E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu i parasë, BSH pakësoi ndërhyrjet në fund të 2009-ës



Banka e Shqipërisë ka ulur ritmin e ndërhyrjeve në tregun e parasë edhe gjatë tremujorit të fundit të 2009-ës, për injektimin e likuiditetit, ndërkohë që është tërhequr nga veprimet me bankat e nivelit të dytë. “Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 19.51 miliardë lekë në javë, si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim njëmujor dhe tremujor u përdorën në tre raste, mesatarisht 3.0 miliardë lekë për ankand dhe 4.1 miliardë lekë për ankand”, thuhet në raport. Gjatë dhjetorit, BSH organizoi një ankand për blerjen me të drejta të plota, nëpërmjet të cilit u injektuan 2.35 miliardë lekë, me qëllim rritjen e përhershme të likuiditetit. Tek instrumentet mbështetës gjatë tremujorit të katërt të 2009-ës, sipas raportit, vihet re një rënie e kredisë njëditore e cila gjeti një përdorim minimal në nivelin 10 milionë lekë, kurse depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë. Nëse i referohemi ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, Banka e Shqipërisë nuk bëri asnjë ndërhyrje në tregun e brendshëm dhe gjithashtu nuk kreu asnjë veprim me bankat e nivelit të dytë. Krejt e kundërta ka ndodhur me veprimet me institucionet e tjera, ku BSH ka vijuar shitjet dhe blerjet e valutës me Ministrinë e Financave. “Shitjet me Ministrinë e Financave gjatë tremujorit të katërt llogariten në 3.09 miliardë lekë, ndërsa vëllimi i blerjeve për këtë periudhë ishte 0.48 miliardë lekë”, thuhet në raport, duke përfunduar me blerjet e valutës nga institucionet e huaja, të cilat llogariten në 90.9 milionë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›