Në pritje, ndërhyrja për rehabilitimin
Ndërhyrja është bërë nga specialistët për të evituar dëmet e mundshme. Në pritje, ndërhyrja për rehabilitimin
GJIROKASTËR- Degradimi i tejskajshëm në të cilën ndodhet prej më shumë se 1 dekade, ka bërë që punonjësit e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës të ndërhyjnë gjatë ditës së djeshme për prishjen e pjesëve më të rrezikshme. Bëhet fjalë për shtëpinë rreth 300-vjeçare të Angonatëve, e cilësuar si kompleksi i banesave më i bukur e që më së miri personifikon qytetin e gurtë, por që fatkeqësisht prej shumë kohësh ka lëshuar sinjalin SOS dhe çdo ditë e më tepër po shkon drejt rrënimit të plotë. Megjithëse është ndër të parat objekte në listë që do të rikonstruktohet me fondin 1.2 milionë dollarë të akorduar nga qeveria e që administrohet prej organizatës botërore të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, UNESKO, ndërsa punimet priten të nisin së shpejti, përveçse po shkatërrohen vlerat e rralla, muret rrezikojnë të marrin edhe jetë njerëzish. Kjo pasi shtëpia e Angonatëve ndodhet në anë të rrugës kryesore që lidh lagjen 'Palorto" me Pazarin Karakteristik dhe rrjedhimisht është një aks mjaft i frekuentuar si nga banorët, po ashtu edhe nga turistët e huaj që përvit e më shumë i shtohen Gjirokastrës. Banorët e zonës, shpesh kanë bërë apele për marrjen e masave për të eleminuar problemet apo fatkeqësitë që mund të shkaktohen prej saj.
Në këtë mënyrë, rreziku evident ka bërë që në pritje të fillimit të punimeve, pjesët më të dëmtuara të rrëzohen nga specialistët e monumenteve. Aksioni ka nisur gjatë ditës së djeshme, por mësohet se nuk pengon degradimin e plotë të saj. Gjithsesi janë mbi 20 objekte monument kulture të kategorisë së parë dhe dhjetëra të tjera të kategorisë së dytë në qytetin e Gjirokastrës ato që ndodhen në rrezik shembjeje dhe tabelat që këto banesa kanë në hyrje janë thjesht tregues. Ndërsa 152 shtëpi mbi 400 -vjeçare, që e kanë zanafillën nga princesha Argjiro, po rrënohen gjithashtu dita-ditës. E vetmja shpresë për minimizimin e këtij shkatërrimi është fillimi sa më shpejt i punimeve për 20 objektet e përcaktuara, 7 prej të cilave të kategorisë së parë e që gjenden në situatë kritike.