NATO, zyrtarizohet ftesa për Shqipërinë e Kroacinë
• Shqipëria mori dje ftesën për në NATO. Sipas diplomatëve të huaj ajo tashmë është anëtare e Aleancës.
Nga i dërguari ynë në Bukuresht, Aristir Lumezi
Ishte ministrja e Jashtme greke Dora Bakojani, e cila në një konferencë për shtyp menjëherë pas marrjes së vendimit, duke mos fshehur triumfin e Greqisë ndaj Maqedonisë, tha se “që sot Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s”. Ndërsa Kryeministri Berisha u shpreh se “çdo vend që merr ftesën bëhet anëtar i NATO-s”. Edhe pse ishte vendosur që tre vendet e Adriatik 3 të mos gjykoheshin bashkë, ekzistonte frika se bllokimi i Maqedonisë mund të merrte me vete edhe Shqipërinë. Por u duk qartë në fund se për Shqipërinë, të gjithë anëtarët e aleancës ishin shprehur pro pa asnjë rezervë pas mbështetjes së madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë Kryeministri Berisha u shpreh se e kishte marrë sigurinë për ftesën sot në mëngjes para nisjes së Samitit. “Urimin e parë e mora nga Kryeministri belg Leterme, sot në mëngjes gjatë ngrënies së mëngjesit”, tha Berisha gjatë një konference për shtyp për mediat shqiptare.
Batutat
Menjëherë pasi sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Scheffer i ra gongut, për mbylljen e seancës së parë të Samitit, i gjithë delegacioni shqiptar është përshëndetur fillimisht nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush, i cili nga ana e tij është parë aspak i kënaqur nga rrjedha që mori debati për Maqedoninë. Ka qenë ministri i Jashtëm shqiptar Lulëzim Basha, i cili ka përgëzuar rolin e tij në shtimin e radhëve të NATO-s. “Ju keni bërë anëtarë të rinj të NATO-s më shumë vende, sesa Papa ka bërë kardinalë”, i është drejtuar Basha Presidentit amerikan. Ndërsa Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi në emocion e sipër kanë përgëzuar të gjitha delegacionet që ishin pranë tyre. Por Presidenti amerikan, edhe pse ka përgëzuar Shqipërinë për ftesën, ka kërkuar vazhdimin e reformave.
Maqedonia
Vendi i tretë i Kartës së Adriatikut, Maqedonia do kthehet pa ftesë nga Bukureshti. Greqia nuk është treguar aspak tolerante dhe nuk është tërhequr nga pozicioni i saj fillestar për të mos pranuar asnjë emërtim të shtetit maqedonas që do të ketë në përbërjen e tij fjalën Maqedoni. Gjatë darkës së punës me kryeministrat e të gjitha vendeve aleate, Greqia është mbështetur edhe nga Franca, Spanja dhe Italia në pretendimin e saj për ta konsideruar çështjen e emrit të rëndësishme për aleatin e vjetër të Aleancës. Sipas mediave të huaja mësohet se Presidenti Bush ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje edhe gjatë darkës për çështjen e emrit. “Pranojeni edhe si FYROM”, mësohet t’i ketë kërkuar Presidenti amerikan Kryeministrit grek Karamanlis. Por pala greke është justifikuar me mungesën e kohës, duke lënë kështu Maqedoninë pa afat jashtë NATO-s. Por Samiti për shkak të rastit të Maqedonisë, ka nisur me shumë vonesë. Vendet anëtare kanë punuar me shumë kujdes për hartimin e deklaratës përfundimtare, e cila nuk duhet të krijonte tensione tek pala maqedonase. Në deklaratë duhej shprehur që “porta për Maqedoninë vazhdon të jetë e hapur”. Por edhe kjo nuk e ka kënaqur palën maqedonase. Kryeministri Gruevski kërkoi para mbledhjes një takim me homologët e tij të A3, Berisha dhe Sander. Ashtu siç ishte paralajmëruar, pala maqedonase nuk ishte prezente në panelin e vendeve anëtare të NATO-s, kur u lexua deklarata përfundimtare që e linte Maqedoninë jashtë NATO-s. Pala maqedonase nuk është mjaftuar me kaq. Gjatë konferencës për shtyp të sekretarit të përgjithshëm Scheffer, i cili ka lexuar deklaratën e Samitit, gazetarët maqedonas kanë lënë sallën në shenjë proteste duke kundërshtuar këtë vendim të NATO-s. Sipas mediave rumune, Presidenti Bush është takuar pas takimit me delegacionin maqedonas, por dhe me përfaqësues të shtypit.
Delegacioni maqedonas braktis sallën
Delegacioni maqedonas braktis sallën e Samitit të NATO-s gjatë kohës që bëhej ceremonia e pranimit të Kroacisë dhe Shqipërisë. Këtë veprim Kryeministri maqedonas e kishte paralajmëruar pas një takimi që zhvilloi para nisjes së Samitit me përfaqësuesit e A3, Sali Berisha dhe Ivo Sanader. Ndërkaq Presidenti Bush është takuar me përfaqësuesit e delegacionit të Maqedonisë pas marrjes së vendimit që Maqedonia të jetë jashtë ftesës.
Gazetarët protestojnë Scheffer
Gazetarët e mediave maqedonase kanë braktisur sallën kur Scheffer informoi që Maqedonia mbetet jashtë NATO-s. Të njëjtën gjë, gazetarët maqedonas kanë bërë edhe gjatë konferencës së shtypit me ministren e Jashtme greke Dora Bakojanis. Ndërkaq, të gjithë gazetarët e vendit fqinj janë grumbulluar jashtë godinës ku zhvillonte punimet samiti në formë proteste duke hedhur parulla kundër Greqisë.
