E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamzë, tenton të përdhunojë të fejuarën e shokut pas rrëmbimit

• TIRANE – Arrestohet nga policia personi që mbajti peng për disa orë në motel ish të fejuarën e shokut dhe tentoi ta përdhunojë atë.Policia ka vënë në pranga dje 22-vjeçarin Bledar Zeneli me akuzën e heqjes së padrejtë të lirisë, kanosjes serioze me sende të forta dhe tentativë për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Sipas burimeve zyrtare, 22-vjeçari, banues në Kamzë, është denoncuar në komisariatin e policisë për mbajtje peng dhe kanosje me sende të forta. Denoncuesja, sipas burimeve të policisë ka qenë 20-vjeçarja me iniciale A.K., banuese po në Kamzë, ish e fejuara e një shoku të Zenelit. Mesditën e të dielës, ai e ka takuar vajzën dhe i ka pohuar se ish i fejuari i saj, ishte plagosur dhe duhej të takohej me të. Për këtë qëllim, Zeneli i ka thënë vajzës se duhej të shkonin bashkë në një motel, ku qëndronte shoku i tij. Sapo kanë mbërritur në një motel në periferi të Kamzës, vajza ka kuptuar planin dhe ka nisur të kundërshtojë mashtruesin e saj. Në këtë rast Zeneli, nuk ka përdorur më mashtrimin, por ka kërcënuar vajzën se do ta qëllonte me një hekur që mbante me vete, nëse ajo nuk do të ngjitej në dhomë. Pas refuzimeve të vajzës për të kryer marrëdhënie seksuale me të, ajo ka mundur të largohet. Më pas, vajza menjëherë është drejtuar për në policinë e Kamzës, ku edhe ka denoncuar ngjarjen. Pas kallëzimit të saj, Policia Kriminale e komisariatit nr.5, ka arrestuar Bledar Zenelin me dy akuza. Në polici mësohet se ishte paraqitur edhe familja e vajzës, e cila kishte denoncuar mungesën saj për më shumë se gjashtë orë në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›