E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i shton sigurinë në kufi me Maqedoninë

PRISHTINë- Pas incidenteve të fundit KOR-i u ka dërguar në ndihmë EULEX-it dhe Policisë së Kosovës njësitet e intervenimeve të shpejta në kufi me Maqedoninë. Sipas faqes on line të Radio Europa e Lirë, përfaqësuesit politikë në Prishtinë ftojnë Qeverinë dhe qytetarët e Maqedonisë të përmbahen, duke dërguar mesazhe se koha e konflikteve dhe përleshjeve të armatosura ka përfunduar.

Njësitë për intervenime të shpejta të KFOR-it i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, në përpjekje të menaxhimit të kufirit Kosovë - Maqedoni, pas incidenteve të armatosura me bilanc tragjik, që ndodhën ditët e fundit në brendi të kufirit maqedonas.

Zëdhënësi i KFOR-it, Mihael Këting, bën me dije se reagimi I KFOR-it erdhi pasi polica e Kosovës kishte njoftuar për incidente të armatosura në kufirin Kosovë-Maqedoni. “Ne do të qëndrojmë atje për aq kohë sa do të ketë nevojë për ne”, deklaroi zëdhënësi i KFOR-it, Mihael Këting.

Bilanci tragjik i incidenteve, sipas autoriteteve maqedonase, është katër persona të vdekur dhe disa të plagosur. Tri nga viktimat janë prezantuar se i përkasin shtetit të Maqedonisë, kurse një është shtetas kosovar.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›