Asnje kompromois ne kurriz te standarteve
Rama tha se procesi i bashkëjetesës në një koalicion nuk mund të kondicionojë diktatin e askujt
TIRANË- Pavarësisht rritjes së presionit nga të vegjlit, Partia Socialiste është e vendosur që të mos bëjë asnjë kompromis në kurriz të standardeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka rikonfirmuar edhe një herë se socialistët mbeten të vendosur që, së bashku edhe me partitë e tjera në vend, të realizojnë një reformë zgjedhore e cila të korrigjojë të gjitha defektet që janë vënë re gjatë zgjedhjeve të shkuara në Shqipëri. Megjithëse nuk ka përcaktuar tipin e sistemit zgjedhor që do të mbështesë PS, Rama ka bërë të qartë se, nuk heq dorë nga qëndrimi për të mbështetur kandidimin e partive politike me lista të mbyllura kandidatësh për deputet. "Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje me të ashtuquajturat listat e hapura, sepse janë të qarta konsekuencat dramatike të këtyre të ashtuquajturave lista të hapura në të gjitha proceset e mëparshme zgjedhore, siç është i qartë edhe rekomandimi i ODIHR-it. Ne nuk mund të lejojmë që të bëjmë kompromis, me një parim që e konsiderojmë të domosdoshëm",- u shpreh Rama. Përveç çështjes së listave që për kreun socialist mbetet e panegociueshme, socialistët mbeten të hapur për të diskutuar me aleatët dhe forcat e tjera politike çdo çështje që ka të bëjë me këtë reformë, duke filluar që nga sistemi, pragu etj. "Jemi të vendosur që ta bëjmë këtë reformë, së bashku me të gjitha forcat e interesuara",- theksoi Rama. Duke marrë shkas edhe nga debati që ka hapur LSI në lidhje me këtë çështje, kreu i selisë rozë i ka bërë thirrje partive të tjera politike që të ngrihen mbi interesat e pjesshme dhe të kontribuojnë të gjithë së bashku, për garantimin e një kodi të ri zgjedhor që do të siguronte votime të lira dhe të drejta. Në vijim të këtij qëndrimi ai ka siguruar aleatët e vet se nuk ka asnjë marrëveshje me PD-PS, përveç angazhimit të përbashkët të këtyre dy forcave, për të realizuar një reformë demokratike. "Ju siguroj, që jo vetëm nuk më komplekson asnjë situatë dhe asnjë sjellje demagogjike dhe abuzive lidhur me marrëveshjen PS-PD, por përkundrazi ne synojmë një marrëveshje të madhe të të gjitha forcave politike, ku sigurisht PS dhe PD janë boshtet e patjetërsueshme të dy anëve të spektrit politik për të garantuar integrimin e Shqipërisë në NATO",- u shpreh Rama, duke theksuar se, PS është krenare për rolin e liderit që ka marrë në këtë diskutim për reformën. Duke iu referuar akuzave që ka bërë ditët e fundit LSI, kundrejt lidershipit të PS-së, kreu i selisë rozë ka bërë të qartë se, PS nuk mund të vihet në diktatin e aleatëve të saj, për të shkelur mbi parimet demokratike dhe interesat e shqiptarëve. "Procesi i bashkëjetesës në një koalicion, nuk mund të kondicionojë diktatin e askujt brenda koalicionit në raport me të tjerët dhe për më tepër pastaj, PS nuk mund të vihet ne diktatin e askujt sepse është partia më e madhe sot në Shqipëri, përfaqëson shumicën e shqiptareve dhe shqiptarëve dhe mbron interesat e vendit në një proces historik",- tha Rama, duke vënë në dukje dhe një herë se dyert e PS-së për atë që ai e quan "miku Ilir Meta" mbeten të hapura. "Dyert tona janë dhe do të jenë të hapura për mikun tonë Ilir Meta dhe padyshim që unë uroj çdo ditë, që miku ynë dhe miku im Ilir Meta ta kuptojë se nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri",- tha Rama.