E Shtunë, 31 Tetor 2026

KHSH: Media po “dhunon” hetimet për Nazmie Vishën

“KShH-së i bën përshtypje fakti se, megjithëse hetimi sapo ka filluar, në shtyp jepen të dhëna të hollësishme madje edhe të dhëna sensitive siç janë përmbajtja e sms-ve në celular dhe fotografi. KShH mendon se celularët, ashtu si dhe dokumente apo objekte të tjera materiale që kanë lidhje me çështjen, disponohen nga organet e ndjekjes penale dhe sipas rastit ato janë objekt hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor. Vlen të përmendet se, sipas nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore në përgjithësi janë sekrete dhe vetëm prokurori mund të lejojë me vendim të arsyetuar publikimin e tyre”, thuhet në reagim.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se synimi i dhënies së informacionit të publikut nga media është pozitiv megjithatë, në çështje të ndjeshme si rasti i “Nazmie Vishës” duhej vepruar me kujdes.

Gjithashtu, ky institucion shprehet se duhen verifikuar në mënyrë ligjore ajo çka shkruhet në media se vajza është rrëmbyer dhe përdhunuar që në moshën 14 vjeçare.  KShH ka ndjekur gjithashtu me vëmendje atë që është thënë në media, konkretisht deklaratën e fundit të familjarëve të viktimës se do të hakmerreshin ndaj familjes Visha për vrasjen e Fiqiri Muçës.

“KShH do të sugjeronte se, deklarata të tilla, të njohura dhe të bëra publike, të vlerësoheshin si tepër shqetësuese edhe për faktin, se këto bëhen në një kohë kur niveli i krimeve për motive gjakmarrjeje, kohët e fundit ka shënuar një farë rritjeje. Për KShH-në, deklarata të tilla përbëjnë sfidë ndaj shtetit dhe organeve të drejtësisë por që edhe mbarë shoqëria nuk mund të jetë indiferente. Parandalimi është një çështje serioze dhe mjaft e rëndësishme që kërkon një front unik”, thuhet më tej./Start/

                                                                                             2012-08-17 15:10
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›