Votimi për Maqedoninë
Vendet pro Greqisë
Franca
Spanja
Italia
President Bush u mbështet nga
Turqia,
Sllovenia,
Çekia dhe Estonia
Rivaliteti në Samit, Kryeministri Berisha lë në hije Presidentin Topi
Delegacioni shqiptar i përbërë kësaj radhe edhe nga opozita, ka qenë i pari që ka marrë përgëzimet nga aleatët e NATO-s. Menjëherë pas deklarimit të marrjes së ftesës dhe mbylljes së sesionit Kryeministri Berisha, duke prishur edhe protokollin është “hedhur” mbi Presidentin Bush, duke e përgëzuar për mbështetjen e dhënë prej tij. I ndodhur në këtë situatë, Presidenti Topi nuk pati asnjë mundësi tjetër vetëm të presë kryeministrin të mbarojë “adetin”. Këto kanë qenë momentet e para, pasi edhe presidenti shqiptar ka shkëmbyer më pas përshëndetjet me liderët euroatlantikë, Gordon Braun, Sarkozi, Prodi etj., të cilët mbështetën ftesën e Shqipërisë për në NATO. I akomoduar në hotel “Ramada”, delegacioni zyrtar shqiptar mësohet të ketë kaluar momente relaksuese larg politikës së Tiranës. Kohën më të madhe anëtarët e tij e kanë kaluar në pritjet zyrtare të dhëna herë nga Kryeministri dhe herë nga Presidenti rumun, të cilët kanë organizuar një axhendë të ngjeshur aktivitetesh me dreka dhe darka pune. Por edhe gjatë tyre, nuk kanë munguar batutat. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi mësohet të jetë shprehur se “fati e ka ndihmuar PD-në që të anëtarësojë Shqipërinë në Këshillin e Evropës dhe tani në NATO”, duke dashur të nënkuptojë se do të jetë PD-ja në pushtet kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ndërsa Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi, të cilët shoqërohen nga zonjat e tyre kanë qenë më të përmbajtur në deklarata, edhe pse koha nuk i ka lënë të qëndrojnë gjatë bashkë si delegacion. Anëtarët e delegacionit kanë pasur një moment të përbashkët kur janë ndjerë më të relaksuar, siç është marrja e mëngjesit. Gjatë atij momenti biseda ka qenë për çështjen e ftesës, ku edhe pse garancia ishte dhënë që prej një nate më parë, ende minuta e fundit mund të përbënte surprizën. Por kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj është shprehur se suksesi për marrjen e ftesë nuk i përket vetëm maxhorancës aktuale, por të gjithë politikës dhe popullit shqiptar. Leskaj tha dje se, “edhe pas kësaj ngjarje kaq të madhe, për opozitën Kryeministri duhet të paraqitet në Kuvend me raport me shkrim për çështjen e Gërdecit”. Në fakt sot opozita ka paralajmëruar një manifestim në sheshin ‘Skënderbej’ për të mbështetur anëtarësimin në NATO, por duke kërkuar largimin e kryeministrit Berisha.
samiti tjeter
Mësohet se samiti i radhës nuk do të jetë në Berlin, por në dy qytete. Në prill 2009, NATO mbush 60 vjeç dhe Aleanca kishte vendosur ta festonte në Berlin. Por duket se një propozim franko-gjerman e zhvendos atë në Strasburg dhe Këln. Kjo është hera e parë që një samit zhvillohet në dy vende.
ditelindja
Për shefin e NATO-s, Scheffer përveç angazhimeve të drejtimit të një samiti botëror, dita e djeshme ka qenë e veçantë. Ai ka pasur ditëlindjen e tij, por kjo nuk e ka penguar që të drejtojë Samitin e NATO-s në Bukuresht. Pas ditës së ngjeshur dhe me takime me krerët e shteteve të ndryshme të pranishëm në samit, Scheffer është kujtuar dhe të shtrojë një koktej me rastin e ditëlindjes së tij.
Ukraina dhe Gjeorgjia, shtyhet anëtarësimi
Samiti i NATO-s, përveç mospranimit të Maqedonisë pati edhe surpriza të tjera. Aleatët nuk pranuan shtrirjen e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë. Sipas tyre, një shtrirje e tillë është e parakohshme. Sipas mediave të huaja këtu në Bukuresht, kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, ka kundërshtuar Presidentin Bush me tone të larta për mospranimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Ajo është mbështetur edhe nga Presidenti francez Nikola Sarkozi. Markel është shprehur se Aleanca nuk ka ndërmend të hapë një luftë mes Rusisë dhe BE-së duke e shtrirë NATO-n deri kufijtë e Rusisë. Ndërsa Presidenti amerikan Bush kërkonte të vendoste dy vendet e Detit të Zi në Planin e Veprimit për anëtarësim me qëllim që gjatë 5 apo 10 viteve të ardhshme të bëheshin anëtare të NATO-s. Ky qëndrim i Gjermanisë dhe Francës bëri që të ndikoheshin edhe aleatët e tjerë dhe në fund paneli i lartë i samitit, të linte për më vonë shqyrtimin e dy vendeve të Detit të Zi për t’iu bashkangjitur koalicionit Euroatlantik. Por sipas mediave të huaja, përfshirja në një axhendë e vendet e Kartës së Adriatikut 3, të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, shtimit të trupave në Afganistan kanë qenë një taktikë e amerikanëve që të garantonin të paktën vendosjen e sistemin antiraketë në një nga vendet lindore, si Çekia apo Polonia, të cilat do të neutralizonin një sulm të mundshëm nga shtetet e lindjes së mesme. Sot pritet takimi i nivelit të lartë Bush-Putin pikërisht për këtë temë, pas lënies përkohësisht të Ukrainës dhe Gjeorgjisë jashtë NATO-s.
Në Samitin e Strasburgut, Shqipëria anëtare e NATO-s
Menjëherë pas marrjes së ftesës nis një proces shumë intensiv mes Shqipërisë dhe NATO-s për të konkretizuar anëtarësimin e plotë.
Aristir Lumezi
Sipas ekspertëve të Ministrisë së Jashtme, por dhe ushtarakëve këtu në Bruksel “marrja e ftesës është vetëm fillimi i një procesi bisedimesh dhe procedurash, që shkon afro dy vjet, deri në anëtarësimin e plotë të një vendi, por që për rastin e Kroacisë dhe Shqipërisë ky afat do të përgjysmohet.
