Nga 14 nentori, në treg 1000 lekëshi i ri

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2001.
Në zbatim të këtij vendimi, në datën 14 nëntor 2008 do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2007.
Ky vendim i marrë në vitin 2006 është në përputhje me programet e mëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim modernizimin e kartëmonedhës së prerjes 1000 lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë.
Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë.
Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja.