E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 29 prill, Rasmussen vizitë në Tiranë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, viziton Shqipërinë në datën 29 prill, ku do të diskutojë me krerët e shtetit axhendën e re të zhvillimeve brenda Aleancës dhe sigurisë ndërkombëtare. Pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Tirana vizitohet për të parën herë nga kreu i organizatës politiko-ushtarake më të fuqishme në botë. Rasmussen, sipas axhendës, do të mbërrijë në Tiranë një javë më pas, ku do takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryeparlamentaren Jozefina Topalli, shefin e diplomacisë Ilir Meta dhe ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Kreu i NATO-s vjen në Shqipëri në një kohë kur vendi, tashmë anëtar i NATO-s, ka mjaft probleme të brendshme. Kështu, një ditë pas ardhjes së Rasmussen në kryeqytetin shqiptar, opozita do të nisë protestat, që sipas kreut socialist, Edi Rama, do të vazhdojnë gjatë, deri në realizimin e kërkesave. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke qenë personaliteti kryesor politik i organizatës, do t’i kërkojë një vendi anëtar që ta zgjidhë ngërçin politik me dialog.

Ndërkaq, zoti Rasmussen vjen në Shqipëri ndërkohë që selia qendrore e Aleancës së Atlantikut Verior ka pasur fërkime me krerët e Tiranës zyrtare në lidhje me ligjin mbi Shërbimin Informativ Shtetëror. është dashur telefonata e Sekretarit të Përgjithshëm me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, që mazhoranca të tërhiqte nga rendi i ditës së Parlamentin draftin e ripunuar. Projekti i miratuar në qeveri nuk u tërhoq edhe pas kërkesës së ambasadorëve kryesorë të Perëndimit në Tiranë dhe letrës së ardhur nga zyra e sigurisë së NATO-s, “NOS”. Në këtë letër, kjo zyrë i bënte me dije pikat ku drafti i SHISH shkelte pavarësinë e këtij institucioni, duke e vënë nën varësinë direkte të kreut të qeverisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›