KLD, 11 vende pune magjistratëve
Fatos Mahmutaj
Merr fund ankthi i emërimeve për 10 magjistratët e diplomuar në verë të vitit të kaluar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e tij të djeshme, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pasi diskutoi propozimin e ri të Ministrit të Drejtësisë, vendosi të përcaktojë 11 vende vakante në Gjykata Fakti të shtatë rretheve të ndryshme. Plot dy muaj pas letrës së hapur, magjistratët iu drejtuan institucioneve qendrore në vend dhe organizmave ndërkombëtare që veprojnë në Tiranë, KLD shqyrtoi dje mundësinë e emërimit të tyre nëpër Gjykata Fakti. Kështu, në bazë të propozimeve të Ministrit të Drejtësisë Enkeljed Alibeaj. Kështu, u vendos që në Gjykatën e Korçës, Kavajës, Fierit dhe Krujës të hapeshin nga dy vende vakante, nisur nga ngarkesa e punës. Ndërsa në Gjykatat e Lushnjës, Shkodrës dhe Gjirokastrës, të hapej nga një vend vakant. Burime zyrtare të KLD-së pohuan dje se: "vendimmarrja u arrit pas një procesi të gjatë diskutimesh nga të gjithë anëtarët e Këshillit, fokusuar mbi situatën aktuale ligjore dhe nevojat konkrete për emërimin e gjyqtarëve nga Shkolla e Magjistraturës në Gjykata Fakti. Në vlerësim të plotë të të gjithë faktorëve të aktualitetit të sistemit gjyqësor dhe në ushtrim të kompetencave ligjore, KLD vendosi për këtë arsye, revokimin e pjesshëm të një vendimi të mëparshëm të tij, duke hequr Gjykatat e Kavajës dhe Krujës nga cilësimi si 'gjykata të karrierës'". Më tej KLD pohoi se këto vende, sipas një praktike tashmë të konsoliduar, do t'u komunikohen magjistratëve, dhe preferencat e tyre pritet të merren në konsideratë nga Këshilli para se propozimet konkrete për çdo kandidat, t'i paraqiten Presidentit Topi për emërimin e tyre përfundimtar. Këshilli pohoi se pasi diskutoi rëndësinë e projektvendimit të qeverisë për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve dhe sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre, vendosi ngritjen e një grupi pune për të relatuar në KLD sugjerimet e nevojshme ndaj këtij drafti. Po kështu pjesë e rendit të ditës ishte dhe shpallja e një vendi vakant në Gjykatën e Tiranës, si dhe caktimi i anëtares së KLD-së, Altina Xhoxhaj, në përbërje të Komisionit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare.
Vendet vakante
Korçë, 2 vende
Kavajë, 2 vende
Fier, 2 vende
Krujë, 2 vende
Lushnjë, 1 vend
Shkodër, 1 vend
Gjirokastër, 1 vend