E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me ujerat e zeza ne Lushnje

Jo më shumë se 100 metër larg spitalit të Lushnjes ujërat e zeza kalojnë përmes qendrave të banuara të lagjes "Xhevdet Nepravishta". Situata më alarmante është bërë këto ditë të nxehta të verës, pasi era e rëndë përhapet në të gjithë zonën. Prej vitesh ujërat e zeza që rrjedhin direkt nga spitali i Lushnjes derdhen në ambiente të hapura. Banorët thonë se e kanë të pamundur të ndryshojnë këtë skandal, pasi duhen investime për të mbyllur kanalin , ndërsa banesat e tyre ndodhen mbi kanal.

Që prej ndërtimit të spitalit rajonal të Lushnjes, për ujërat e zeza nuk ka pasur asnjë projekt.

Inspektoriati higjieno sanitar, ka dhënë alarmin duke paralajmëruar drejtuesit e pushtetit vendor dhe atë spitalor për rrezikun që mbart kjo situatë. Shefi i këtij inspektoriati Isuf Çela, thekson se keto ujëra janë rrezik i madh për shëndetin e popullatës.

Një vit e gjysmë më parë në rrugën “Sabri Kosturi”, bashkia kreu rikonstruksionin e rrugës, por askush nuk u shqetësua për disiplinimin e ujërave spitalore. Sot së bashku me to, në këtë kanal janë edhe banorët ata që shkarkojnë ujërat e zeza nga banesat e tyre, si dhe bizneset private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›