E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKRT: Ndëshkim piraterisë televizive



Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit intensifikon luftën kundër piraterisë televizive. Në një njoftim për shtyp, KKRT shprehet se nga monitorimet e bëra nga ky institucion janë vërejtur shkelje të ligjit nga operatorët kabllorë të cilat kanë transmetuar kanale televizive në mënyrë pirate. “Me shkresë zyrtare iu kërkua të gjithë subjekteve radiotelevizive që të plotësojnë dokumentacionet përkatëse për të drejtat e transmetimit dhe t’i depozitojnë ato pranë KKRT-së, sipas afateve të përcaktuara, me paralajmërimin se shkeljet në vazhdimësi do të ndëshkoheshin rreptësisht sipas sanksioneve të përcaktuara nga ligji”, - thuhet në njoftimin për shtyp. KRRT thotë më tej se janë inspektuar 30 operatorë ndaj të cilëve janë marrë 9 masa paralajmëruese si dhe 6 gjoba. “KKRT do të vazhdojë të ndjekë me prioritet maksimal monitorimin e respektimit të të drejtave të transmetimit nga të gjitha subjektet që operojnë në tregun mediatik, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetjen e duhur nga të gjitha strukturat shtetërore që janë të ngarkuara nga ligji për ekzekutimin e vendimeve të marra nga KKRT-ja”, - paralajmëroi Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›