“Lul Berisha mendoi se do e pushkatonin”
• Lulzim Berisha, ka menduar se po e dërgonin për pushkatim, kur menjëherë pas seancës gjyqësore ........në Gjykatën e Krimeve të Rënda është prangosur nga këmbët dhe duart dhe është mbyllur në një furgon të blinduar për t’u dërguar në qelitë e burgut 302.Ky është pohimi i avokatit Arben Qeleshi, mbrojtës i të pandehurit VIP, i cili thotë se gjithçka ka ndodhur mesditën e së enjtes sapo ka mbaruar seanca gjyqësore e radhës ndaj Lulzim Berishës. Menjëherë sapo ishte informuar nga klienti i tij për këtë sjellje të policëve mbrojtësi ligjor pohoi, se e kishte takuar klientin e tij në qeli, ku dhe ishte informuar për shqetësimin e të burgosurit VIP. Avokati mohoi të ishte ushtruar dhunë fizike ndaj Lulzim Berishës, por shtoi se sjellja e policëve dhe mënyra e shoqërimit nga gjykata në qeli ishte shkelje ligjore. Avokati tha me tej, se e kishte siguruar Berishën se në Shqipëri nuk ekziston ligji i dënimit me vdekje dhe se do i përcillte krerëve të burgjeve shqetësimin e klientit të tij. Ndërsa gjatë ditëve të mëvonshme avokati shtoi, se ishte njohur me informacionin në media për tentativë arratisjeje ndaj klientit të tij dhe ishte çuditur. Avokati Qeleshi theksoi në fund, se pasi është transferuar në qelitë e burgut 313 nuk e ka takuar Lulzim Berishën, por do ta takojë atë patjetër para seancës së radhës e cila do të zhvillohet më 27 dhjetor në orën 09:30. Në këtë takim me Berishën avokati pohoi, se do të diskutojnë strategjinë e mbrojtjes në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Informacioni kontradiktorNjë informacion kontradiktor i mbërritur pak ditë më parë në polici ka rikthyer në qendër të vëmendjes Lulzim Berishën. Sipas të dhënave të siguruara në rrugë operative nga policia, i akuzuari si drejtues i “Bandës së Durrësit” ishte duke planifikuar një arratisje të organizuar deri në detaje. Varianti i dytë që mbështeste informacioni operativ dhe i rezervuar që kishte mbërritur në polici ishte ai, sipas të cilit, siguria e Lulzim Berishës ishte në rrezik pasi rivalë të tij po ndiqnin nga afër lëvizjet e të akuzuarit për në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në rrugë zyrtare burimet nuk konfirmojnë natyrën e burimit të informacionit, por duket se ai ka qenë i besueshëm për policinë. Gjithsesi forma si janë përfituar të dhënat operative mësohet se e bënte të pamundur verifikimin e tyre. Në këto kushte policia ka qenë e detyruar të merrte masa për dy skenarët e mundshëm që përfshinte informacioni operativ. Për këtë shkak qelia e Lulzim Berishës është ndryshuar në sekret të plotë, masat dhe koha e shoqërimit në gjykatë janë ndryshuar. E gjithë hapësira mes burgjeve 302 dhe 313 dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda është marrë në kontroll nga snajperët e “RENEA”-s që kanë vëzhguar të gjitha lëvizjet e dyshimta. Por ndërsa i akuzuari si kreu i “Bandës së Durrësit” mbahet në qelitë e burgut 313 policia ende nuk ka një version të qartë për informacionet kontradiktore që lidhen me Lulzim Berishën. f.m/t.sAkuzat për Lul BerishënLulzim Berisha është arrestuar më 5 prill 2006 rreth orës 13:00 në qytetin e Tetovës në Maqedoni, pasi dosja penale ndaj tij u rihap dhe gjykata firmosi urdhrin e ndalimit. “Lulzim Berisha akuzohet për vrasjen më 17 tetor 1998 të Dritan Sallakut dhe plagosjen e Ilir Nelës dhe Agim Rexhepit, vrasjen më 29 tetor 1998 të Arjan Pajës dhe Viron Currit dhe plagosjen e Marsel Sotirit, vrasjen më 5 korrik 1999 të Eduard Ongarit, vrasjen më 22 gusht 1999 të Marsel Sotirit dhe vrasjen më 25 shkurt 2005 të Klodian Saliut”, thuhet në një raport të Ministrisë së Brendshme që ndodhet në dosjen penale kundër Lulzim Berishës. Aktualisht ai po hetohet edhe për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në drejtim të Italisë dhe Gjermanisë.