E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohen 4 mësuesit në Berat.

Pas verifikimit të 4 mësuesve me diploma false të "Aleksandër Xhuvanit", do të hetohen gjithë diplomat e mësuesisë
Pezullohen 4 mësuesit në Berat. Në tre vite, zbulohen 25 raste të përdorimit të diplomave false
BERAT-Është dashur nisja e hetimeve për katër mësues në rrethin e Skraparit, të akuzuar për diploma false, që Drejtoria Arsimore në Berat të deklarojë se do të hetohen të gjitha diplomat e arsimit të dala pas vitit 1997, në të gjithë qarkun. Në hetim do të jenë diplomat e kësaj periudhe në drejtoritë arsimore të tre rretheve, atij të Beratit, Kuçovës e Skraparit.
***
Policia e Beratit bëri të ditur dje nisjen e hetimeve për katër mësuesit, Shendet Qejvani, Maksim Nurellai, Lindita Mucaj dhe Valdete Ismailaj, të cilët akuzohen se kanë falsifikuar diplomën e shkollës së lartë, duke e përdorur më pas për përfitime personale. Sipas zyrës së Krimit Ekonomik të katër këta mësues kanë mundësuar nxjerrjen e një diplome nga Universiteti "Aleksandër Xhuvani", në Elbasan, gjatë vitit 1997. "Tashmë falsifikimi është konfirmuar dhe të katër personat do të jenë nën hetim në gjendje të lirë me akuzën "falsifikim të dokumenteve shkollore", akuzë kjo e bazuar në nenin 187 të Kodit Penal",- thanë burimet policore. Sipas hetimeve të para nga oficerët e policisë gjyqësore mësohet se Drejtoria Arsimore në Berat ka bërë me dije faktin që katër mësuesit janë pezulluar nga puna e tyre si mësues në shkollat e mesme të Çorovodës dhe Poliçanit.
***
Vetë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Berat, Yzedin Hima, bëri të ditur se ka qenë një urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme pranë Ministrisë së Arsimit, i cili ka vënë në lëvizje strukturat për të hetuar të gjitha diplomat e mësuesve të punësuar pas viteve 1997. Sipas tij, kjo do të bëhet sepse shumë prej diplomave të dala gjatë dhe pas këtij vitit kanë hyrë në arsim të falsifikuara, çka ka bërë që niveli i mësimdhënies të bjerë. Një fakt i tillë është konstatuar dhe pranuar edhe nga vetë prindërit, të cilët shumë herë kanë bërë vërejtje të hapura për nivelin e ulët të mësimdhënies. Sipas Himës, në bashkëpunim me zyrën e Krimit Ekonomik është bërë e mundur zbulimi i rreth 25 rasteve të përdorimit të diplomave false gjatë tre viteve të fundit në këtë qark dhe hetimet mësohet se do të vazhdojnë. Në lidhje me masat që do të merren për këta shkelës të ligjit Hima është shprehur se me këto probleme merren organet kompetente "Sapo dokumentet e hetimit të mbërrijnë në drejtorinë tonë do të merren masa ekstreme për secilin mësues që ka falsifikuar diplomën",- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›