E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo: “Jam krenar të jem trajneri i Anglisë”

“Jam shumë krenar dhe i nderuar të jem trajneri i Anglisë”. Këto ishin fjalët e para të thëna në gjuhën e “atdheut” të tij të ri nga Fabio Kapelo, në konferencën e tij të parë për shtyp si tekniku i ri i Anglisë për median botërore. “E dëshiroja këtë punë prej një kohe të gjatë”, - theksoi më pas italiani. “Është një nder të jem trajner dhe për më tepër që është një ëndërr e shndërruar në realitet. Është një punë që çdokush e dëshiron dhe gjithkush e di dhe se bën parashikime të mëdha me këtë punë. Është kjo ajo që unë dua të arrij me Federatën Angleze të Futbollit”.
“Jo zyrtarisht e fillova dje (të dielën) punën duke ndjekur ‘Super Sunday’ (që transmetoi ndeshjet midis Liverpulit dhe Mançester Junaitid si dhe Arsenalin kundër Çelsit), por zyrtarisht puna ime nis më 7 janar (2008). Objektivi kryesor është të takohem me lojtarët dhe trajnerët e ligave angleze të futbollit. Unë jam i bindur se Anglia është një ekip i madh dhe ne do të shkojmë drejt majës”, - tha Kapelo më pas në gjuhën italiane.
Trajneri insistoi se kontrata e tij disamilionëshe do të thotë pak për të qenë i suksesshëm: “Paratë janë realisht në plan të dytë. Janë të rëndësishme, por janë një çështje e dorës së dytë. Çështja kryesore janë rezultatet”.
Kapelo, i cili flet për momentin një anglishte bazë, është i bindur se ai do të jetë i aftë të përmirësojë njohuritë e tij në gjuhën angleze përpara se ai të jetë në bankinë për ndeshjen e tij të parë si trajner kundër Zvicrës, më 6 shkurt 2008.
“Unë jam i bindur se brenda një muaji, kur skuadra kombëtare do të luajë për herë të parë në urdhrat e mia, unë do të jem i aftë të flasë gjuhën”, - tha ai. “Unë besoj se kjo është shumë e rëndësishme të jem i aftë të komunikoj me lojtarët dhe, sigurisht, unë do të jem shumë i kujdesshëm për këtë. Unë do ta ushtroj veten çdo ditë dhe dëshiroj të mësoj gjuhën në kohën që do të takoj lojtarët muajin tjetër”.
Kapelo dëshiron t’u kërkojë lojtarëve përse Anglia nuk arriti në finale e Euro 2008: “Unë do të përpiqem të kuptoj atë që ka ndodhur duke folur me lojtarët dhe unë besoj se duke veshur fanellën e Anglisë është një çështje krenarie dhe unë dëshiroj të shoh të gjithë lojtarët të luajnë për Anglinë, ashtu si ata luajnë për klubet e tyre”.
Shefi Ekzekutiv i Federatës Angleze të Futbollit, Brajan Baruik, vlerësoi të kaluarën e Kapelos: “Ai ka drejtuar dhe ka fituar tituj me Milanin, Juventusin, Realin e Madridit dhe Romën, ai ka menaxhuar disa nga lojtarët më të mirë të botës, ndërkohë që edhe ai vetë si lojtar ka pasur reputacion ndërkombëtar”.

“Bekam, miku im”

“E ardhmja angleze e Bekam? Kam pasur marrëdhënie kontrastuese me Devid Bekamin te Realin e Madridit, por në fund ai tregoi se është një njeri i madh dhe një lojtar i madh. Ai është nga ai lloj lojtari, i cili kur i vendos vetes një objektiv, dëshiron ta arrijë”.

Box:
“Do të fitoj Botërorin 2010”

Fabio Kapelo ka si objektiv të çojë Anglinë në majën e botës. Tekniku italian tha qartë për gazetën britanike “News of the World”: “Do të fitoj Botërorin. Nëse nuk do ta kisha menduar, nuk do ta kisha pranuar detyrën, por do të shkoja të luaja golf”.

Nëna: “Kam frikë për Fabion”

Evelina Tortul, nëna e 61-vjeçarit Kapelo, pohon shqetësimin e saj për gazetën “Daily Telegraph”: “Unë nuk jam shumë e lumtur rreth punës së tij. Gazetat dhe televizioni do të jenë gjithmonë pas shpinës së tij. Ditët e mia në paqe përfunduan tashmë”.

Kontrata, 6 milionë sterlina

Caktimi i Fabio Kapelos si trajneri i ri i Anglisë u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Federatës Angleze dhe italiani do të marrë në total 6 milionë sterlina pas pagimit të taksave. Kjo e vendos fitimet e Kapelos të barabarta me pagën e kapitenit të Anglisë, Xhon Terri, i cili fiton 130 000 sterlina.

Bekam, më i miri në gjuajtjet e lira

Një nga gjestet teknike më spektakolare të futbollit, që prej vitesh ndez zemrat e të pasionuarve, është goditja e lirë. Janë të shumtë interpretët dhe specialistët që me parabolat e tyre perfekte u dhurojnë emocione dhe gëzim tifozëve dhe qëndrojnë shpesh në legjenda. Për të bërë një klasifikim të më të mirëve është shumë e vështirë. Për të bërë një listë mendon e përditshmja angleze “The Sun”. Për tabloidin anglez, Devid Bekam, është numri një i goditjeve të dënimit. “Spice Boy” fitoi vendin e parë për golin nga goditja e lirë kundër Greqisë, që e çoi Anglinë në Botërorin e vitit 2002. Mesfushori i Los Anxheles, Galaksi dhe i Kombëtares angleze, ndiqet nga braziliani i Olimpikut të Lionit, Juninho Pernambucano, i konsideruar si më i miri i epokës moderne, i cili me gjuajtjet e lira të tij është shndërruar në një mbret të Ligës së Kampioneve. Në vend të tretë është zëvendëstrajneri aktual i Interit, Sinisa Mihajloviç, veçanërisht për tripletën e tij kundër Sampdorias në vitin 1998. Serbi konsiderohet si mbrojtësi më i madh në goditjet e dënimit. Diego Maradona është në vendin e shtatë, por nuk mungojnë edhe emra të tillë si Mishel Platini, Xhanfranko Zola, Andra Pirlo e Roberto Karlos.

18 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›