E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasja e Peqinit, aksidentale”



ELBASAN - Policia e Elbasanit rrëzon pistën e vrasjes së Peqinit, disa orë pas vdekjes së 37-vjeçarit, Artan Daja dhe plagosjes së fqinjit, Sami Hasa. Pas ekspertizës së kryer në vendngjarje, ka rezultuar se Daja ka humbur jetën aksidentalisht, duke pastruar një pistoletë. Ndërsa Hasa, me profesion mësues, i pranishëm në këtë skenë, ka tentuar të vrasë veten në kushtet e tronditjes së thellë psikike. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Elbasan, Daja dhe Hasa kanë qenë miq me njëri-tjetrin. Të dy ndodheshin pasditen e djeshme në shtëpinë e vëllait të Sami Hasës, i cili jeton në Itali. Ai ka ftuar dhe shokun e tij për të pastruar dy pistoleta tip TT, të cilat dyshohet se ishin në pronësi të 40-vjeçarit. Dyshimet kanë mbetur të tilla, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të Hasës, i cili mbrëmjen e së enjtes është transportuar drejt spitalit ushtarak. Kontrolli i imtësishëm në banesën ku u gjet viktima zbuloi dhe disa objekte, (për të pastruar armët), të cilat çuan policinë drejt pistës së vdekjes nga pakujdesia. Gjatë kohës kur Daja po pastronte armën e tij, ajo është shkrehur dhe plumbi i vetëm i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme babait të tre fëmijëve. Përballë kësaj pamjeje, Hasa, me armën që kishte në dorë ka tentuar të vrasë veten. Policia ka vendosur masën e arrestit për 40-vjeçarin, me akuzën e vetme, atë të armëmbajtjes pa leje. Artan Daja njihej dhe me emrin Erjon, fakt ky që po verifikohet nga policia. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›