KLD, Alibeaj: Të mblidhet asambleja për anëtarët e rinj
Procedurat për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese pasohen edhe nga kërkesa e ngjashme për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti Enkelejd Alibeaj, u ka bërë thirrje dje gjyqtarëve të mbledhin konferencën me synim zgjedhjen e 4 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. "Duket në këtë rast që ka një lloj vonese, së paku për dy prej anëtarëve, që ka shkuar në një vit. Ajo çfarë do të duhet, besoj unë, për të zgjidhur këtë lloj ngërçi, është që vetë asambleja e trupës gjyqësore të ndërgjegjësohet mbi këtë lloj mosrregullimi sipas urdhërimeve kushtetuese dhe të mblidhen", tha ai dje për mediat televizive. Alibeaj ka bërë të ditur se për zgjidhjen përfundimtare të këtyre problemeve, së shpejti në Parlament do të futet për diskutim një nismë, duke nënvizuar se boshllëku juridik në këtë drejtim nuk duhet të bëhet shkak për përçarjen e asamblesë së trupës gjyqësore. "Do të jetë një çështje që do të vendoset në kalendarin e punimeve të Parlamentit, por që kjo nuk është kurrsesi pengesë për të proceduar në zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së", vijoi Alibeaj. Situata e krijuar e ka sjellë KLD-në në një moment kur dy anëtarëve të tij u ka përfunduar mandati, çka sipas ish-ministrit të Drejtësisë e bën të jashtëligjshme praninë e tyre në këtë organ. "KLD është një derivat i vullnetit të asamblesë së gjyqtarëve. Nuk mund, nëse është e pranueshme, që disa anëtarë të KLD-së apo dikush tjetër jashtë KLD-së të kenë të drejtën të qortojnë sjelljen e trupës gjyqësore", tha ai. Në fund të muajit, 2 anëtarë të tjerë të KLD-së do të jenë pa mandate, gjë që dikton zgjidhjen e situatës së krijuar. Debati për pushtetin gjyqësor ka përfshirë së fundmi dy gjykatat më të larta në vend, të cilat kanë nevojën e zëvendësimit të disa anëtarëve të vet. Të njëjtin problem e vuan edhe KLD-ja, që është ekzekutivi i gjyqësorit. Mungesa e opozitës në Parlament i ka hequr procesit mundësinë e debatit politik, duke ngritur pikëpyetje mbi konsensusin ndaj anëtarëve të rinj.
#