E Diel, 1 Nëntor 2026

Një kujtim për të parën shkollë shqipe në fshatin Senican



Populli i Senicanit të komunës së Këlcyrës, si i gjithë populli shqiptar, kishte ëndëruar prej shekujsh për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe, si një kusht jetik dhe i domosdoshëm për të ruajtur identitetin dhe kombësinë e vet. Por, pushtimi 500-vjeçar i Perandorisë Osmane, jo vetëm që ua mohoj këtë dëshirë legjitime dhe jetësore, por pas fitores së Revolucionit grek të vitit 1820, u lejoi shovenistëve grekë të hapnin në Shqipërinë Jugore shkolla dhe kisha greke, dhe, për këtë, vërshuan një numër mësuesish nga vendi fqinjë. As qeveria zogiste nuk ua plotësoi këtë dëshirë legjitime dhe jetësore, jo vetëm senicanllinjve, por as shumë fshatrave të tjerë; përkundrazi, ajo mbylli edhe një sërë shkollash të ngritura me kontributin e vetë fshatarëve
Megjithatë, senicanllinjtë, të etur për gjuhën e shkruar shqipe, u shkolluan në shkolla të tjera të zonës si dhe jashtë atdheut, në emigracion. Rrugën e vërtetë për arsimimin në gjuhën e shkruar amtare, popullit shqiptar, pra edhe popullit të Sencanit, ia çeli Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pa përfunduar ende çlirimi i plotë i vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe tradhtarët e vendit, kur lufta ishte në kulmin e saj, udhëheqja e Luftës dha direktivën e organizimit të konferencave arsimore në qarqe për të shtruar detyrën dhe, vendosur për hapjen e shkollave dhe vazhdimin e luftës kundër analfabetizmit. Në konferencën e zhvillua në fshatin Lipë të rrethit të Përmetit, më datë 29 gusht deri më 2 shtator të vitit 1944, ku mori pjesë edhe Gani Nikollari nga fshati Senican, u vendos për hapjen e të parës shkollë për mësimin e gjuhës amtare. Ajo u ngrit në banesën e Gani Nikollarit. Më 1943, Ganiu u zgjodh sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit dhe anëtar i këshillit krahinor të Dëshnicës. Sapo u kthye nga konferenca ai iu përvesh punës, bashke me anëtarët e tjerë të Këshillit, Vesel Jaupllari, Demir Demçellari, Haziz Duçkallari, Xhafer Çankollari dhe organizatat e tjera shoqërore dhe bënë aksionin për plotësimin e pajisjeve të shkollës. Më 10 shtator 1944 ata bënë të mundur hapjen e të parës shkollë shqipe fillore me katër klasa. Aty u vendos që Gani Nikollari të jetë mësuesi i parë i kësaj shkolle. Të gjithë fshatarët sollën, ç’të kishin për të pajisur shkollën me orendi, mjete mësimore dhe tekste abetaresh, të cilat i kërkuan në Përmet, Këlcyrë, Korçë, Gjirokastër, Berat, Lushnjë etj..
Kjo u prit me gëzim të madh nga fshatarët, dhe me urimet më të mira për nismëtarin e saj, Gani Nikollari. Atë ditë kishte entuziazëm të papërshkruar nga i gjithë populli i Senicanit. Kjo ditë ka mbetur një moment i madh gëzimi. Në shkollë u tërhoqën, jo vetëm fëmijët e moshës shkollore, por edhe të rinj e të reja të moshës më madhore. Krahas alfabetit dhe gjuhës së shkruar shqipe, Ganiu u mësonte edhe aspekte të rëndësishme të historisë së Shqipërisë nxënësve të tij. Ai mbante lidhje të ngushta me mësues të njohur si Samit Elezin, Sotir Andonin, Halil Selenicën, Bajram Zoton, Islam Gremin, Sami Cafkën, Sami Çuçi, etj. Në vitin 1947 me nismën e Ganiut dhe kontributin e fshatarëve u ngrit godina e re e shkollës, ku Ganiu vazhdoj të shërbente si mësuesi saj. Senicani, në atë kohë kishte 24 shtëpi me 124 banorë dhe shkollën e vijuan 22 të rinj dhe të reja, nga të cilët 9 vajza. Pjesëmarrja e vajzave në shkollë ishte revolucion i madh psikologjik, sepse sipas zakoneve të vjetra të futura nga pushtimi turk, ato nuk lejoheshin jo më të vinin në shkollës por as të dilnin nga pragu i derës, vetëm apo më fytyrë zbuluar.
Bashkë me shkollën u çel dhe funksionoi edhe kursi kundër analfabetizmit. Aty mësuan shkrim e këndim dhjetëra fshatarë, duke i dhënë kështu fund analfabetizmit një plage të rëndë të së kaluarës. Më 1 shtator te vitit 1971 në Senican u çel edhe shkolla 8 vjeçare, e cila shpërbeu për të mësuar fëmijët e gjithë krahinës. Disa prej mësuesve si Qerim Jaupllari, Luftar Cankollari dhe Kujtim Zani japin mësim edhe sot e kësaj dite.
Gjatë 65 vjetëve të ekzistencës të shkollës së Senicanit u shkolluan rreth 600 nxënës. Prej bankave të saj kanë dalë kuadro të lartë, ushtarakë, mësues, doktorë, juristë, ekonomistë dhe inxhinierë, të njohur jo vetëm në Senician apo Përmet, por në të gjithë vendin. Për këto arritje, kanë meritën e tyre edhe një numër mësuesish nga fshatra të tjerë të rrethit që kanë punuar në shkollën e Senicanit, si: Sami Cafka, Tahir Hotova, Moisi Como, Kujtim Meta, Petrit Xhaferri, Andon Zyba, Kujtim Zanaj, Eqrem Sulci, Tomorr Caushi,Jaho Xhangolli Nuri Bundo etj. Më 10 shtator të këtij viti u kujtua në në fshatin e Senicianit 65-vjetori i çeljes së shkollës së parë, e cila mbetet porta e vogël dhe e madhe e dijes për qindra nxënës që dolën prej bankave të saj.

Shkrimi është botuar në gazetë me shkurtime. Ai është përgatitur nga Dr. Apostol Kotani, historian, Muharren Nikollari, Kujtim Muratllari, Nasipe Duçkallari, Mehmet Nikollari, Sabah Duçkallari, Xhevit Duçkallari, Sulo Nikollari, Luan Nikollari dhe Qerim Jaupllari

Nxënësit e parë të shkollës së Senicianit

1.Muharrem Nikollari 12.Adem Cankollari
2.Mehmet Nikollari 13.Ali Cankollari
3.Esat Muratllari 14.Malo Cankollari
4.Dituri Muratllari 15.Menduri Alikollari
5.Nasipe Duçkallari 16.Zylfo Alikollari
6.Hiqmet Duçkallari 17.Meto Manellari
7.Zenepe Shaqo Duçkallari 18.Servet Manellari
8.Xhevit Duçkallari 19. Skender Nikollari
9.Ali Duckallari 20.Bukuri Nikollari
10.Vasieko Demçellari 21.Hysen Hodollari
11.Sanie Demçellari 22.Mynevere Hodollari

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›