E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH nis shkarmimet në Fierzë



nertila maho

KESH ka hapur dje portat e shkarkimit në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, për shkak se Fierza arriti nivelin maksimal 296 metra dhe prurjet ishin 1400 m3/s. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë një konference dha detaje lidhur me situatën në kaskadën e Drinit. “Nivelet kanë pësuar një rritje të ndjeshme, për shkak se prurjet kanë shkuar 1400 m3/sek. Tani janë ulur në 1000 m3/sek. Liqeni i Fierzës është në nivelin e 296.27 m. Në momentin që ka qenë 296 m, Sekretariati Teknik e ka diskutuar çështjen dhe ka vendosur që të fillojnë shkarkimet, deri në normalizimin e situatës”, u shpreh ministri. Ai theksoi se sipas rregullores, kur prurjet bien nën 700 m3/sek, atëherë shkarkimet ndalohen në të kundërt ato duhet të vazhdojnë. “Aktualisht niveli i Fierzës është rritur me 60 cm gjatë 24 orëve të fundit. Niveli në Koman është 174 m dhe është rritur me 50 cm. Edhe atje prurjet kanë qenë pothuajse mbi 1000 m3/sek. Në Vaun e Dejës, niveli është rreth 75 m, kur kufiri maksimal është 76 m. Për momentin, vendimi i Sekretariatit Teknik dhe Komisionit të Posaçëm është që nga liqeni i Fierzës të shkarkohen 500 m3/sek, nga Komani, 400 m3/s dhe në Vaun e Dejës 700 m3/sek”, konfirmoi kreu i Energjetikës. Lidhur me situatën e krijuar në kaskadën e Drinit, ministri Prifti u shpreh se janë njoftuar gjithë instancat, përfshi kabinetin e Kryeministrit, ministritë e linjës dhe pushtetin. “Nuk është situatë problematike, për sa i përket përmbytjeve. Nga informacioni që kemi nga terreni, nuk ka asnjë rrezik që të ketë sërish përmbytje në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës”, konfirmoi ai. Më tej, Prifti u ndal në situatën energjetike në vend të cilën e vlerësoi si pozitive. “Kjo situatë, nëse shikohet në aspektin energjetik, është shumë pozitive sepse ne sot në kaskadën e Drinit kemi 1.5 miliardë kwh rezervë dhe eksporti vetëm në muajt e fundit ka shkuar 1.3 miliard. Sot fillojmë të eksportojmë 15 milion kwh energji në ditë, gjë që s’ka ndodhur ndonjëherë” u shpreh ministri. Nëse i referohemi shkarkimeve në hidrocentrale, kjo është e disata herë që KESH hap portat.

Situata dje

Fierza

Prurjet 1000 m3/s
Niveli i liqenit 296.27 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 500 m3/s
Derdhjet turbina 470 m3/s
Derdhje gjithsej 970 m3/s

Komani

Prurjet anësore 280 m3/s
Prurjet nga Fierza 500 m3/s
Prurje gjithsej 780 m3/s
Niveli i liqenit 174 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 400 m3/s
Derdhje turbina 650 m3/s
Derdhje gjithsej 1050 m3/s

Vau i Dejës

Prurjet (anësore) 100 m3/s
Prurjet nga Komani 400 m3/s
Prurjet gjithsej 500 m3/s
Niveli i liqenit 75 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 700 m3/s
Derdhje turbina 500 m3/s
Derdhje gjithsej 1200 m3/s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›