Brenda një kohe shumë të shkurtër do të nisin bisedimet për anëtarësim, që do të shoqërohen nga një seri takimesh ndërmjet një ekipi ekspertësh të NATO-s dhe vendit të ftuar, për të diskutuar dhe konfirmuar formalisht interesat, gatishmërinë dhe kapacitetet në përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve politike, ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit në NATO, siç parashikohet në Traktatin e Washingtonit. Sipas ekspertëve, bisedimet zhvillohen në dy sesione. “Në sesionin e parë diskutohen çështjet politike dhe ushtarake, për të përcaktuar nëse parakushtet e anëtarësimit janë përmbushur. Sesioni i dytë, është më shumë teknik dhe përmbledh diskutimin mbi burimet, sigurinë, çështjet ligjore si dhe kontributin e vendit të ftuar për anëtarësim në buxhetin e përbashkët të NATO-s. Ky kontribut përcaktohet proporcionalisht bazuar në madhësinë e ekonomisë krahasuar me vendet e tjera anëtare të Aleancës”, shprehen ekspertët. Një nga pikat e rëndësishme teknike është dhe ruajtja e informacionit. Shqipërisë do t’i duhet gjithashtu “të implementojë masa dhe të garantojë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të NATO-s, si dhe të përgatisë Shërbimet Sekrete dhe të sigurisë për të bashkëpunuar me Zyrën e NATO-s për Sigurinë”. Gjatë diskutimeve me ekspertët tanë, ekspertët e NATO-s do të diskutojnë çështje të veçanta dhe mbi reformat, për të cilat progres i mëtejshëm do të pritet para dhe pas anëtarësimit, me qëllim zgjerimin e kontributit në Aleancë. Produkti përfundimtar i këtyre diskutimeve do të jetë një axhendë e paraqitur nga Shqipëria për përmbushjen e këtyre reformave, shumë prej të cilave mund të vazhdojnë edhe pasi ne të jemi bërë anëtarë të NATO-s. Me përfundimin e këtyre fazave, procesi vazhdon në Selinë e NATO-s në Bruksel. Ministri i Jashtëm shqiptar do të dërgojë një “leter of intent” në NATO, të shoqëruar me matricat e përmbushjes së reformave. Pasi të jenë kaluar dy hapat e parë, për Shqipërinë nis procesi i firmosjes së protokolleve. “NATO përgatit Protokollet e Anëtarësimit në Traktatin e Washingtonit për Shqipërinë. Protokollet janë amendime ose shtojca të Traktatit, të cilat pasi nënshkruhen dhe ratifikohen nga aleatët, bëhen pjesë integrale e Traktatit dhe lejojnë vendin e ftuar të bëhet pjesë e Traktatit”, citojnë ekspertët. Më pas qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s ratifikojnë protokollet, sipas procedurave të secilit vend. Procedura e ratifikimit ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara kërkohet një shumicë prej 2/3 për ta kaluar protokollin në Senat. Në vendet e tjera, si për shembull në Mbretërinë e Bashkuar, nuk kërkohet votim parlamentar. Në fund, është sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili do të ftojë Shqipërinë të bëhet pjesë e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Kur të gjitha vendet anëtare të NATO-s njoftojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë mbajtësit e Traktatit të Washingtonit, për pranimin e Protokolleve në Traktatin e Atlantikut të Veriut për anëtarësimin e Shqipërisë, sekretari i Përgjithshëm i fton të bëhen pjesë e Traktatit. Vetëm atëherë Shqipëria merr vendimin për t’u bërë pjesë e Traktatit të Atlantikut Verior sipas procedurave të veta kombëtare. Pas depozitimit të instrumenteve të tyre për anëtarësim në Departamentin e Shtetit të SHBA, vendi ynë bëhet anëtar i NATO-s.
etapat
Nisin bisedimet për anëtarësim mes ekspertëve të NATO-s dhe atyre shqiptarë
Ministri i Jashtëm i dërgon një “leter of intent” sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, të shoqëruar me matricat e përmbushjes së reformave, brenda muajit qershor 2008
Protokollet e anëtarësimit firmosen nga vendet e NATO-s. Ajo
përgatit protokollet e Anëtarësimit në Traktatin e Washingtonit për Shqipërinë, deri në dhjetor 2008
Protokollet e anëtarësimit ratifikohen nga vendet e NATO-s, deri në shkurt 2009
Sekretari i Përgjithshëm fton Shqipërinë të bëhet pjesë e Traktatit të Atlantikut të Veriut
Shqipëria do marrë vendimin për t’u bërë pjesë e Traktatit të Atlantikut Verior sipas procedurave të veta kombëtare
Pas depozitimit të instrumenteve e saj për anëtarësim në Departamentin e Shtetit të SHBA, Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s.
Ftesa e NATO, largon ndryshimet në qeveri
Kryeministri shqiptar Sali Berisha, la të kuptohet se nuk ka ndër mend të bëjë ndryshime në qeveri. I pyetur nëse përshpejtimi i reformave për t’u bërë anëtar i NATO-s vitin e ardhshëm do të kërkojë dhe freskimin e kabinetit qeveritar, Berisha tha se ato duhet të bëhen vetëm nëse janë të nevojshme. “Unë nuk e konsideroj rikompozimin e qeverisë si reformë. Dua të jem i sinqertë, ka raste që ndryshimet ndihmojnë siç ka dhe nga ato raste që ndryshimet pengojnë reformat. Ndryshimet në qeveri duhen bërë sa herë të jenë të nevojshme, por nëse do të ishin të pamotivuara, ato të çojnë të paktën 6 muaj prapa”, tha Berisha. Sipas tij, nëse do të kishte ndryshime ministrash, do të kishim një humbje kohe deri në implementimin e reformave. “Jo përnjëherë sa ulesh në karrige, bëhesh kryeministër, apo ministër, të duhet një kohë e caktuar për të marrë të gjithë praktikën e punës”, tha Berisha. Në këtë mënyrë kryeministri duket se e ka hequr nga axhenda e tij ndryshime të ministrave që janë atakuar edhe nga vetë aleatët e djathtë. Nuk kanë qenë të paktë zërat brenda maxhorancës, që kanë kërkuar ndryshime të disa ministrave. Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule dhe ai i PDK-së Nard Ndoka, kanë kërkuar rishikimin e kabinetit qeveritar për shkak se disa nga ministrat e tij nuk kanë peshë të konsiderueshme elektorale si parti por edhe për disa konflikte interesash në ministritë që drejtojnë.
