KFOR: Pjesëtarët e TMK ende kandidatë për FSK
>Komanda e KFOR-it në Kosovë ka njoftuar se të gjithë kandidatët që nuk janë përzgjedhur, e të cilët i plotësojnë standardet minimale që kërkohen, akoma kanë mundësinë e përzgjedhjes për të shërbyer në Forcën e Sigurisë. Një qëndrim i tillë i Komandës së KFOR-it, i bërë publik përmes një komunikate me shkrim, ka pasuar fillimisht protestat e ish-pjesëtarëve të TMK-së, e më pas edhe një lloj solidarizimi me ta të institucioneve të Kosovës, të cilat e pranuan se kishin ndodhur edhe disa lëshime teknike në rastet e pranimit të pjesëtarëve të TMK-së në FSK.
Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë, u shpreh se vendimi i KFOR-it që të jepet edhe një mundësi për pjesëtarët e diskualifikuar të TMK-së, paraqet një lajm të mirë. Kjo mundësi, sipas tij, nënkupton që pjesëtarët e diskualifikuar do të përfshihen në FSK në rastet kur ndonjë prej pjesëtarëve aktualë të kësaj force, do të largohet për arsye të ndryshme dhe nuk do ti përballojë trajnimet, të cilat kanë filluar nga dita e djeshme dhe po zhvillohen nën mbikëqyrjen e NATO-s. Ndërkohë, zëdhënës i Këshillit protestues të ish-pjesëtarëve të TMK-së që nuk u pranuan në FSK, është shprehur se duhet të rishikohen edhe një herë edhe testet pranuese, pasi që parregullsitë, sipas tij, janë evidentuar dhe kjo është pranuar edhe nga vetë udhëheqësit e institucioneve vendore. Ai shprehet i bindur se shumë pjesëtarë të TMK-së kanë treguar aftësi të mjaftueshme që të jenë pjesë e FSK-së, por mospranimi i tyre në FSK kishte ndodhur për shkak të parregullsive. Sipas komunikatës me shkrim nga KFOR-i, të gjithë kandidatët që nuk janë përzgjedhur, e të cilët i plotësojnë standardet minimale që kërkohen, akoma kanë mundësinë e përzgjedhjes për të shërbyer në FSK. Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse kërkesat e pjesëtarëve të diskualifikuar të TMK-së janë plotësuar në masën e kënaqshme.