E Diel, 1 Nëntor 2026

KFOR-i gjerman zhbën bandat serbe, vë nën kontroll veriun e Kosovës. Kuvendi, rezolutë për mbështetjen e aksioneve të Qeverisë

28-07-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Thaçi: Dhuna në veri, skenar i Beogradit, Kosova do garantojë sovranitetin territorial


Reagon Qeveria shqiptare, Berisha: Shqetësim për dhunën e bandave serbe, mbështesim vendimet e qeverisë së Kosovës për garantimin e rendit kushtetues


KFOR merr kontrollin e kufirit me Serbinë   


Situata e tensionuar në Veriun e Kosovës ndjehen ende ndërsa mbetet e mbyllur dhe ura mbi lumin Ibër. Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se, sipas informacioneve  më të fundit nga terreni, gjendja në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri është në përgjithësi e qetë, por me tensione të herëpashershme. Që mbrëmë pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinje dhe në Bërnjak janë nën kontrollin e KFOR-i amerikan.


Kuvendi i Kosovës seancë të jashtëzakonshme


Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës miratoi sot një Rezolutë për situatën në veri të vendit. Rezoluta u votua me 89 vota "pro", ndërsa kundër saj ishin 8 deputetë. Me këtë rezolutë miratohet dhe mbështet puna për të ushtruar kontrollin në gjithë territorin e vendit.


Para votimit shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka lexuar pikat e rezolutës, duke kërkuar mbështetjen e plotë të ligjvënësve. “Kuvendi fuqizon të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin. Kuvendi mbështet Qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit. Kuvendi kërkon nga Qeveria që me mjetet e saj ligjore dhe kushtetuese të ruajë tërësinë territoriale. Kuvendi kërkon që të respektohen masat e reciprocitetet me Serbinë në të gjitha pikat doganore. Kuvendi fton bashkësinë ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e vendit në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin. Kuvendi i Kosovës fton qytetarët që t’i respektojnë vendimet e qeverisë dhe u bënë thirrje që pa asnjë dallim ta ruajnë qetësinë dhe rendin kushtetues”- tha ai.


Në debatin e sotëm në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kanë folur të gjithë shefat e grupeve parlamentare, transmeton Kosovapress. Në emër të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo parti i vlerëson si kriminale dhe të papranueshme veprimet e bandave kriminale serbe të nxitura nga Beogradi zyrtare.


Ai ka thënë se LDK-ja dënon djegien e pikës doganore dhe u bënë thirrje strukturave ndërkombëtare të sigurisë që të përmbushin mandatin e tyre për ruajtjen e sigurisë në tërë territorin e Kosovës. “LDK edhe njëherë shpreh mbështetjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit, për sundimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin, për luftimin e korrupsionit dhe kontrabandës”, ka thënë Beqiri, duke i shprehur ngushëllime familjes së policit të rënë në detyrë dhe duke ftuar qytetarët për ruajtjen e qetësisë.


Ndërkaq Glauk Konjufca nga Lëvizja "Vetëvendosje", ka rikujtuar se kjo lëvizje kishte kërkuar që në vitin 2008 ndërhyrjen me njësitet speciale në veri të vendit për të shtrirë autoritetin në këtë pjesë, por sipas tij, Qeveria i kishte cilësuar këto si nxitje për dhunë. Konjufca ka inkurajuar Qeverinë që ta kthejë kontrollin në pikat doganore, mirëpo ka vlerësuar se kryeministri Hashim Thaçi ka treguar se është “i etur” për sukses personal. Me këtë rast, Konjufca në emër të Vetëvendosjes ka propozuar që në bazë të nenit 131 të Kushtetutës, presidentja Atifete Jahjaga duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin, të ndërpritet zyrtarisht procesi i bisedimeve me Serbinë dhe të aktivizohen resurset e qytetarëve për mbrojtjen e vendit dhe të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë, me SHBA-në, shtetet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe me Turqinë për shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri. Ai, po ashtu, ka propozuar që Kosova të fillojë menjëherë bisedimet me Brukselin për përfundimin e misionit të EULEX-it në Kosovë, ose eventualisht të ketë mision mbështetës e jo ekzekutiv në Kosovë, ndërkaq ka thënë se Qeveria duhet të paraqesë në Kuvend strategjinë për marrjen e veriut të vendit. “Vetëm bashkimi, mobilizimi i gjithë qytetarëve dhe subjekteve për t’i mbështetur institucionet për ta mbrojtur Kosovën është rruga e vetme për ruajtjen e tërësisë territoriale. Nëse vazhdojmë me aktrimin për shqyrtimin e ligjit për verërat e duhanin, ne si Vetëvendosje paralajmërojmë se nuk do të jemi pjesë e kësaj maskarade”, ka thënë Konjufca.


Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka dhënë mbështetje për vendosjen e rendit dhe ligjit, por ndërkohë ka kritikuar Qeverinë, e cila flet për dialog me Serbinë dhe pikërisht me Borisllav Stefanoviqin, i cili i shtyri bandat serbe për djegien e pikës kufitare. “Kjo qeveri edhe më tej flet për dialogun, ndërsa në veriun e Kosovës nxitet dhuna pikërisht nga Borko Stefanoviq, ai me të cilin ka dialoguar dhe pretendon të dialogojë kjo qeveri. Kjo sjellje në këtë mënyrë ka ndikuar që të kemi këtë gjendje të tanishme në veriun e Kosovës. Konsiderojmë se duke pasur parasysh se kryeministri thotë se e kemi planin për të pasur rend dhe ligj në veriun e Kosovës, për të pasur sovranitet, ky plan duhet të përfundohet deri në detaje, sepse Kosova duhet të qeveriset, të administrohet dhe të jetë nën sistemin institucional të Republikës së Kosovës”, ka thënë Isufi.


Ligjvënësit kanë inkurajuar Qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ndërkaq ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ata që më së shumti kanë ngritur zërin duke kërkuar mobilizim të popullit dhe të institucioneve, si mënyrë e vetme sipas tyre, për të përshpejtuar fitoren.


Po ashtu, ligjvënësit kanë inkurajuar Qeverinë për masat e reciprocitetit me Serbinë, ndërkaq kanë ftuar popullin e Kosovës që t’i bojkotojë të gjitha produktet serbe. Partia e Pavarur Liberale, pjesëtare e Qeverisë, edhe pse ka theksuar se Qeveria nuk e kishte njoftuar për aksionin në veri, ka dënuar çfarëdo lloji të dhunës në Veri të Kosovës. Veprat e huliganëve dhe kriminelëve nuk i kontribuojnë paqes në Kosovë dhe shpresojmë që veprat e tyre të turpshme nuk do të nxisin asnjë lloj përshkallëzimi të dhunës në Kosovë. 


Reagon LDK: Çdo veprim kriminal i bandave serbe të marrë ndëshkim ligjor


Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndjekur me shqetësim të thellë ngjarjet në veri të vendit, ku është rrezikuar rëndë gjendja e sigurisë dhe ajo shpreh shqetësimin për këto zhvillime, thuhet në një deklaratë të LDK-së dërguar medieve. LDK i vlerëson kriminale dhe të papranueshme të gjitha veprimet e bandave serbe, veprime këto të nxitura nga institucionet e Serbisë dhe nga strukturat ilegale serbe në verdhe i dënon ashpër sulmin ndaj pikave kufitare në Veri dhe djegien e tyre nga bandat kriminale serbe. Lidhja Demokratike e Kosovës u bën thirrje strukturave ndërkombëtare të sigurisë, të pranishme në Kosovë, që të përmbushin mandatet që kanë për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës edhe më tej kërkon veprime energjike nga ana e këtyre forcave, për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë Veriun e Kosovës, me qëllim të normalizimit të jetës atje. Lidhja Demokratike e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës për durim dhe qetësi.


Reagon Qeveria shqiptare, Berisha: Shqetësim për dhunën e bandave serbe, mbështesim vendimet e qeverisë së Kosovës për garantimin e rendit kushtetues


Qeveria e Shqipërisë po ndjek me shqetësim provokimet  e rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve në kufirin verior të Republikës së Kosovës.


Duke mbështetur plotësisht të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për garantimin  e rendit kushtetues, integritetit dhe kontrollit të plotë të territorit të saj, qeveria e Republikës së Shqipërisë dënon aktet kriminale të falangave të serbomëdhenjve në vendkalimet në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasjen e oficerit të forcave speciale të Kosovës, djegien e ndërtesave të doganave dhe sulmin e djeshëm të armatosur ndaj njësive tokësore dhe ajrore të KFOR-it në vendngjarje, të gjitha këto të mbështetura, të frymëzuara, të paguara nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit.


Qeveria shqiptare deklaron se flakët e zjarrit dhe tymi në ndërtesat zyrtare në vendkalimet kufitare, në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasja e oficerit të forcave speciale të saj, sulmi i armatosur ndaj  njësive të KFOR-it në vendngjarje, dëshmojnë qartë se fantazma e Serbisë së madhe paraqet sërish rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.


Qeveria shqiptare mbështet plotësisht autoritetet dhe popullin e Kosovës, KFOR-in dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, për vendosmërinë  e tyre për garantimin e rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe vendosjen në kontroll të plotë  në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit të të gjitha vendkalimeve kufitare të kësaj Republike.


Ne jemi të bindur se çdo përpjekje për dhunim të integritetit, territorit dhe rendit kushtetues  të Republikës së Kosovës do të marrë përgjigjen e merituar.


Qeveria shqiptare, ndonëse është për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe ideve dhe kundër çdo lloj embargoje, mbështet plotësisht vendimin e qeverisë së Kosovës, bazuar në parimin e reciprocitetit, për ndalimin e hyrjes se mallrave serbe në Kosovë, si vendim tërësisht i imponuar nga embargoja disa vjeçare serbe për mallrat e Kosoves. 


Ne jemi të vendosur t’i japim Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe të tjera, për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj, me pasoja sa më të vogla.


Qeveria shqiptare i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë të marrin të gjitha masat për uljen e tensionit dhe krijimin e kushteve për suksesin e dialogut dhe negociatave, në kuadrin e procesit të Brukselit, si proces midis palëve të barabarta, tejet i rëndësishëm për vendet e tyre, paqen dhe stabilitetin në rajon.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›