E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtirej si e dashuruar dhe u vidhte paratë klientëve

Shtireshin si të dashuruara me persona të caktuar dhe më pas u vidhnin paratë. Ky ka qenë mekanizmi i dy femrave dhe një burri, të cilët dyshohen se kanë kryer këtë veprimtari prej kohësh. Por, ata janë identifikuar rastësisht pas denoncimit që ka bërë pronari i një lokali, i cili ka rënë pre e mashtrimit. Gjergj Pjetri ka denoncuar në polici, se një nga femrat, e cila është prezantuar me të nga kamerierja e lokalit, i kishte vjedhur rreth 100 mijë lekë. Burimet policore thanë se për këtë ngjarje kanë zbuluar se kamerierja Fatmira Mediu ishte e lidhur me hajduten, që mendohet se është një prostitutë, që ka edhe një ndërmjetës. Sipas policisë, në lidhje me këtë ngjarje u bë arrestimi i shtetases Fatmira Mediu, 44 vjeçe, lindur në Përmet dhe banuese në rrugën "Shyqyri Ishmi". Grupi hetimor detajoi se arrestimi i saj u bë, pasi dy ditë më parë, rreth orës 20.30, në Rrugën e Kavajës, në qendër te lokali ku ajo punon, i ka prezantuar pronarit Gjergj P., një vajzë të quajtur Leta. 44-vjeçari, lindur në Mirditë dhe banues në Valias, ka biseduar me Letën, e cila dyshohet nga policia se ushtron prostitucion me ndërmjetësi. Gjithashtu, në tavolinë është ulur edhe një shtetas i quajtur Sokol, i cili mendohet se kishte organizuar gjithë këtë veprimtari. Më pas, e arrestuara i ka kërkuar Gjergj P. një sasi lekësh për këtë lidhje. Ai i ka dhënë këto para dhe ka shkuar në banesën e tij me Letën. Pasi ata kanë kryer marrëdhënie seksuale, Leta është larguar, por ai ka vënë re se i kishte vjedhur 100 mijë lekë. Policia tha se dyshohet se këta persona kanë kryer këtë veprimtari prej kohësh, ndërkohë që po punohet për identifikimin e plotë dhe kapjen e Letës dhe Sokolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›