E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, adoleshentët dhe gratë me shëndet të mirë, më të mbrojturit



Adoleshentët dhe gratë me shëndet të mirë janë dy kategoritë më pak të rrezikuara për t’u prekur nga gripi i derrit. Tashmë ky fakt është konfirmuar edhe nga disa studiues, të cilët kohët e fundit kanë realizuar një fushatë studimesh për virusin H1N1 në disa vende të botës. Nga kjo seri studimesh të reja rreth gripit të derrit H1N1 ka rezultuar se adoleshentët dhe gratë që gëzojnë shëndet relativisht të mirë është e vështirë të preken nga ky grip. Studimet e reja nga kërkimet në Kanada, Meksikë, Australi dhe Zelandën e Re u publikuan të hënën e kësaj jave në faqen e internetit të revistës së Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. Nga gjetjet, thonë studiuesit kanadez, dolën se shumica e viktimave të gripit të derrit në atë shtet kanë qenë të rinj dhe gra me probleme ekzistuese mjekësore. Studimet gjithashtu konfirmojnë se kushtet e atyre që ishin diagnostikuar me gripin e derrit ishin përkeqësuar shpejt sapo ishin dërguar në spital. Studiuesit në Zelandën e Re dhe Australi gjetën se pacientët të cilët ju nënshtruan trajtimeve intensive për futjen e oksigjenit në gjak patën shanse më të mëdha mbijetese. Studimet paralajmërojnë sistemin shëndetësor dhe punonjësit që të ndërtojnë një plan që të merret me mundësinë e mbipopullimit të spitaleve.
Vaksinat
I vetmi vend në botë që është pajisur deri tani me vaksinat kundër virusit H1N1 është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka siguruar vaksinat e para kundër virusit H1N1. Më shumë se 4 mijë njerëz kanë vdekur nga gripi A/H1N1 që prej muajit mars, kur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi u identifikua për herë të parë. Gati 75 për qind e viktimave ishin në Amerikën Veriore e Jugore. Para pak vitesh, zyrtarët e shëndetësisë ishin të shqetësuar se gripi i shpendëve do të ishte epidemia e ardhshme e madhe virale. Por cilat janë ndryshimet mes gripit A/H1N1 dhe gripit të shpendëve? Virusi H1N1 po përhapet me shpejtësi në hemisferën veriore, ndërkohë që numri i rasteve në hemisferën jugore është pakësuar. “H” dhe “N” janë dy lloj proteinash, që i përmbajnë viruset e gripave seriozë. Dan Rutz, zëdhënës i Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, thotë se shanset e vdekjes nga gripi A/H1N1 janë më pak se 2 për qind. “Për shumicën e njerëzve duket se është një sëmundje e lehtë”,- thotë Rutz.
Ndryshimi
Simptomat e gripit A/H1N1 janë të njëjta me gripin sezonal: kollë, dhimbje fyti dhe temperaturë. Viruset e gripit sezonal ndryshojnë me ngadalë, prandaj shumë njerëz zhvillojnë një farë rezistence. Gratë shtatzënë dhe njerëzit me sëmundje kronike janë veçanërisht të rrezikuara, madje sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, të paktën 100 njerëz janë shtruar në spital dhe rreth 20 veta kanë vdekur nga gripi A/H1N1. Ndërsa gripi A/H1N1 përhapet, spitalet kanë bërë plane për të përballuar mundësinë e një numri të madh pacientësh, shumica fëmijë.
Rreziku i vdekjes nga virusi H1N1 nuk është më i madh se nga gripi sezonal. Dan Rutz i Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se ndryshimi mes virusit H1N1 dhe virusit sezonal ka të bëjë me imunitetin e njeriut, që nuk është ekspozuar më parë me virusin H1N1 dhe nuk di si të mbrohet ndaj tij. Megjithëse fillimisht virusi u identifikua si gripi i derrave, nuk duket se ai përhapet nga derrat. Zoti Rutz thotë se zyrtarët kishin parashikuar për një farë kohe një epidemi gripi, por ata mendonin se ajo do të vinte nga Azia dhe jo Meksika.
Astrit Lulushi

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›