E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Prokuroria e gjykatat toleruan Mihal Delijorgjin

• Tolerimi i Delijorgjit, ka kaluar disa shkallë dhe secila prej tyre ka kontribuar nga pak derisa biznesmeni doli "pa lagur" nga proceset penale e civile me drejtësinë në fund të vitit të kaluar.

Fatos Mahmutaj

Ky është përfundimi paraprak në të cilin ka arritur Këshilli i Lartë i Drejtësisë pas kontrollit të dosjes së Delijorgjit në Gjykatën e Apelit në Durrës. Në bazë të kësaj pafajësie ai lidhi kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes për të demontuar predha në Gërdec, aty ku dhe ndodhi katastrofa e 15 marsit. Burime nga KLD pohuan dje në çështjen "Delijorgji" implikimi është më i gjerë, ai ka kaluar në disa shkallë, duke filluar nga veprimet e prokurorëve deri në gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit dhe delegimi i gjyqtarëve ushtarakë, ndonëse çështja është për gjykim në Gjykatën e Lartë. Dje të kontaktuar nga "Panorama" burime të KLD-së pohuan se ky institucion ka përcjellë me shqetësim të madh çështjen tashmë të ashtuquajtur "Delijorgji", pasi sipas tyre, persona të cilët kanë ndërtuar informalitetin, aktivitetin e paligjshëm dhe çdo veprimtari tjetër në kundërshtim me ligjin, shpesh herë kanë mundur të fitojnë imunitetin e tyre, për shkak të inefeciencës së punës së prokurorisë dhe gjyqësorit.
Raporti
KLD pohoi mbrëmë se, inspektorët e këtij institucioni janë duke verifikuar, kontrolluar dhe hetuar me hollësi, të gjitha vendimet, aktet procedurale dhe materiale, të cilat kanë çuar në pafajësinë apo mbulimin e aktiviteteve te paligjshme të kompanisë së drejtuar nga Mihal Delijorgji. "Ajo çka mund të themi për momentin, pasi raporti i detajuar dhe i hollësishëm i inspektorëve ende nuk ka mbaruar, është e konstatuar në mënyrë flagrante, pushimi i çështjeve të një sërë veprash penale të kryera më parë", thuhet nga KLD-ja, e cila shton se nga inspektorët këto ditë do të përgatitet raporti me qëllim që çdo individ apo gjyqtar i përfshirë në këto çështje t'i relatohet Ministrisë dhe Këshillit për t'i ndëshkuar si pasojë e masave apo veprimeve që ata kanë kryer. Më tej thuhet se teknikisht, KLD ka pengesë procedurale, pasi çështja "Delijorgji" nuk konsiderohet e përfunduar, pasi ndodhet në Gjykatën e Lartë.
Pengesa ligjore
Burime të KLD-së të kontaktuar mbrëmë për këtë çështje, pohuan se Gjykata Kushtetuese në interpretimet e veta për veprimtarinë e Këshillit, i ka kufizuar kontrollet dhe masat e këtij institucioni për çështje të cilat janë në gjykim. Sipas tyre mund të ndodheshim përballë një fakti që KLD të shkarkonte të gjithë gjyqtarët, të cilët i dhanë pafajësi Delijorgjit dhe legjitimuan këtë aktivitet, dhe nga ana tjetër të kishim një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila në mënyrë hipotetike mund të linte në fuqi këtë vendim. "Për të mos pasur përplasje institucionale duhen respektuar disa faza procedurale më pas do të veprohet", -pohon KLD-ja, ndërsa përfundon se, gjithsesi, kjo nuk e pengon këtë të vazhdojë inspektimin dhe në momentin që Gjykata e Lartë do të shprehet për këtë çështje të propozojë masat konkrete ndaj gjyqtarëve.

24 prill 2004
 
Mihal Delijorgji, presidenti i kompanisë "Përparimi", u shoqërua në policinë e Durrësit nën akuzat: "kontrabandë me mallra të tjera" dhe "falsifikim formularësh". Pas kësaj iu pre fletë-arresti, ndërsa u bë e ditur se padinë e kishte bërë Dogana e Durrësit, të cilës i detyrohej rreth një milionë euro, pasi kishte futur një sasi hekuri për të cilin nuk kishte treguar prejardhjen e vërtetë.

5 maj 2004
 
Delijorgji lirohet nga qelia kundrejt garancisë pasurore një milion dollarë amerikanë. Më pas më 5 korrik të vitit 2005 Gjykata e Apelit e Durrësit ia hoqi masën e garancisë pasurore, ndërsa në përfundim të procesit Gjykata e Faktit e këtij qyteti e dënoi me 10 milionë lekë të reja gjobë, ndërsa vendosi që të dëmshpërblente Doganën e Durrësit me 122 milionë lekë të reja.

27 dhjetor 2007
 
Mihal Delijorgji përfundon punë me drejtësinë shqiptare, pasi tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak që u deleguan në Apelin e Durrësit ia pushuan akuzën për mungesë provash. Pas këtij vendimi në mënyrë automatike humbi efektin edhe padia civile e doganave, ndërsa organi i akuzës e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë, ku ndodhet ende. Gjatë gjithë proceseve mbrojtja ka kërkuar pafajësi.

"Delijorgji", hetime edhe regjistrimit të kompanisë
 
TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohoi dje se Inspektorati i këtij institucioni, po kryen hetime dhe inspektime përsa i përket licencimit dhe regjistrimit të kompanisë "Alb Demil". Burime nga ky institucion pohojnë se aktualisht po hetohet në dy pista, fillimisht nëse aktiviteti ka qenë i mbështetur dhe i licencuar brenda kuadrit ligjor dhe brenda normave të miratuara në atë periudhë kohe. Ndërsa pista e dytë, është se nëse kemi të bëjmë me një objekt veprimtarie të përcaktuar qartë, apo kompania ka pasur një aktivitet të kufizuar dhe tregtinë e armëve e ka realizuar përtej kompetencave dhe objektit të veprimtarisë të parashikuar nga gjykata. Pak ditë më parë, pas tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria nisi hetimin ndaj Delijorgjit edhe për trafik armatimi dhe municionesh, ndërsa u pohua nga Ministria e Mbrojtjes se kësaj firme i ishte dhënë licencë për demontimin e predhave të artilerisë dhe shitjen e produkteve të dala nga procesi i demontimit. Momentalisht akuza nuk i është komunikuar këtij të pandehuri, ndërsa ai dhe mbrojtësit e tij kanë mbajtur qëndrim mohues për këtë.                           fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›