KLD: Fituam pjesërisht betejën për projektligjin e gjyqësorit
• Projektligji për organizimin e pushtetit gjyqësor konsiderohet një betejë pjesërisht e fituar nga KLD-ja.Dje në një deklaratë publike, drejtoresha e juridike e KLD-së, Ana Shkëmbi, pohoi se në draftin për gjyqësorin u morën parasysh propozimet e Këshillit dhe jo qeverisë për sa i përket rekrutimit të gjyqtarëve. KLD-ja vlerësoi dje parashikimin në projektligj të rekrutimit të gjyqtarëve nga Shkolla e Magjistraturës apo nga radhët e gjyqësorit. Sipas KLD-së, ndryshe nga projekti i qeverisë, kjo nuk hermetizon gjyqësorin dhe vë standarde për përzgjedhjen e kandidatëve me përgatitje të lartë profesionale. KLD-ja vlerësoi dje qëndrimin e komisionit ndaj pozicionit të krerëve të gjykatave, nga të cilat, kriteret e përzgjedhjes, procedurat, koha e qëndrimit në detyrë dhe kompetencat, janë në përqasje me disa nga sugjerimet që janë paraqitur nga ana e Këshillit. Në këtë projektligj u vu në dukje përcaktimi i mandatit katër vjeçar për krerët e gjykatave, i cili plotëson vakumin aktual ligjor dhe që është në koherencë me shqetësimin disamujor të KLD-së si dhe me vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të tij. Gjithashtu, KLD përshëndeti marrjen në konsideratë të propozimeve mbi konceptin e karrierës gjyqësore. Komisioni parlamentar pranoi pjesërisht kërkesën e KLD-së, ku me dy dispozita specifike parashikoi rritjen e pagave të gjyqtarëve, e lidhur kjo me periudhën e shërbimit në detyrë. Për këtë janë marrë pjesërisht në konsideratë sugjerimet që KLD-ja ka paraqiti në komision. Ndryshe nga projekti i prezantuar para Komisionit të Ligjeve nga ekzekutivi, emërimi i krerëve të gjykatave nuk është iniciativë e ministrit të Drejtësisë, por ekskluzivitet i KLD-së mbi bazë kon-kursesh. Në mënyrë specifike vlerësohet parashikimi i qartë dhe i kategorizuar i shkeljeve disiplinore, i cili duke specifikuar rastet, eviton mundësinë e subjektivizmit në rast procedimi disiplinor, duke lehtësuar procesin e shqyrtimit të tyre nga KLD. Mbetet për t'u thënë se projektligji nuk ka zgjidhur dualitetin mes dy inspektorateve, atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së, çështje që mbetet ende e hapur para ligjit. fa.ma.