen për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove nga llogari të ndryshme bankare nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit “VIZA” dhe “MASTERCARD” me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas të dhënave hetimore, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore.
Skema e vjedhjes
Aventura e 17 hakersave shqiptarë që mundën të vidhnin miliarda lekë në banka mban emrin “Skimmer”. Sipas dëshmive të të penduarve, ishte pikërisht kjo aparaturë që ka funksionuar mirë për ta, ashtu si edhe në të tjera vjedhje të bankave jashtë Shqipërisë, madje edhe në shtete me siguri tejet të lartë në ruajtjen e tyre. Shqiptarët vjedhës zgjodhën pikërisht këtë metodë, pasi efikasiteti dhe shpejtësia e funksionimit janë të paimagjinueshme. Sipas dëshmive të dy prej hakersave specialistë, pasi kishin vendosur Skimmer-in në folenë e tij identike me foletë e bankomateve, ata mund të regjistronin informacionin sekret të kartës së kreditit. Porsa vendosej karta, sistemi “Skimmer” funksiononte njësoj si kompjuteri robot i bankës, dhe ka prirjen ta japë të gjithë informacionin. Pasi i gjithë sistemi “Skimmer” kishte mbledhur informacione nga kartat e klientëve, ai çmontohej dhe kreu i grupit ishte gati të vilte informacionin që gjendet në mikroqarkun e tij pirat. Të dhënat kalonin në kompjuter. Nga ky moment sistemi “Skimmer” ishte i gatshëm të riprodhonte të gjitha të dhënat e regjistruara që hidheshin në kompjuter. Pasi i merrnin këto të dhëna ata i ruanin në kompakt disqe. Marrja e informacionit, i cili ishte i plotë dhe i paraqitur me të gjitha detajet e mundshme, u krijonte mundësinë hakersave të futeshin në internet on-line dhe me të dhënat që dispononin falë sistemit “Skimmer”, hapnin llogaritë e “viktimave” të tyre. Nga ky moment ata blinin çfarë t’u tekej dhe po ashtu kalonin në llogari të tjera bankare shuma të mëdha parash.

Box

Çfarë është “Skimmer”-i
Skimer-i është një skedë e hollë elektronike, një mikroqark, i cili bën rolin e përkthyesit. Bën pikërisht këtë gjë: përkthen “bisedat” që bëhen mes kartës së klientit të bankës dhe kompjuterit të sistemit operativ bankar. Natyrisht që Skimmer-i mund ta kryejë përkthimin vetëm në rastet kur gjendet në “odën” ku kryhet bisedimi, pra në bankomatet e bankave. Kjo është dhe arsyeja që pas shpikjes së kësaj skede nga dy studentë rusë, bankat nuk gjetën më qetësi. Kur dy studentët shpikën në laboratorët e vjetruar të Moskës, në vitin 1999, Skimmer-in, u deshën tre vjet derisa një shok i tyre t’u kujtonte se fuqia e këtij mikroçipi i tejkalonte dhe muret e larta të sigurisë të gjigantëve bankarë. Kjo ide i joshi djemtë që e shpikën, e menjëherë Skimmer-i “u paketua” dhe u vendos në një mbajtëse plastike, identike me foletë e vendosjes së kartave të bankomateve.

Vjedhjet spektakolare me “Skimmer”

Pakkush po e kuptonte se çfarë po ndodhte kur në mbarë Europën u qindrafishuan denoncimet për zbrazjen e llogarive bankare. Madje policitë e shumë vendeve europiane po kuptonin më pak se gjithë të tjerët lidhur me atë që po ndodhte. Megjithatë, shërbimi sekret i bankave ishte me këmbë në tokë dhe nuk zgjati shumë dhe loja u kuptua. Deri sot bankat kanë adoptuar disa lajmërues elektronikë që mund të lokalizojnë hyrjen e hakersave me sistemin “Skimmer”, por në pjesën dërrmuese të rasteve ky model ka dështuar. Kështu që autoritetet në Europë nisën t’i njoftonin klientët se si të dallonin një sistem “Skimmer” të montuar në bankomat. Thuhet se në Austri po çelnin edhe disa kurse private për këtë punë. Megjithatë, deri sot rezulton se sistemi më i mirë për lokalizimin ngelen telekamerat, pasi ato mund të jenë të vetmet që mund të kapin hakersin teksa monton Skimmer-in e tij në bankomat duke klonuar të dhënat.

Organizata ruse që po trondit botën

Në rrjetin e internetit po luhet një lojë si ajo e maces me miun, që në çastin kur gjuetarët e teknologjisë së uebit i janë qepur pas një grupi kriminelësh virtualë të njohur si "Rrjeti i Biznesit Rus", ose RBN. Ndjekja në shkallë të gjerë nisi pak muaj më parë, kur RBN, - një rrjet kriminal rus që mendohet se fshihet pas pjesës më të madhe të vjedhjeve që kryhen përmes internetit, - hoqi dorë nga kompjuterët e instaluar në qytetin e Shën Pjetërburgut, për t‘u pajisur me server super të fuqishëm në Kinë. Por përpjekjet e bëra rreth dhjetë ditë më parë nga "Rrjeti i Biznesit Rus" për t‘u fshehur pas një kompanie italiane të krijuar pikërisht për këtë qëllim, dështuan. Vetëm një ditë pas zhvendosjes në shtëpinë e re, sitet e kontrolluara nga kjo organizatë, - e cila është e specializuar në vjedhjet e identitetit, anashkalimin e shërbimeve, vjedhjen e të dhënave personale (fishing) dhe pornografinë me të mitur, -u zhdukën si me magji nga interneti. Kjo mos do të thotë se RBN është zhdukur nga skena një herë e përgjithmonë? Dhe sa e rëndësishme është që rrjeti kriminal të zhduket? Sipas ekspertëve të “Team Cymru”, një grup hetuesish të specializuar në krimet e internetit, ky rrjet rus është përgjegjës për 60 për qind të krimeve që kryejnë keqbërësit kibernetikë në Europë. Ajo që ka ndodhur së fundi është që RBN, kundër dëshirës së anëtarëve të saj, nisi të tërhiqte vëmendjen e mediave amerikane, si edhe të disa specialistëve nga ky vend. Siç duket kjo është edhe arsyeja për të cilën u zhdukën papritmas nga qarkullimi. “Dritaret e tyre IP (të cilat bllokojnë hapjen e adresave), nuk ndeshen më në Rusi, por shohim të tjera nëpër gjithë vendet e botës, të cilat mendojnë se u përkasin përpjekjeve të tyre për të gjetur një vend tjetër ku të instalojnë ‘shërbimet’”, - tregon Pol Ferguson, i kompanisë së sigurisë së kompjuterëve, “Trend Micro”.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›