Berisha: Bunkerët në Shqipëri, sa dy piramida të Egjiptit
Në çdo fjalim të mbajtur jashtë vendit, për të treguar ndryshimin e Shqipërisë, Kryeministri Berisha i është referuar periudhës së komunizmit, me hiperkolektivizmin dhe ndërtimin e bunkerëve.
ADI SHKEMBI
Të njëjtën gjë kreu i qeverisë bëri edhe në fjalën përshëndetëse para 26 vendeve anëtare të NATO-s, me ndryshimin se këtë fjalim e mbante pikërisht në pallatin e ndërtuar nga diktatori i fundit i Evropës Lindore, Çaushesku. Në momentet e fundit të fjalës së tij, mes emocionesh të shumta (të cilat shiheshin qartë në fytyrën e tij) për një vendim historik në favor të Shqipërisë, Kryeministri Berisha i është drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive të këtyre vendeve me fjalët "me lejoni ta mbyll fjalën time me një ndjesi personale". Më pas, një tjetër krahasim me kohën e komunizmit, por këtë radhë përballë kësaj periudhe të Shqipërisë, Berisha ka vënë periudhën e ndërtimit të piramidave në Egjipt. "Sot në këtë pallat, historia e të cilit është tashmë e njohur, ftohet për t'u anëtarësuar në NATO vendi, që u sundua nga diktatori më i egër i Evropës së pasluftës, i cili, për më shumë së 4 dekada me radhë, ndërtoi aq shumë bunkerë në qytetet, fshatrat, fushat, malet e brigjet e vendit, që po të mblidheshin së bashku, mund të ndërtonin dy herë piramidat e Egjiptit".
Atmosfera
Në përfundim të mbylljes së negociatave për emrin e Maqedonisë dhe dështimit të tyre, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de hop Scheffer ka thirrur delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilët duhet të mbanin fjalën përshëndetëse pas marrjes së ftesës. Duartrokitjet e të gjitha delegacioneve të pranishme kanë shoqëruar që në momentet e para hyrjen e delegacioneve dhe zënien e vendeve respektive. Pas fjalës së Scheffer, radha u ka ardhur krerëve të delegacionit shqiptar, Topi e Berisha. Ky i fundit kishte zgjedhur gjuhën angleze për t'u drejtuar fjalën përshëndetëse krerëve të 26-shes. Por ajo që binte në sy më shumë se çdo gjë tjetër ishte fakti se Kryeministri Berisha drejtonte vështrimin në çdo pauzë të fjalimit të tij nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush dhe sekretarja e Shtetit, Kondoleza Rajs. Krerët e Shtëpisë së Bardhë, ndryshe nga delegacionet e tjera (edhe për faktin se në javët e fundit e bënë thuajse të kryer marrjen e ftesës nga vendet e Kartës Adriatik 3) me gjithë pozicionin jo fort të përshtatshëm ishin spostuar paksa për të qenë përballë dy delegacioneve të dy vendeve që po merrnin dje ftesën për t'u anëtarësuar. Një ditë para nisjes për në Bukuresht, Kryeministri Berisha tha se do të përjetonte emocione të forta në këtë eveniment, dhe gjatë gjithë fjalimit u pa se kreu i qeverisë nuk e kishte edhe aq të lehtë t'u drejtohej vendeve anëtare, këtë herë nga një pozicion i ri. Megjithatë Berisha kishte rastin të premtonte ndërmarrjen e reformave për konsolidimin e standardeve politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s. Por "surpriza", ndoshta e pamenduar nga kryeministri ishte pikërisht në fund. Pas fjalëve "faleminderit shumë për të gjithë besimin e treguar. Ju faleminderit të gjithëve", u vunë re shenja aprovimi nga Presidenti Bush dhe Sekretarja Rajs, të cilët e shoqëruan atë edhe me duartrokitje.
Topi në shqip: Faleminderit për ftesën
Ndryshe nga Kryeministri Berisha, Presidenti Topi kishte zgjedhur gjuhën shqipe për t'iu drejtuar vendeve anëtare pas marrjes së ftesës nga Shqipëria. Kreu i shtetit falenderoi 26 vendet për besimin ndaj Shqipërisë, duke thënë se ky është akti më i rëndësishëm në historinë e vendit. "Sot, vendi im nënshkruan aktin më të rëndësishëm në historinë e tij; sot populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit; Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthehen në virtyte edhe në vendin ku, jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës", theksoi Topi. Sipas kreut të shtetit, reformat politike dhe ekonomike në Shqipëri, dhe më konkretisht ato në sistemin e drejtësisë, sistemin zgjedhor, sistemin e sigurisë, forcat e armatosura, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni, të cilat kanë filluar që nga viti 1992, janë një proces i pandalshëm dhe i domosdoshëm për një vend anëtar të NATO-s. "E konsideroj vendimin që Aleanca mori sot për Shqipërinë si një vlerësim dhe besim ndaj të gjithë angazhimit të deritanishëm, serioz dhe shumëplanësh të vendit tim dhe si një angazhim madhor që ne kemi si ndaj vendeve të Aleancës, ashtu dhe ndaj popullit shqiptar. Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e rëndësishme e politikave të sigurisë dhe demokracisë së Aleancës si në planin rajonal dhe në atë global", u shpreh më tej Presidenti Topi. Sipas kreut të shtetit, shtrirja e NATO-s në Ballkan do të zvogëlojë hapësirën e pasigurisë brenda kontinentit evropian. Kjo sipas Topit jep garanci për siguri afatgjatë, zhvillim dhe mirëqenie. Pjesë e fjalës së kreut të shtetit ishte edhe Kosova. "Shqipëria, nëpërmjet politikës së saj euroatlantike rajonale, do të mbështesë integrimin e Republikës së Kosovës në hapësirat e sigurisë dhe të zhvillimit, si dhe do të jetë e gatshme të ofrojë kontributet e saj individuale brenda politikave të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian për integrimin e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë", theksoi më tej Topi.
