Sekretet e harruara në zhveshtore

“Kurrë nuk kam qenë në ndonjë zhveshtore me kundërmim aq të keq. Gati e humba vetëdijen”, kishte thënë një futbollist i Dinamos së Zagrebit pas ndeshjes në udhëtim me Real Madridin në Ligën e Kampionëve.
Për të mos qenë e rastësishme, tregoi edhe një xhirim të publikuar nga mediet spanjolle. Futbollistët e Realit, në shtëpi ose mysafirë, bëjnë hallakamë të madhe para daljes së tyre në fushë.
Fillimisht kamerat e televizionit Cuatro e më pas edhe e përditshmja sportive spanjolle Marca kanë shpalosur atë që ishte lënë në brendi të zhveshtore së okupuar nga Real Madridi të martën mbrëma në Toralin, stadiumin e skuadrës Ponferrandina, ku ekipi mbretëror fitoi 2-0 në kuadër të Copa del Rey.
Përveç skemave interesante të trajnerit Jose Mourinho, kutive me pica, shisheve me ujë, aty gjendej edhe xheli për flokë. Sigurisht, kjo e fundit dihej se kujt i takonte - Cristiano Ronaldos. Por, ajo që ishte më e rëndësishme për vëmendjen e gazetarëve ishin skemat e Mourinhos, që kishte përgatitur kundër Ponferrandinës.
Ishin 15 faqe të dimensionit A4 që përmbanin emrat e futbollistëve, pozitën dhe gjatësinë e tyre. Të gjitha këto 15 faqe të skemave të Mourinhos janë publikuar në pesë faqet e para të edicionit të Marcas të enjten.
Aty mund të shihen detaje dhe ide taktike të Mourinhos, sidomos në ndërprerje. 4 futbollistë në sulm për një korner, 5 për goditje në favor në zonën ofensive e skema të tjera.
Në disa përshkruhej mbrojtja në rastin e goditjes nga këndi të kundërshtarit, si dhe katër të tjera në goditjet e lira, dy me top në pozicion qendror dhe dy të tjera në krah. Mourinho ishte bërë gati edhe për ndonjë penallti në favor dhe kishte përgatitur renditjen e futbollistëve përkrah ekzekutuesit që përmbante vetëm një emër, Ronaldo.
Sa u përket goditjeve nga këndi, ato në të djathtë do të duhej t’i ekzekutonte Kaka, nga e majta Sahin. Higuain hyn në shtyllën e dytë, Khedira drejt portierit, Albiol, Varane dhe Ronaldo janë në qendër të zonës. Sahin, Kaka ose Callejon gjenden jashtë zonës në rast të devijimit të topit.
Në një tjetër shembull, Ronaldo, Varane, Albiol, Khedira e Higuain, kjo është renditje nga shtylla e parë deri te ajo e dyta. Detaje interesante për publikun e gjerë, por edhe tifozët e Real Madridit, që mund të mos e dinë se çka ndodh brenda zhveshtoreve para dhe pas përfundimit të një takimi të gjigantit madrilen.