E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMATOGRAFI, “Mira”, filmi shqiptar merr “çmim nderi” në Festivalin e Torontos



Petrika GROSI
Pas prodhimit dhe premierës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri, filmi “Mira” i regjisorit të talentuar shqiptar Dhimitër Ismailaj është vlerësuar edhe në një prej festivaleve ku produksioni në fjalë ka marrë pjesë në Kanada. Regjisori pohon për gazetën “Albania” se kohët e fundit, filmi “Mira” është nderuar me “Honorable Mention” në festivalin e Filmit Commffest Community Film Festival, në Toronto. Producentë të filmit kanë qenë Dyrrachium Production, USA dhe Maku Productions, Shqipëri. Regjisori Ismailaj thotë: “Gjej rastin të falënderoj veçanërisht aktorët, me të cilët bashkëpunuam për këtë film të mrekullueshëm dhe depërtues në disa nga problemet sociale që ekzistojnë sot në Shqipëri.” Ky ishte dhe filmi i pestë i Dhimitër Ismailaj, i cili bën të ditur se sapo ka përfunduar xhirimet e një tjetër filmi në Kosovë dhe tashmë pritet që të hyjë së shpejti në procesin e montazhit në SHBA. Sa i takon filmit “Mira”, bëhet fjalë për një melodramë rreth një vajze të re të martuar, e cila pas një aksidenti të burrit të saj, duhet të gjejë medoemos dhjetë mijë dollarë për operacionin e të shoqit. Kjo natyrisht është shumë e vështirë, duke pasur parasysh edhe pengesat patriarkale të shoqërisë ku vajza jeton. Ndërkaq dëshirat e saj seksuale fillojnë të zgjohen, duke dalë ngadalë në sipërfaqe dhe duke e shtuar më tepër çoroditjen e saj. Kështu, Mira detyrohet dashur pa dashur që t’i hyjë një rruge mjaft të rrezikshme... Në lidhje me shtytjen për të realizuar filmin “Mira”, regjisori është shprehur se “...nga vëzhgimi i realitetit shqiptar dhe atij të Europës Lindore, duke njohur të kaluarën e kombit tonë si dhe duke parë të tashmen, nuk mund të mos ngacmohesha për ta analizuar këtë temë mbi degradimin shpirtëror të shoqërisë, atë degradim moral të shtresës së lartë e të politikës, që është dhe shkaktari kryesor i degradimit të shtresave të tjera të shoqërisë.” Kasti i këtij filmi përbëhet nga emra të njohur e më pak të njohur të skenës dhe ekranit si Rozana Radi, Neritan Liçaj, Tinka Kurti, Ilirjan Gjoni, Esmeralda Metka, Kliti Roshi, Alert Celoaliaj dhe Denis Bushjokaj. Skenari dhe regjia i përkasin Dhimitër Ismailajt, i cili është edhe bashkëproducent me studion e kineastit Artan Maku.

Xhuvani dhe Xhepa jashtë dramës “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”

Regjisori shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi, ka nisur provat

Pjesa e “Pulitzer”-it amerikan, Eduard Albi pritet të jetë gati në nëntor

Nuk i dijmë ende arsyet pse ka ndodhur ky ndryshim, por siç bënte të ditur dje ATSH-ja në një nga shkrimet e saj, Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa nuk do të jenë protagonistët e dramës “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”, e cila do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar. Në vend të tyre do të interpretojnë Eva Alikaj e Viktor Zhusti, gjithashtu, edhe aktorët Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Në mjediset e Teatrit Kombëtar prej pak kohësh kanë nisur provat për vënien në skenë të veprës “Kush ka Frikë nga Virxhinia Ulf” të dramaturgut amerikan Eduard Albit, e cila pritet të jetë gati në javën e parë të muajit nëntor. Kjo vepër vjen në skenë e shqipëruar nga Gjergj Peçi dhe në këndëvështrimin e regjisorit të ri Kushtrim Bekteshi, për të cilin ky është bashkëpunimi i parë me Teatrin Kombëtar Shqiptar. Për regjisorin Bekteshi, kjo dramë e Eduard Albit është një nga dramat më të mira të shekullit XX, pasi ajo flet për familjen e për gruan, për pozitat e saj, për konfliktet dhe iluzionet. Kjo pjesë është vënë në shumë skena të botës dhe dallohet për karakteret e saj specifike. Kushtrim Bekteshi është një regjisor i ri shqiptar nga Maqedonia dhe deri tani ka vënë në skenën maqedonase të Teatrit Kombëtar të Shkupit tetë shfaqje. Ato janë "Akuariumi" nga Refet Abazi (2006), "Labirinthet e kujtesës" nga Avni Halimi (2007) dhe "Vojceku" nga Georg Byhner (2008), "Figaro divorcohet" nga Odon von Horvath (2008) "Kurthi i vdekjes" nga Ira Levin (2009). Kjo pjesë e shkruar nga dramaturgu i njohur amerikan Eduard Albi, trajton një temë delikate familjare atë të çifteve pa fëmijë. Pas shkrimit të kësaj drame, autori është vlerësuar me çmimin Pulitzer. Vet Eduard Albi ka një ndjeshmëri të veçantë në lidhje me temën e trajtuar, pasi që në javën e dytë të jetës ai është birësuar nga një çift njujorkez, të cilët nuk mund të kishin fëmijë dhe i kanë dhënë atij gjithë përkushtimin e tyre. Asnjëherë Eduard Albi nuk është vënë në kërkim të prindërve të tij biologjikë duke i respektuar njerëzit që e kanë rritur. Prindërit e tij birësues gëzonin një reputacion të mirë në sferën artistike pasi ata kishin një kompani teatrore. Falë këtij biznesi familjar, Eduardi u apasionua me teatrin që në moshë të vogël, por asnjëherë nuk arriti të përmbushte kërkesat dhe pritshmëritë që kishin prindërit e tij për të. Pas shumë përpjekjesh, suksesi për të erdhi menjëherë pas vënies në skenë të dramës “Kush ka frikë nga Virxhia Ulf” në vitin 1962 dhe pas shumë debatesh e diskutimesh, ai u vlerësua me çmimin Pulitzer.

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›