"Opozita kontribut të padiskutueshëm"
Kryeministri Berisha ka vlerësuar dje nga Bukureshti edhe rolin e opozitës në procesin e marrjes së ftesës në NATO. "Për sa i përket opozitës dhe kontributit të saj, ka prej tyre që kanë qenë promotorë të idesë atlantike të Shqipërisë që në vitet '90. Më vonë, ata kanë dhënë kontributin e tyre të padiskutueshëm, ndër të cilat mund të thuhet se Karta e Adriatik 3 është firmosur nga opozita aktuale, atëherë në qeverisje. Edhe me vonë, edhe gjatë këtyre 2-3 viteve, opozita ka mbështetur reformat e vendit për integrim në NATO", theksoi Berisha. Lidhur me protestën e sotme, kreu i qeverisë tha se "Shqipëria është një vend i lirë, opozita ka të drejtë të përdorë mjete demokratike që i quan më të rëndësishme".
Mesazhi
Duke folur mbrëmë në emisionin "Top Story", në të cilin ishte i pranishëm edhe lideri i PS-së, Edi Rama, kreu i shtetit Topi tha se gjatë fjalimit të djeshëm ka folur edhe në emër të opozitës shqiptare. Sipas tij, marrja e ftesës nuk është punë e vetëm një dite, por e një procesi të gjatë. Kreu i shtetit vlerësoi edhe punën e forcave
të armatosura në
marrjen e ftesës.
Samiti
Pak para bërjes publike të vendimit të NATO-s për të ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë, Kryeministri Berisha i është drejtuar me një fjalim Samitit të aleancistëve të rinj, mbajtur në kuadër të Samitit të NATO-s. Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka vënë në dukje reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, që pas 3 korrikut kur erdhi në pushtet. Sipas Berishës, "pas 3 korrikut të vitit 2005, qeveria që unë kryesoj shpalli zotimin e saj se do të ndërmerrte çdo reformë, çdo ligj dhe vendim për të shpejtuar integrimin e vendit në NATO. Sot mund t'ju pohoj se demokracia e re shqiptare është një demokraci që punon me institucione që funksionojnë dhe me ndarje e balancë të qartë pushtetesh", u shpreh Berisha.
Sejdiu
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka uruar dje presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha për marrjen e ftesës. "Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është mirënjohje për punën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, me qëllim të konsolidimit politik në vend", theksoi Sejdiu.
Milliband
Ministri Britanik i Punëve të Jashtme, David Miliband, ka deklaruar dje pas zyrtarizmit të ftesave për Shqipërinë se ky është një hap shumë i rëndësishëm për vendin tonë, duke shtuar se Shqipëria e ka merituar atë.
Përshëndetja
Shqipëria është përshëndetur dje edhe nga ambasadori rumun, Gheorghe Micu. "Si përfaqësues i vendit ku u mbajt Samiti i NATO-s dhe ku Shqipëria mori ftesën për t'u anëtarësuar në aleancën euro-atlantike kam kënaqësinë e veçante të uroj dhe të përgëzoj popullin mik shqiptar për këtë arritje të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme", tha Micu.
“Pas ftesës vazhdoni me reformat”
Ambasada britanike në vendin tonë ka përshëndetur marrjen e ftesës nga Shqipëria dhe në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje klasës politike në vend që të vazhdojë bashkëpunimin politik për kryerjen e reformave të rëndësishme. Sipas diplomacisë britanike pas marrjes së ftesës duhet të vazhdojë puna për kryerjen konkretisht të reformës elektorale dhe asaj në sistemin zgjedhor në vend. "Ambasada britanike bashkohet me popullin shqiptar në festimin e marrjes nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO). Bashkëpunimi midis partive politike, që ka kontribuar shumë në këtë ftesë nga NATO, tani duhet të vazhdojë me kryerjen e reformave të rëndësishme, sidomos asaj elektorale dhe në drejtësi, që i duhen këtij vendi për zhvillim të mëtejshëm", thuhet në njoftim. Në të njëjtën kohë ambasada britanike, bën të ditur se do të vazhdojë të ndihmojë ku dhe kur të mundet për këtë. Gjithashtu, ambasada britanike njeh rolin e rëndësishëm që luajti personeli i Forcave të Armatosura shqiptare, duke përfshirë ato që janë dislokuar në vende të tjera, duke punuar me forcat aleate.
Withers: Ky, triumfi i gjithë shqiptarëve
Ambasadori amerikan në Tiranë, Withers marrjen e ftesës për anëtarësim të NATO-s e ka cilësuar "një ditë gëzimi, si për Shqipërinë ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara". "Eshtë një ditë me domethënie historike si për shqiptarët ashtu edhe për amerikanët. Sot, Shqipëria, së bashku me Kroacinë, mori ftesën për në Aleancën e NATO-s. Siç tha Presidenti Bush më herët sot, Shqipëria do të jetë një anëtare e shkëlqyer e Aleancës. Jam këtu sot për të shprehur përgëzimet e mia për Shqipërinë dhe popullin shqiptar; jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të qeverisë sime dhe popullit amerikan", deklaroi Withers. Sipas tij, "ftesa e Shqipërisë në NATO nuk ishte vepër e jona. Kjo ftesë nuk ishte çështje fati apo vendndodhjeje gjeografike". "Ftesa nuk ishte as një çështje përllogaritjesh gjeopolitike. Kjo ftesë, thënë thjesht dhe qartë është një triumf i popullit shqiptar; i asnjë partie apo një tjetre, por i të gjithë shqiptarëve, i të gjitha partive që punojnë dhe sakrifikojnë së bashku. Eshtë një prej angazhimeve më të rëndësishme që ne mund të marrim përsipër për popullin shqiptar. Dhe ky angazhim njeh përkushtimin e të gjithë shqiptarëve ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin, pas natës së errët të komunizmit. Nëntë vjet më parë, gjatë zgjerimit të parë të NATO-s, Presidenti Klinton iu drejtua të sapo ftuarve të atëhershëm, "Mirë se erdhët në shtëpi, në bashkësinë e lirisë. Sot, unë ju them ju, "Mirë se erdhe, Shqipëri", theksoi diplomati amerikan.
