Ujërat e zeza, probleme në zonën e Profarmës në kryeqytet
Emanuela Sako
Banorët e zonës së Profarmës në kryeqytet, ankohen nga ujërat e zeza që kanë përfshirë gjithë zonën. Mbi 20 familje në rrugën “Ibrahim Brahja” të kësaj zone, kanë probleme me kanalizimet dhe pusetat e ujërave të zeza. Pas shiut të rrëmbyeshëm që ra dy net më parë, ujërat e zeza shpërthyen dhe dolën në sipërfaqe. Madje, shtëpitë e tyre u përfshinë nga ujërat e ndotura dhe nw ambientet e jashtme ka ende pellgje. Banorët thonë se sa herë që bie shi oborret e tyre dhe rrugët pranë shtëpive tejmbushen nga pellgje me ujëra të zeza, si pasojë e prishjes së kanalizimeve.
Problemi
Banorët shprehen se problemi është i vjetër, ku ka dy vjet që situata mbetet e njëjtë. Ata shprehen se janë drejtuar pranë Bashkisë së Tiranës për këtë çështje, por problemi nuk ka gjetur një zgjidhje konkrete. Sipas tyre, situata është alarmante, pasi mbijetesa me ujërat e zeza mund të bëhet shkak për një sërë infeksionesh. Më të predispozuar të prekur nga këto infeksione janë fëmijët e vegjël, të cilët janë më të pakujdesshëm gjatë kohës që luajnë në oborr. Pusetat e lagjes janë mbushur me lloj- lloj materialesh, të cilat bëjnë që ujërat të mos kalojnë nëpërmjet kanalizimeve. Një çështje tjetër është se mjaft shtëpi të reja janë ndërtuar sipër kolektorëve, çka bën që ndërhyrja të jetë më e komplikuar.
Situata
Ardhja e sezonit të dimrit nxjerr në sipërfaqe problemet që kanë me ujërat e zeza dhe mosfunksionimin e pusetave apo kanalizimeve në disa zona të Tiranës. Shirat e tepërt bëhen shkak për përmbytje të disa zonave të kryeqytetit, sidomos në ato zona ku ka ndërtime të reja. Gjatë vitit të kaluar mjaft zona u përmbytën nga ujërat e shiut, ku u shfaqën edhe problemet me ujërat e zeza. Pjesë e këtyre problemeve kanë qenë zona e “Don Boskos”, “Komuna e Parisit”, “Profarma” etj. Një ndër problemet që ka vënë në dukje Bashkia e Tiranës për përballimin e kësaj situate është vjedhja e vazhdueshme e hekurave të pusetave, të cilat sapo zëvendësohen vidhen. Në këtë mënyrë, ndodh bllokimi i tyre dhe si pasojë shkaktohen shpërthime të ujërave të zeza apo bllokimi i rrugëve nga uji i shiut.
14 Tetor 2009