E Shtunë, 31 Tetor 2026

KIPRED propozon plan për veriun

KIPRED ka publikuar analizën politike “Vizioni Gjithëpërfshirës për Veriun: Mundësia e Fundit” në të cilën thuhet se çdo vonesë në zgjidhjen e çështjes së veriut do ta rrisë potencialin për konflikt brenda Kosovës, si dhe do të nxisë paqëndrueshmëri rajonale si pasojë e rritjes së ekstremizmit, duke shkaktuar kështu vonesa në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Drejtues të KIPRED-it kanë publikuar këtë analizë gjatë një konference për media, gjatë së cilës kanë thënë se mungesa e një plani serioz nga institucionet Kosovës si dhe mos përmbushja e mandatit të prezencës ndërkombëtare, gjegjësisht KFOR-it dhe EULEX-it në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri dhe një shpërfillje e tillë e pjesës veriore të Kosovës që nga paslufta ka bërë që ajo pjesë të kontrollohet nga ekstremistët serb të lidhur ngushtë me partitë më të mëdha të Serbisë.

Ky raport, po ashtu, shpalosë detajet e 4 pikave të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, të cilat, sipas tyre, po marrin përkrahje ndërkombëtare përderisa institucionet e Kosovës dhe prezenca ndërkombëtare mbesin pa ide për një zgjedhje të duhur.

“KIPRED propozon një plan të pa-negociueshëm i cili duhet të bazohet vetëm në dispozitat e ‘Planit të Ahtisarit’, të ketë parasysh perspektivën evropiane të Kosovës dhe stabilitetin rajonal, të përkrahet politikisht dhe funksionalisht nga BE-ja, ShBA-të dhe NATO-ja, dhe të shtojë besimin mes Qeverisë së Kosovës, serbëve në veri dhe Serbisë dhe të jetë në funksion të pajtimit ndëretnik në Kosovë”, thuhet në komunikatë të KIPRED-it.

Sipas tyre, plani duhet të zbatohet urgjentisht dhe në dy faze.

“Në fazën e parë (emergjente) që do të zgjaste 3 muaj, propozohet që (1) BE ta kushtëzoj Serbinë të vendosë para 9 marsit që nuk do t’i mbaj zgjedhjet lokale në veri; (2) themelimin e Këshillave Tranzitor Komunal për 4 komunat e veriut; (3) zbatimin e sundimit të ligjit duke ndërmarrë hapa konkretë; (4) Zbatimin e plotë të marrëveshjes ‘IBM’, tabelave të regjistrimit dhe marrëveshjen për lëvizjen e lirë (5) Krijimin e ‘Fondit Special Zhvillimor’ në 5 komunat në veri (Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Zubinpotok, Zveçan, Leposaviq), i cili edhe do të shërbej si model për rajonet tjera të pazhvilluara në Kosovë”, propozon KIPRED.

Kurse, faza e dytë apo e akomodimit, sipas kësaj analize që do të zgjaste 1 vit, gjatë së cilës, KIPRED propozon funksionalizimin e plotë të Ekipit Përgatitor Komunal të Mitrovicës së Veriu, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në komunat e veriut që do të njiheshin nga Beogradi më kushtëzimin e BE-së, operacionalizimin e rrjedhës transparente të fondeve pas përfshirjes në bashkëpunim kufitar të komunave, fillimi i zbatimit të pakos për zhvillim ekonomik për veri të Kosovës që do të përfshinte gjithashtu edhe komunën e Mitrovicës së Jugut si dhe krijimin e hapësirës për investime speciale i cili po ashtu do të shërbente si model për rajonet tjera të pazhvilluara të Kosovës. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›