Bush: Jeni gati për në NATO
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Ame-rikës, Xhorxh W Bush, ka qenë i pari që ka përshëndetur marrjen e ftesës nga Shqipëria dhe Maqedonia.
Në përfundim të fjalës përshëndetëse të delegacioneve të dy vendeve të A3, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar se "Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende, të cilat kanë punuar shumë për të arritur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO". Në të njëjtën kohë presidenti Bush, tha se dy vendet e Kartës Adriatik 3, të cilat mundën të bindnin 26 qeveritë e vendeve anëtare për të marrë ftesën, tani janë të gatshme dhe të përgatitura për në NATO. Sipas tij, Shqipëria dhe Kroacia do të jenë të afta të përballojnë reformat e kërkuara. Në fjalën e tij kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për vendin e tretë të A3, Maqedoninë, e cila për shkak të konfliktit me Greqinë për punën e emrit nuk arriti të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Bush theksoi se, pavarësisht se një gjë e tillë nuk ndodhi pikërisht në këtë takim treditor, NATO do të vazhdojë diskutimet për të çuar deri në fund këtë proces edhe për Shkupin. "Pavarësisht se Maqedonia nuk ka marrë ftesën e anëtarësimit në këtë Samit, NATO do të vazhdojë diskutimet edhe më tej, deri në gjetjen e një rruge, për ta bërë edhe atë pjesë të aleancës euroatlantike", u shpreh më tej Presidenti Bush. Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush, vuri në dukje se nga ky moment, në përfundim të Samitit të Bukureshtit dhe në vazhdim, Aleanca duhet të punojë për një Evropë të sigurt dhe stabël. "Duhet të punohet edhe në vazhdim për të siguruar një Evropë stabël dhe të sigurt, pasi zgjerimi i Aleancës do të vazhdojë vetëm në të mirë të paqes. Kjo aleancë do të jetë e bashkuar për të realizuar lirinë", shtoi në përfundim të fjalës së tij, Presidenti amerikan. Prej më shumë se një jave kreu i Shtëpisë së Bardhë është shprehur i sigurt në dhënien e ftesave nga Aleanca Atlantike për tre vendet e Kartës Adriatik 3. Madje edhe në ditën e parë të Samitit të Bukureshtit, kur pala maqedonase dhe ajo greke po shkonin drejt dështimit, Presidenti Bush shprehet i sigurt për dhënien e ftesës edhe për Maqedoninë. Një ditë më parë Bush do të deklaronte se tre vendet që në vitin 2004 firmosën dokumentin, i cili mori emrin Karta e Adriatikut 3, do të vazhdonin së bashku rrugën e nisur drejt NATO-s. Gjithsesi në asnjë moment që nga 10 qershori 2007, kur Bush erdhi në Shqipëri, Shtëpia e Bardhë nuk e ka kursyer mbështetjen për Shqipërinë, duke u bërë thirrje disa herë vendeve anëtare të NATO-s për t'i dhënë ftesën vendit tonë.
Kuvendi seancë speciale për ftesën në Bukuresht
Ftesa e NATO-s për Shqipërinë ka risjellë paqen mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament.
Kuvendi është pushtuar nga atmosfera e samitit të NATO-s, ku një ekran i madh është fokusuar në ndjekjen në mënyrë të drejtpërdrejt të ngjarjes botërore të Samitit të aleancës më të madhe ushtarake. Ky eveniment përbënte një diçka të veçantë, pasi Shqipëria priste të merrte zyrtarisht ftesën për në këtë organizatë botërore. Të gjithë deputetët e Kuvendit, të majtë dhe të djathtë pasqyronin një imazh tjetër, madje dhe veshjet e tyre, shik, burrat me kostume dhe kollare. Godina e Kuvendit ishte e mbështjellë nga dy flamurë gjigantë në krah të derës kryesore, një ai kombëtar shqiptar kuq e zi, dhe tjetri me ngjyrë blu me stemën e NATO-s. Të gjithë krerët e grupeve parlamentare kanë folur me tone optimiste në diskutimet e tyre dhe i kanë premtuar njëri-tjetrit që do të bashkëpunojnë për arritjen sa më parë të anëtarit në NATO. Ndërsa kanë ndjekur direkt seancën, nuk kanë munguar duartrokitjet e deputetëve, pas deklaratës së shefit të NATO-s, Scheffer se Shqipëria e ka marrë ftesën e shumëpritur prej dekadash. Pas kësaj seance, të gjithë deputetët e pranishëm kanë bërë foto të përbashkët në kujtim të kësaj dite madhore.
fjala e Topallit
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, në fjalën e saj nuk i ka kursyer fjalët falënde-ruese për të gjitha ata që e mbështeten Shqipërinë në këtë proces. Falënderimi i veçantë i Topallit vjen në adresë të SHBA-së dhe të udhëheqësve të saj. “Falënderoj deputetët, forcat politike, miqtë tanë në mbarë botën që na kanë qëndruar pranë. Një falënderim të veçantë shpreh për Presidentin e SHBA-së, George W. Bush, si dhe për të gjithë djemtë tanë që na bënë krenarë përkrah forcave aleate kundër terrorizmit. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është ngjarje e jashtëzakonshme që kërkon nga të gjithë ne, një përgjigje të jashtëzakonshme, një angazhim e seriozitet të jashtëzakonshëm”, tha kryeparlamentarja në përshëndetjen e saj para deputetëve.
