Polemizojnë për SHIK-un

E kishte harruar akullin dhe borën në rrugët e kryeqytetit të Republikës së Kosovës, por nuk harroi së kritikuari Qeverinë aktuale.
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, nisi javën duke e kritikuar qeverisjen qendrore të Kosovës për keqqeverisje.
“Kosova po qeveriset keq nga qeveria aktuale, e prirë nga PDK-ja. Këtë e argumentojmë sepse jemi dëshmitarë të një gjendjeje shumë të rëndë ekonomike, me papunësi të madhe, me varfëri të lartë dhe probleme të mëdha në fushën e funksionimit të shtetit ligjor në Kosovë”, ka thënë Mustafa të hënën në një konferencë për media
.
Ai foli, ndër të tjera, edhe për veriun e Kosovës, duke e konsideruar si të lënë anash nga ekzekutivi.
“Institucionet kanë harruar veriun e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa theksoi se nuk do të pranohet asnjë status special për atë pjesë.
“Ne nuk pranojmë asnjë lloj statusi të veriut, i cili dallon prej territorit tjetër të vendit, përfshirë edhe statusin special. Bile preferojmë që ai mos të jetë pjesë e fjalorit tonë. Vendi duhet të qeveriset në mënyrë unike, duhet të qeveriset ashtu siç e ka parapa Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nuk pranojmë asnjë lloj asimetrie në qeverisjen e vendit”, ka thënë ai.
Sipas tij, qeveria ka vijuar pa asnjë platformë dhe pa agjendë, madje pa listë temash dhe pa rend dite në takimet dhe bisedimet me Serbinë për çështje shumë të ndjeshme, që prekin kushtetutën dhe sovranitetin e pranuar ndërkombëtar të Kosovës.
“Në këso situate, qeveria, nëpërmjet Grupit parlamentar dhe deputetëve të caktuar të PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës sajon tema bizare, me të cilat dëshiron të tërheqë vëmendjen nga problemet reale për të na mbushur mendjen se kjo çfarë po ndodh nuk është duke ndodhur në vendin tonë”, ka thënë i pari i LDK’së. Ai për më tepër i ka kërkuar Kryeministrit Thaçi që të ketë kujdes në takimin me Presidentin Tadic, të cilin vetë kreu i ekzekutivit e kishte proklamuar ditë më parë.
“Është çështje e vendimit të tij se a do të takohet apo jo, por në asnjë rast nuk do të pajtohemi që jo vetëm Thaçi, po asnjë personalitet të takohet në pozita jo të barabarta me dikë nga Serbia dhe të takohet për çështjet që prekin integritetin territorial, e prekin sovranitetin dhe e prekin rregullimin shtetëror të Kosovës”, ka thënë ai.
E, përveç qeverisjes qendrore, Mustafa nuk la pa komentuar edhe rreth çështjeve të brendshme të Partisë Demokratike, ndonëse pohoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në to. Duke folur rreth ambicieve të ish-shefit të SHIK’ut, Kadri Veselit, për të hyrë në politikë, Mustafa ka thënë se Kuvendi i Kosovës është vërshuar nga ish-pjesëtarë të atij shërbimi. “Ne e kemi thënë edhe më herët se nuk është mirë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të na mbushet me njerëz, të cilët kanë punuar në Shërbimin Informativ të Kosovës për para, ajo ka ndodhur dhe po shihni se çfarë janë sot pasojat dhe me çfarë po merret Kuvendi i Republikës së Kosovës në këtë situatë”, ka thënë Mustafa.
E përderisa ka kritikuar qeverisjen qendrore të Kosovës, nuk ka shpëtuar nga pyetjet për qeverisjen e tij lokale në Prishtinë. Gjatë konferencës është folur për gjendjen e rëndë nëpër rrugët dhe trotuaret e Prishtinës, pas të reshurave të javëve të fundit të borës. Ndërsa në lidhje me to, Mustafa çuditërisht tha se bora ka ardhur pa kërkesë.
“Sa i përket gjendjes në Prishtinë, janë të reshura të cilat kanë ndodh pa kërkesën dhe pa dëshirën tonë. Ne po bëjmë përpjekje që ta sanojmë situatën. Përgjegjësinë duhet ta marrim ne të gjithë, edhe komuna, edhe kompanitë publike, edhe qytetarët në mënyrë që kjo gjendje të përballohet”, ka thënë ai.
Krejt në fund, kreu i LDK’së tha se përkrah ekonominë e tregut, të parimeve dhe konceptit të partive popullore evropiane, i cili definon ekonominë e tregut të bazuar në konkurrencë, në ndërmarrësi, por edhe në vlerat e këtyre aktiviteteve, të cilat respektojnë dinjitetin human. Ndërsa ka theksuar se partia e tij përkrah privatizimin e sektorit të energjisë, por është kundër privatizimit të pasurive të Trepçës pa një studim të thellë.