Gruaja e Kosta Trebickës, gjyq për të administruar pasurinë e djalit
TIRANE - Brunela Trebicka, bashkëshortja e Kosta Trebickës, dëshmitarit të trafikut të armëve që humbi jetën në mënyrë të mistershme në shtator të vitit të kaluar, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për lëshimin e autorizimit, për të kryer veprime me pasurinë e të birit të mitur, Xhoi Trebicka. Pas hedhjes së shortit, padia i është dorëzuar gjykatëses Elona Gjoka, e cila pritet që në ditët në vazhdim të caktojë seancën e parë për shqyrtimin e saj. Në kërkesë-padi, Trebicka pohon se i biri, ashtu sikurse edhe ajo, dhe vajza e Trebickës nga martesa e parë, kanë trashëguar secili nga një të tretën e pasurisë së të ndjerit. Sipas saj, Kosta zotëronte dy kompani biznesi, për të cilat kishte marrë kredi bankare. Në mënyrë që të kryente veprimet me bankat, për pagimin e kësteve të huasë, Krasniqi i është drejtuar gjykatës së kryeqytetit, për lëshimin e autorizimit. Po kështu, me një vendim të mëparshëm, kjo gjykatë ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë për Trebickën, duke shpallur se tra-shëgimtarë ligjorë të radhës së parë janë: bashkëshortja Brunela Trebicka (Krasniqi); e bija Genta Trebicka dhe i biri Xhoi Trebicka, ku secili nga këta trashëgojnë nga një e treta pjesë të të gjithë pasurisë që ndodhet në emër të trashëgimlënësit Kosta Trebicka. Po kështu, gjykata është shprehur në vendimin e dëshmisë së trashëgimisë, se në të njëjtën masë siç iu kalojnë të drejtat, tra-shëgimtarëve do t'u kalojnë edhe detyrimet që rrjedhin nga kjo trashëgimi.
fa.ma.