Neritan Ceka
Në emër të Grupit “Qendra Liberaldemokrate”, Neritan Ceka u shpreh se “klasa politike ndodhet në prag të realizimit të premtimit të bërë 18 vjet më parë”. Ceka uroi që në Parlament, i cili është tempulli i politikës, të tregohet vullneti për të bashkëpunuar dhe për t’i shërbyer më mirë zgjedhësve. “Ne 18 vjet më parë premtuam se ‘do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa’. Me ftesën që presim të marrim sot jemi në realizimin e gjysmës së këtij premtimi të bërë vite më parë”, theksoi Ceka.
Fatmir Mediu
“Anëtarësimi në NATO është fryt i bashkëpunimit evropian dhe atlantik i të gjithë shqiptarëve, të cilët pa mëdyshje e kanë mbështetur këtë proces integrimi. Kjo ditë historike kërkon përgjegjësi më të mëdha për të ardhmen, pasi është hapi i parë, që kërkon mirëkuptim për ato që vijnë pas ditës së sotme. Eshtë rezultat i një procesi të gjatë reformash dhe fryt i gjykimit properëndimor, duke nënvizuar mbështetjen që vendet anëtare të NATO-s, veçanërisht SHBA i kanë dhënë Shqipërisë”, tha Mediu.
LSI, Xhufi: Na pret një sfidë e re, anëtarësimi
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi e cilësoi si një ngjarje të madhe për popullin e kombin shqiptar marrjen e ftesës së anëtarësimit nga ana e NATO-s. “Sot krijohet një nyje e fuqishme, që e lidh vendin tonë në mënyrë përfundimtare me vlerat perëndimore të lirisë e të demokracisë. Ne gjykojmë se marrja e ftesës për NATO është para së gjithash një vlerësim, që partnerët tanë i bëjnë vokacionit të pakthyeshëm evropian e atlantist të popullit shqiptar, i cili nuk u thye kurrë as nga sakrificat, as nga zhgënjimet e as nga dështimet që na kanë rezervuar dhjetëvjeçarët e fundit të historisë sonë”, deklaroi Xhufi. Në të njëjtën kohë një vlerësim jepet dhe Forcave tona të Armatosura, të cilat në këto vite kanë ditur të realizojnë reforma të rëndësishme, që kanë qenë edhe të dhimbshme, sidomos për ata ushtarakë të cilët kanë dalë në lirim, dhe që kanë edhe ata pjesën e tyre në këtë gëzim të sotshmin. “Kjo ditë do të kishte qenë edhe më e bukur, edhe më entuziaste, në qoftë se ndërkohë nuk do të kishte ndodhur tragjedia e tmerrshme e Gërdecit, e cila evidentoi në mënyrë tragjike mungesat, fajet e mëkatet e politikës. Në këtë aspekt, them se tash e tutje ne na pret një sfidë e re. Deri në momentin e hyrjes sonë të plotë në NATO, gjë që duhet të ndodhë në Samitin e vitit të ardhshëm, politikës shqiptare do t’i duhet të realizojë të gjitha ato premtime, të gjitha ato angazhime dhe ato obligime që duhej t’i kishte përmbushur përpara Samitit të Bukureshtit”, theksoi Xhufi.
“Të shkurtojmë kohën e hyrjes”
“Ftesa për anëtarësim është një vlerësim për arritjet tona. Ajo do të rrisë stabilitetin në vend e në rajon, si dhe prosperitetin e begatinë e Shqipërisë. Njëkohësisht, ky moment përbën një sfidë për të gjitha forcat politike në përmbushjen e standardeve perëndimore, si dhe në thellimin e bashkëpunimit real për reformat e domosdoshme që kemi përpara. PD, ashtu si deri më sot, është tërësisht e vendosur të punojë në këtë drejtim, që në një kohë sa më të shkurtër, sikurse bëmë realitet ftesën për në NATO, të realizojmë edhe ëndrrën e dytë të madhe të shqiptarëve, anëtarësimin në BE. Kjo përbën një ditë të shënuar e historike, si dhe një kurorëzim të përpjekjeve shumëvjeçare të shqiptarëve për demokraci e shtet ligjor”, tha Bano.
“Reformat, sfida jonë”
“Lajmi për marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nuk është thjesht një lajm i bukur, por sot është dita e parë e një sfide të madhe që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku, e cila ka në themel shtetin ligjor të së drejtës dhe institucione të forta, që u japin shqiptarëve prosperitet dhe mirëqenie. Ne shprehim vullnetin tonë për të ndryshuar këtë vend dhe për ta bërë një vend me një demokraci ligjore, të drejtë dhe funksionuese për të shkurtuar kohën e ratifikimit të këtij vendimi të NATO-s, me qëllim që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e familjes së madhe euroatlantike. Ky është misioni i opozitës dhe gjithë shqiptarëve, ndaj ne shprehim vullnetin tonë për reforma”, tha Braçe në Parlament.
“Ky sukses, jo i partive”
“Në emër të grupit shpreh gëzimin dhe krenarinë e madhe për ngjarjen historike të marrjes së ftesës. Ky nuk është sukses i kombëtar nuk është i partive politike. Ky është një sukses i të gjithë shoqërisë shqiptare, por unë përfitoj nga ky rast të shpreh mirënjohjen e thellë për ish të përndjekurit politikë që sakrifikuan jetën dhe familjet e tyre për një Shqipëri evropiane dhe të integruar; për ish-studentët e dhjetorit ‘90 që na dhanë mundësinë të krijojmë një shoqëri demokratike dhe evropiane dhe së fundit, për ushtrinë shqiptare, e cila pavarësisht vështirësive është dhe mbetet një institucion krenarie kombëtare. Gabimi më i madh do të jetë nëse ftesën e konsiderojmë si triumf të një pale kundër dikujt tjetër”, tha Ndokaj.
Rama: Ftesa, sukses i qytetarëve shqiptarë
Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi marrjen e ftesës si një arritje e madhe e të gjithë shqiptarëve, duke përbërë një zhvillim të ri për historinë e vendit tonë.