“Kishte informacione se Lul Berishën do ta rrëmbenin ose t’i bënin atentat” TIRANE – Mbrëmjen e të mërkurës javën që kaloi një urdhër i prerë ka mbërritur në repartin e forcave speciale RENEA. Efektivat e këtij reparti të nesërmen duhej të angazhoheshin në ruajtjen e Lulzim Berishës, gjatë shoqërimit të tij për në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në polici kishin mbërritur informacione kontradiktore, të cilat gjithsesi flisnin ose për një plan arratisje të 36-vjeçarit nga Durrësi, ose për një rrezik që i kanosej atij nga rivalët gjatë transportimit për në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku zhvillohet gjyqi ndaj të arrestuarve të “Bandës së Durrësit”. Brenda një kohe të shkurtër nga momenti i marrjes së urdhrit, reparti elitë i policisë shqiptare RENEA, ka hartuar planin operacional. “Kishte informacione kontradiktore që flisnin ose për një tentativë arratisje të Lulzim Berishës, ose për një rrezik që rivalë të tij ta rrëmbenin atë gjatë transportit nga burgu 302 për në Gjykatën e Krimeve të Rënda”, thotë një nga efektivët e RENEA-s, pjesëmarrës në operacionin e shoqërimit të kapos së “Bandës së Durrësit”. Mëngjesi i së enjtes i ka gjetur snajperët e RENEA-s të vendosur në pozicione rreth burgut 313, Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe burgut 302 në Tiranë. E gjithë hapësira ku do të lëviznin makinat që shoqëronin të arrestuarin, me akuzën e disa vrasjeve, mbikëqyrej nga snajperët ndërsa dhjetëra efektiva të tjerë të RENEA-s ishin shpërndarë në terren dhe në makinat që shoqëronin Lul Berishën. Një ditë para gjyqit te Krimet e Rënda, i akuzuari është transportuar nga burgu 302 për në paraburgimin 313, në mënyrë që të shkurtohej distanca e lëvizjes për në sallën e gjyqit. Gjithçka është mbajtur në sekret të plotë, ndërsa në dijeni të këtyre veprimeve ka qenë vetëm një rreth i ngushtë zyrtarësh. Sipas njërit prej pjesëmarrësve në operacionin e shoqërimit të Lulzim Berishës, i akuzuari si kreu i “Bandës së Durrësit” është dërguar në gjykatë që në mëngjes, disa orë para gjyqit. Kjo është bërë pasi dyshohej se rivalët e të arrestuarit mund të vepronin në orarin kur ishte përcaktuar të zhvillohej gjyqi i Lul Berishës, duke menduar se ai në atë kohë do të transportohej për në gjykatë. Në orën 07:00 të mëngjesit Lul Berisha, ndodhej në dhomën e blinduar të izolimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ka qëndruar për më tepër se dy orë në pritje të seancës gjyqësore. Dështimi i seancës për shkak të mungesës së një avokati, ka qenë shkaku që efektivat e RENEA-s të hynin sërish në veprim. Kësaj radhe ata duhej të kthenin Lul Berishën në qelinë e tij. Nga frika e ndonjë sulmi me armë ose ndonjë atentati me mina të telekomanduara, si pjesë e operacionit të shoqërimit ishte parashikuar që kapoja i “Bandës së Durrësit” të lëvizte me një autokolonë prej pesë makinash, njëra nga të cilat e blinduar. Brenda këtij mjeti është mbajtur Lulzim Berisha, ndërsa në makinat e tjera ka pasur efektiva të RENEA-s. Makina e parë ka qenë një furgon “IVECO”, me fenelina që ka shërbyer për “pastrimin” e rrugës. da.bi