E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon ambasadorët e Kinës, Indonezisë e Malit të Zi



Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në takime të veçanta ambasadorët e Kinës, Indonezisë dhe Malit të Zi. Meta shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me këto vende dhe në mënyrë të veçantë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Gjatë takimit me ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Wang Junglin, ministri Meta diskutoi për marrëdhëniet tradicionale miqësore mes dy vendeve, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe vizitën e ardhshme të zv.kryeministrit kinez në Tiranë. Gjatë takimit, z. Meta vlerësoi fazën e konsoliduar në të cilën kanë hyrë marrëdhëniet bilaterale. Ndërsa, ambasadori Junglin shprehu vlerësimin se marrëdhëniet kineze-shqiptare kanë njohur një zhvillim të madh gjatë viteve të fundit. Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Indonezisë, thellimi i bashkëpunimit ekonomik e kulturor dhe njohja e shtetit të Kosovës ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit që zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje me ambasadorin e Indonezisë në Shqipëri, me rezidencë në Sofje, Immanuel Robert Inkiriwang. Z. Meta vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për thellimin e mëtejshëm të tyre, duke inkurajuar në veçanti bashkëpunimin ekonomik e tregtar. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë solli në vëmendjen e palës indoneziane çështjen e pavarësisë së Kosovës, si një realitet të ri politik dhe stabilizues në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›