E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri te "Çajupi" në Tiranë, akuzë rojës së shkollës së mesme

• TIRANE - Policia ngre akuzë ndaj rojës së shkollës "Çajupi" në Tiranë lidhur me ngjarjen e ndodhur tri ditë më parë, kur flakët pushtuan një fast-food pranë këtij institucioni."Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4 Tiranë, morën njoftim se në rrugën 'Kongresi i Manastirit', në shkollën e mesme të përgjithshme 'Andon Zako Çajupi' ka rënë zjarr në katin e parë. Për pasojë është djegur një pajisje elektrike për pjekje mishi", tha policia. Sipas saj, grupi i hetimit ka kryer veprimet procedurale, nga të cilat rezultoi se shkaku i zjarrit është një shkëndijë elektrike e shkaktuar nga takimi i automatit të fast- food-it, e bërë gabimisht nga shtetasi Adem Usha, 48 vjeç, me punë roje i shkollës. Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së kryeqytetit për veprën penale të "shkatërrimit të pronës nga pakujdesia", parashikuar nga neni 161 të Kodit Penal. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë në mesditë, kur për 30 minuta nxënësit e shkollës është dashur të evakuohen si pasojë e flakëve të zjarrit. Shërbimet e zjarrfikësve dhe policia dyshuan se zjarri do të përhapej në shkollë dhe në këtë mënyrë jeta e nxënësve do të ishte në rrezik. Si pasojë është ndërprerë procesi i mësimit dhe nxënësit janë nxjerrë nga klasat për 30 minuta.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›