BLEDAR HOTI
“Kjo është një ditë e re në historinë e vendit tonë, sepse shqiptarët po kthehen në familjen e tyre natyrale. Kjo është një ditë e re, që lind nga një ëndërr e vjetër për të cilën u sakrifikuan, u flijuan, pushkatuan, burgosën, syrgjynosën dhjetëra-mijëra shqiptarë. Kjo është një ditë e re që, e ribashkon Shqipërinë me frontin e madh të popujve të lirë për të mbrojtur demokracinë, lirinë individuale, barazinë para ligjit nga armiqtë e tyre, ashtu si dikur në frontin e madh antifashist të Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi kryesocialisti. Rama theksoi se kjo është meritë e veteranëve të luftës antifashiste e deri tek ata që iniciuan lëvizjen e dhjetorit 1990. “Ashtu siç është dita për të kuptuar se për politikën shqiptare, kjo është një përgjegjësi më shumë ndaj popullit dhe ndaj partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Më lejoni që, unë sot të jem krenar për rolin e Partisë Socialiste në këtë proces, për kurajon me të cilën ne po ndryshojmë politikën në Shqipëri dhe për kontributin që, dhamë deri këtu, për marrjen e ftesës. Ashtu si kundër më lejoni të nënvizoj vendosmërinë time dhe të PSSH për të vazhduar t’i japim këtë kontribut, duke marrë pjesë në një proces për anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në NATO”, thekoi Rama. Në të njëjtën kohë ai shprehu dhe angazhimin permanent “për transformimin e politikës shqiptare nga një pazar politikanësh, në një politikë të interesave të vendit e të qytetarëve, si një shprehje e vetëdijes sonë të re që, është pasqyrë e vetëdijes së re të vendit”. Ndërsa për këtë arritje, kryesocialisti nuk i ka dhënë asnjë meritë klasës politike shqiptare. “Ftesa është suksesi i qytetarëve shqiptarë, i atyre që s’janë më dhe i atyre që sot e gjithë ditën përpiqen në të gjitha fushat e jetës me këtë aspiratë unanime të anëtarësimit në NATO si dhe në BE, dhe barra e re e përgjegjësisë për politikën shqiptare. Që sot duhet më shumë se sa të festojë të mendojë seriozisht për sfidat e jashtëzakonshme që na presin, në mënyrë që anëtarësimi përfundimtar të mos vonojë dhe shqiptareve dhe shqiptarëve të mos u humbasë asnjë ditë për shkak të politikës”, përfundoi Rama. Ndërsa mbrëmë pasdite selia PS-së ka organizuar një koktej për këtë eveniment.
PSD: Reforma konkrete
Deputetja e PSD-së, Diana Çuli, e cilësoi këtë moment “një fitore të përbashkët të të gjithë shqiptarëve”. “Pas kësaj ne duhet të bëjmë reforma konkrete, nga ushtria e deri tek ekonomia me qëllim plotësimin e standardeve të kërkuara nga BE”, tha deputetja e PSD-së. e konsideroi ftesën për anëtarësim në NATO si një meritë të popullit shqiptar. Duke folur në emër të grupit, Çuli vuri në dukje se Shqipëria ka treguar gjithnjë një rol stabilizues në rajon, ndërsa theksoi se progresi në reforma mbetet kusht vendimtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Jo privatizim nga politika”
Kreu PDS-së, Paskal Milo e cilësoi marrjen e ftesës së arritje të madhe të gjithë shqiptarëve. “Marrja e ftesës është një nxitje e mëtejshme për të ecur në rrugën e reformave të palëkundur sipas standardeve evropiane. Askush nuk ka të drejtën që ta privatizojë këtë ftesë, pasi kjo është një arritje e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Mendoj se ka shumë rëndësi perceptimi i ftesës, pasi duhet të veprohet jo me maturi dhe duhet të jemi larg euforisë. Marrja e ftesës do të rrisë sigurisë nga institucionet ndërkombëtare”, tha Milo.
G99: Protesta të premten
Grupi më i ri politik G99 pavarësisht lajmit të mirë të marrjes së ftesës nga NATO, shprehet se duhet të protestohet të premten në shesh. “Pavarësisht ftesës, Shqipëria mbetet sërish një vend ku siguria e jetës nuk është e garantuar, me një qeveri të paaftë për të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë, Kryeministri i së cilës përflitet në media prestigjioze ndërkombëtare për afera të dyshimta e korruptive. Pavarësisht ftesës, sot, më shumë se dy javë pas shpërthimit tragjik të Gërdecit, shqiptarët ndihen sërish të kërcënuar nga varfëria, pasiguria, korrupsioni e papërgjegjshmëria e një Kryeministri të paaftë për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tij. Të premten shqiptarët zbresin në sheshin “Skënderbej” për të përshëndetur hedhjen e një hapi të rëndësishëm e të përbashkët në procesin e integrimit”, thuhet në deklaratën për median.
PS protesta, qeveria koncert festiv në një orar
Dita e sotme pritet të sjellë përplasje mes maxhorancës dhe opozitës. Qeveria ka bërë publike lajmin se do të organizohet të premten pasdite një koncert i madh festiv. Koncerti do të organizohet me iniciativën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” në Tiranë, në sheshin përpara kësaj qendre, janë ftuar të marrin pjesë grupet më të mira të artistëve të rinj të kryeqytetit në këngë dhe kërcim modern. Koncerti që do të nisë rreth orës 17:00 pritet të zgjasë disa orë, ndërkohë që disa qindra të rinj do të jenë protagonistë në këtë mbrëmje të veçantë, që kremton një vendim historik për Shqipërinë. Ndërsa një orë më pas PS-ja dhe opozita kanë paralajmëruar një protestë në sheshin “Skënderbeu”, i paralajmëruar ditë më parë. Në këtë protestë do të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të opozitës, duke u shprehur se “kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Sali Berisha për ngjarjen e Gërdecit të ndodhur me 15 mars”. Ndërkohë ndryshe nga protesta e një jave më parë, liderët e partive politike do të mbajnë fjalimet e tyre dhe më pas do të nisen drejt Kryeministrisë me pankarta në duar. Sipas burimeve pranë PS-së, protestuesit pas mbledhjes në sheshin “Skënderbej” do t’i drejtohen Kryeministrisë.