E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërohen 7 persona në Vorë, policia: Po vidhnin mbetjet e metalit

• TIRANE - Shtatë banorë të Vorës u shoqëruan dje në polici në rrethana ende të paqarta. Ata janë mbajtur për pak kohë në policinë e Vorës e më pas janë dërguar në Komisariatin e Kombinatit.

Policia tha se të ndaluarit u kapën duke vjedhur mbeturina të skrapit në vendin ku më parë ndodhej fabrika e demontimit të predhave në Gërdec. Ndërkaq banorët e ndaluar janë shprehur se policia u përfshi në incident, kur ata po protestonin në mënyrë paqësore për të marrë shumat e dëmshpërblimit, sipas dëmeve që u janë shkaktuar nga tragjedia e Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e kryeqytetit, mësohet se të ndaluarit e djeshëm në Vorë janë: A. T, 11 vjeç, T.P, 12 vjeç, D.K, 17 vjeç, banues në Spitallë Durrës; Xhavit Tanushi, 44  vjeç; Qerim Preza, 51 vjeç; Veli Nazia, 43 vjeç; Besim Preza, 45 vjeç, të katërt banues në fshatin Sukth. Policia e Tiranës tha se pas marrjes së tyre në pyetje do të dërgohen për ndjekje penale në Sektorin e Prokurorisë Ushtarake. Vetë banorët e shoqëruar si dhe të afërmit e tyre kanë mohuar se kishin kryer përpjekje për të vjedhur mbeturinat e metalit dhe të municioneve që më parë demontoheshin në fabrikën e firmës "Alb Demil" në Gërdec. Ndërkaq policia pretendon se hyrja në zonën e shpërthimit ku u kapën të shoqëruarit rrezikon jo vetëm jetën e tyre, por edhe të banorëve të tjerë të zonës, pasi sipërfaqja ende nuk është e kontrolluar dhe e pastruar nga rreziku u predhave me djegore që mund të shpërthejnë pas çdo ngacmimi. Por personat e ndaluar në polici thanë se në momentin kur kanë ndërhyrë efektivat blu, ata kanë qenë pranë Bashkisë së Vorës dhe jo duke marrë mbeturina metalesh në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi mesditën e 15 marsit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›