Faza e tretë, Qeveria miraton 600 kuota të reja pranimi për 17 degë
Jonida Tashi
Hapen procedurat e aplikimit për raundin e tretë të pranimeve në universitete. Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka shpallur zyrtarisht procedurat e aplikimit për fazën e tretë, duke publikuar edhe udhëzimin për plotësimin e kuotave të parealizuara, pas përfundimit të fazës së parë të regjistrimeve, në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në universitetet publike. Një lajm i mirë vjen për qindra maturantë që presin me padurim për të fituar shkollën e lartë në këtë fazë, pasi përveç 2257 vendeve të mbetura bosh nga faza e dytë, qeveria ka miratuar 600 kuota të reja pranimi për 17 degë studimi. Këto të fundit, duke pasur parasysh kapacitetin e universiteteve në infrastrukturë dhe staf pedagogjik janë shpërndarë vetëm në tre prej tyre si: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Durrësit dhe Universiteti i Korçës. Ndërsa 2257 kuotat e parealizuara nga faza e dytë, janë rishpërndarë në të gjitha universitetet publike të vendit.
Formulari A3
Ministria e Arsimit ka përcaktuar kandidatët që kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3, si dhe afatet për tërheqjen dhe dorëzimin e tij. MASH-i njofton se kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët: nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në universitetet publike në vitin akademik 2009-2010; janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në universitetet publike në vitin akademik 2009-2010; janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi. Kandidatët e përcaktuar si më sipër, duhet të paraqiten në Drejtoritë Rajonale ose Zyrat Arsimore (DAR/ZA) përkatëse deri në datë 16 tetor 2009, ora 18.00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3. Pas kësaj, formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA-të në datë 21 tetor 2009. Kandidatët pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26 tetor 2009.
Fituesit
Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30 tetor 2009, do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara. Një ditë më pas, universitetet publike, do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në universitetet publike. Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë; Për kandidatët e regjistruar më parë një degë, vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. MASH-i sqaron kandidatët që do të shpallen fitues gjatë kësaj faze se tarifa e regjistrimit prej 1500 lekë, e arkëtuar nga kandidati për regjistrimin përfundimtar të fazës së dytë të regjistrimeve në universitete do të kalojë me xhirim nga llogaria e Degës së Thesarit, ku universiteti ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të universitetit, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i fazës së tretë të regjistrimeve.
Kandidatët që kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3
Nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në universitetet publike në vitin akademik 2009-2010
Janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në universitetet publike në vitin akademik 2009-2010
Janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi
Afatet e shpërndarjes dhe plotësimit të formularit A3
Kandidatët duhet të paraqiten në Drejtoritë Rajonale ose Zyrat Arsimore (DAR/ZA) përkatëse deri në datë 16 tetor 2009, ora 18.00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3
Pas kësaj, formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA-të në datë 21 tetor 2009. Kandidatët pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26 tetor 2009
Në datën 30 tetor 2009 Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues
Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8.00 deri në orën 18.00
Rishpërndarja e kuotave të parealizuara
Rishpërndarja e 2257 kuotave të parealizuara në të gjitha universitetet publike është si më poshtë:
IAL Kuotat e reja, faza e tretë e regjistrimeve
Universiteti i Tiranës 267
Universiteti Politeknik i Tiranës 210
Universiteti Bujqësor i Tiranës 155
Universiteti i Durrësit 225
Universiteti i Korçës 260
Universiteti i Shkodrës 300
Universiteti i Elbasanit 380
Universiteti i Gjirokastrës 293
Universiteti i Vlorës 25
Akademia e Arteve 42
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve 100
GJITHSEJ 2257
Shpërndarja e 600 kuotave të reja për fazën e tretë
Qeveria ka miratuar edhe 17 programe studimi të reja sipas universiteteve dhe kuotave të tabelës së mëposhtme:
Programe te reja te formularit A3
UT Bioteknologji 80
UT Administrim dhe politikë sociale 50
UK Gjuhë Letërsi shqipe dhe frënge 50
UD Shkenca të Administrimit (profil Financë-Kontabilitet) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Financë-Bankë) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Menaxhim-Marketing) (Peshkopi) 30
UD Shkenca të Administrimit (profil Administrim-Biznesi) (Peshkopi) 30
UD Informatikë- Anglisht (Peshkopi) 30
UD Gjuhë-Letërsi - Anglisht (Peshkopi) 30
UD Matematikë - Fizikë (Peshkopi) 30
UD Matematikë - Informatikë (Peshkopi) 30
UD Biologji - Kimi (Peshkopi) 30
UD Psikologji - Sociologji (Peshkopi) 30
UD Procese formimi (Peshkopi) 30
UD Drejtësi (profil Asistent ligjor) (Peshkopi) (2-vjeçar) 30
UD Infermieri e përgjithshme ( 3 - vjeçare) (Peshkopi) 30
UD Informatikë (profil Rrjete kompjuterike) (Peshkopi) (2-vjeçar) 30
GJITHSEJ 600
14 Tetor 2009