KESH stakon prodhimin e energjise elektrike ne Fierze
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare vendos të stakojë agregatët në liqenin e Fierzës, duke pushuar kështu së prodhuari energji në këtë hidrocentral. Kjo është një praktikë, që ndiqet nga KESH, me qëllim shfrytëzimin e prurjeve anësore dhe ruajtjen e rezervës hidrike, në një kohë kur kuotat janë shumë të ulëta, për shkak të reshjeve të pakta. Sipas burimeve zyrtare nga Koorporata, mësohet se një praktikë e tillë shtrohet aktualisht e nevojshme. Burimet bëjnë të ditur se kjo gjë mundësohet edhe si pasojë e rënies së konsumit dhe nevojës më të vogël për energji nga ana e konsumatorëve. Tashmë, ndërprerja e prodhimit të energjisë po plotësohet me energjinë që importohet, e cila është në nivelin e 12 milionë kilovat orë. Ndërsa në vend po prodhohet në hidrocentralet e tjera, 5-6 milionë kilavot orë energji në ditë. Aktualisht konsumi i energjisë llogaritet të jetë deri në 18 milionë kilovat orë në ditë. Sipas burimeve nga KESH, në këtë formë është arritur të ruhet një rezervë e konsiderueshme ujore dhe niveli i liqenit në Fierzë të rritet me 9 metra. Kjo periudhë cilësohet si një periudhë tepër e thatë, ku prej shumë kohësh nuk kanë rënë reshje dhe si rrjedhojë niveli i Fierzës, sikurse edhe prurjet janë minimale.