E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla te Bregu i Lumit, përplasje Bashki-Ministri

 

Dy reagime të ndryshme për ngritjen e shkollës  në zonën e bregut të lumit në Tiranë. E para vjen nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa tjetra nga Bashkia e Tiranës. Palët hedhin akuza për abuzime. “Ministria e Ekonomisë denoncon manipulimin e të vërtetës nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përsa i përket truallit për ndërtimin e shkollës në objektet e Uzinës “Dinamo e Re””, thuhet në deklaratën për mediat të këtij dikasteri. Sipas zyrës së shtypit,  kthimi i pronës te pronari i ligjshëm është detyrim kushtetues dhe është prioritar për Qeverinë. “Në këtë kontekst, dosja e plotë për terrenin dhe objektet e “Uzinës Dinamo” është dërguar për shitje në Ministrinë e Financave, në korrik të vitit 2008, ndërsa kërkesa e Bashkisë së Tiranës ka ardhur 4 muaj më vonë. Në përgjigjen e dërguar përpara disa javëve, ne i kemi shpjeguar Bashkisë Tiranë që ky proces ka hyrë në procedurë shitjeje dhe nuk mund të kthehet mbrapsht. Kjo sepse e drejta e pronës është e drejtë parësore”, thuhet në deklaratë. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në  rastin konkret, zRama po manipulon qytetarët e Bregut të Lumit në emër të shkollës, duke e njohur fare mirë çështjen, si dhe pamundësinë për të proceduar më tej. Por ndërkaq, Bashkia e Tiranës akuzon qeverinë për abuzime me këtë truall. “Trualli i Bregut të Lumit është një fakt konkret, rast tipik i abuzimit të Sali Berishës me trojet që i kemi kërkuar për shkolla. Ringremë zërin për padrejtësinë e madhe sociale që po bën Sali Berisha ndaj komunitetit të Breg-Lumit dhe për dyfytyrësinë e pashembullt të këtij simboli të politikës së vjetër, që në televizion akuzon Bashkinë e Tiranës që nuk ndërton shkolla, kurse në zyrën e tij të punës tjetërson pronat dhe pasuritë e përbashkëta në prona private”, deklaroi dje nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalësi. Ai shtoi se të tjera fakte do të japim në ditët në vijim, mbi politikën që bllokon shkollat e reja, për të zgjeruar oborrin e kryeministrit, në kurriz të pronave publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›