E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kali i Trojës në Tiranë



Albert Gjoka

Çdo ditë e më shumë po zbulohet pjesa e nëndheshme e Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e vijës detare në Kanalin e Korfuzit. Ngutja e tejskajshme e Athinës ka të bëjë me projektin e gazsjellësit “South Stream”, i mbështetur fuqimisht nga Rusia dhe i konsideruar si konkurrenti i projektit të Nabucco-s, i cili mbështetet fuqimisht nga administrata amerikane. Ky projekt tashmë është përvijuar pasi janë mbyllur të gjitha detajet teknike dhe financiare. Viti 2010 shënon vetëm nisjen e punës për shtrirjen e tubacioneve nëpër det, të cilat deri në vitin 2014 do të çojnë gazin në Perëndim. Tashmë pritet vetëm garancia greke që do të marrë nga Tirana zyrtare, në mënyrë që rrjeti të kalojë përmes Kanalit të Korfuzit, me destinacion takën e “çizmes” italiane.

Në këtë skemë të madhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të përjashtuarit e mëdhenj janë shqiptarët, të cilët nuk përfitojnë nga asnjëri prej rrjeteve të mëdha të naftës dhe të gazit. E vetmja mundësi ishte AMBO, i cili tashmë është një kapitull thuajse i mbyllur për shkak të problemeve politike që nxorën tri vendet nëpër të cilat do të kalonte naftësjellësi: Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria. Por, Bullgaria është pika kyçe e një pjese të mirë të rrjeteve të naftës dhe gazit në gjithë Europën dhe më tej. Po ashtu, edhe Maqedonia po lëviz, duke përdorur, me aq fuqi sa ka në dispozicion, edhe “diplomacinë energjetike”. Përmes përçapjeve maqedonasit duket se do të sigurojnë ndonjë pikëz të vogël përmes degëzimeve dytësore nga rrjetet e mëdha që kalojnë, qoftë nga Greqia, qoftë nga Serbia. Ndërsa Shqipëria është ishulli i izoluar nga harta e projekteve energjetike ndërrajonale dhe ndërkontinentale.

Shansi i fundit mund të ishte bashkëpjesëmarrja me Greqinë në projektin “South Stream”, i parashikuar në planet e disa viteve më parë, por Athina zyrtare vendosi që tortën ta mbajë për vete, duke e përjashtuar Shqipërinë në mënyrë tinëzare. Në këtë lojë ajo përdori edhe koncesionet e vockla, për të cilat Tirana kishte nevojë në këtë periudhë, si firma për anëtarësimin në NATO apo ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Por, zbythja që na bëri fqinji ynë ende nuk ka përfunduar, pasi fati i saj varet nga ratifikimi i Marrëveshjes për Shelfin Kontinental nga deputetët e Kuvendit më 19 tetor. Në këtë periudhë gjërat po lëvizin në ajër. Greqia e konsideron Marrëveshjen të përfunduar, por gjërat po lëvizin vrullshëm nën dhè. Presioni i brendshëm që po ushtrohet nga disa organizata dhe grupe intelektualësh, si pasojë e shtysës patriotike, apo gjeopolitike, po shoqërohet edhe me lëvizje të mëtejshme, të cilat anojnë në kahun e kundërt. Një mesazh interesant ishte ai i presidentit rus, Dimitri Medvedev, lëshuar dy ditë më parë, gjatë dorëzimit të letrave kredenciale të përfaqësuesit tonë diplomatik në Moskë. Ai është shprehur qartësisht se dialogu shqiptaro-rus është një nga faktorët e rëndësishëm të stabilitetit në Ballkan. Ai ka vijuar më tej duke thënë se “ne duam të shtojmë bashkëpunimin me Shqipërinë, duke pasur parasysh interesat tona dhe qasjet pragmatiste”. Kjo është grishja më e qartë që ka dhënë Rusia për Shqipërinë, por është një mesazh që duhet të lexohet me lupë nga Tirana zyrtare.

Përtej kësaj situate gjërat nuk po ecin aq vaj edhe në Greqi. Humbja e krahut djathtist konservator në Greqi, i përfaqësuar nga dyshja Karamanlis-Bakojanis, të cilët kishin arritur të vinin në vijë interesa të mëdha gjeostrategjike jo vetëm brenda vendit, por edhe përtej saj, në drejtim të Lindjes, duke bashkuar më tej edhe disa fije brenda Bashkimit Europian, ka krijuar një pamje tjetër. Ardhja në pushtet e filo amerikanit Jorgo Papandreu dhe sinjalet e dhëna disa kohë më parë nga interesat e botës politike dhe financiare që rrethojnë Uashingtonin, tregojnë se erërat po fryjnë në një kënd të ndryshëm nga ai i tanishmi. Një gjë e tillë u duk vetëm pak javë më parë, në qëndrimin që mbajti gjatë një takimi elektoral në qytetin Aleksandropulis kryetari i PASOK-ut, Jorgo Papandreu. Ai shprehu qëndrimin kundër naftësjellësit që vjen nga Burgasi në qytetin grek. Një qëndrim i tillë u interpretua si antikombëtar nga ministri i Ekonomisë në qeverinë “Karamanlis”. Të njëjtën gjë tha edhe ministrja e Jashtme deri para pak ditësh, Dora Bakojanis, e cila u shpreh se pavarësisht qëndrimit kundër të kryetarit të Bashkisë së Burgasit për këtë projekt, qeveritë e Athinës dhe Budapestit kanë interesa të njëjta për gazsjellësin Burgas-Aleksandropulis.

Në këtë atmosferë të krijuar së jashtmi apo së brendshmi në Shqipëri, edhe kthimi, apo në rastin më të mirë, modifikimi i Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar do të dukej disi i arsyeshëm. Por, një hap i tillë do të ishte i guximshëm nëse nuk do të aktivizohej e ashtuquajtura “diplomacia energjetike” apo nëse Tirana zyrtare nuk do të merrte garanci të mëdha nga aleatët e saj gjeostrategjikë.

Hedhja e këtij hapi kaq të rëndësishëm do ta çonte për herë të parë Kalin nga Troja në Tiranë...

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›