E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit”, atentatori i Dritan Dishës gjykohet i vetëm

• TIRANE - Personi i akuzuar si pjesëmarrës në krimet e kryera nga "Banda e Durrësit", gjykohet i ndarë nga dosja e 16 të akuzuarve të tjerë të grupit kriminal.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, përfundoi hetimet ndaj Bujar Gashit, i akuzuar për vrasje dhe kryerje krimesh në kuadër të organizatës kriminale, do të gjykohet i vetëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dosja penale e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është regjistruar për gjykim në Gjykatë më 28 mars 2008, me akuzat e "vrasjes së mbetur në tentativë", "pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal" dhe "kryerje të krimeve nga organizata kriminale". Bujar Gashi i cili më parë është çuar për gjykim bashkë me 16 anëtarët e tjerë të "Bandës së Durrësit", po gjykohet i ndarë pasi në momentin ku filloi procesi, Prokuroria nuk kishte identifikuar mirë personin e akuzuar. Në këtë mënyrë gjykata ndau dosjen nga të pandehurit e tjerë dhe kërkoi kryerjen e veprimeve të tjera nga Prokuroria. Bujar Gashi, nga Kukësi bashkë me disa persona të tjerë akuzohet se ka kryer tetë vite më parë atentatin që i mori jetën Dritan Dishës. Sipas hetimeve, më datën 9 korrik 2000 në vendin e quajtur Shënavlash, të akuzuarit si anëtarë të "Bandës së Durrësit", Dritan Coli, Indrit Dokle, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi, kanë vrarë Dritan Dishën. Në momentin kur viktima është qëlluar me armë zjarri ai ishte duke udhëtuar me një makinë tip "BMW" në drejtim të banesës së tij. Sipas hetimeve të policisë dhe Prokurorisë, viktima e atentatit, Dritan Disha ka qenë lidhje shoqërore e Erjon Lames dhe Marsel Sotirit. Prokuroria tha se Bujar Gashi, lindur në Kukës e banues në Durrës nuk ka qenë e mundur të arrestohet nga policia dhe si pasojë po gjykohet në mungesë deri në prangosjen e tij. Në mungesë gjykata ka vendosur ndaj tij masën e arrestit me burg për akuzat: "Pjesëmarrje në Organizatë kriminale", "kryerje të Krimeve nga Organizata Kriminale", "vrasje me paramendim në bashkëpunim" dhe "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›